3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

I ashtuquajturi civilizim

Më të lexuarat

“Nuk do të ndodhë kataklizmi, derisa të shfaqen epidemi të cilat nuk janë njohur më parë.”

Më e arsyeshme dhe më e rendit m’u duk që hyrjen ta filloj me këtë hadith të Muhamedit alejhis selam, ngaqë na bën të diskutojmë me gjakftohtësi dhe me një temperament të vënë nën kontrollin tonë.Për çfarë arsye kjo? Sepse një pjesë jo e vogël e popullatës injorante e veçanërisht të rinjtë,  duan ta ndryshojnë atë që është e një rëndësie shumë të veçantë dhe e domosdoshmërisë së vlerave të larta feministe, që ta bëjnë të parëndësishme dhe të pavlerë.

Para se të thellohem në temë dua të bëj një pyetje të drejtpërdrejtë për arsye që të jetë shumë e kapshme ajo çka unë dua të them:”A ka mundësi që diamanti ose margaritari të jetë pa vlerë?”

Në këtë rast ne duam të diskutojmë për të vlefshmin dhe shumë të rëndësishmin- moralin e femrës, konkretisht virgjërinë e saj, të cilën e ka ngritur Allahu si çështje shumë të lartë e të një rëndësie shumë domethënëse.
Para së gjithash edhe një gjë, në lidhje me moralin nuk guxojmë të akuzojmë vetëm njërën gjini, siç edhe ndodhë të akuzohet vetëm femra, sepse imoralen e bëjnë të dyja gjinitë, edhe ajo femërore edhe ajo mashkullore. Është e metë e trashëguar mendimi se vetëm femra duhet të jetë ajo e cila duhet ta ruaj moralin ose të ndëshkohet nëse e ka humb apo nëpërkëmbë atë (moralin).
Është gabim i madh të mendohet e thuhet kështu, sepse Zoti thotë në Kur’an:

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (Isra: 32).

Nga ky verset kur’anor kemi ambiguitet, sepse Zoti ynë urdhëron në mënyrë të prerë që as mos t’i afrohemi imoralitetit, si dhe me këtë urdhër, urdhëron të dyja gjinitë e jo vetëm njërën. Dhe tjetra na tregon se është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe e cila shkatërron njeriun, familjen dhe shoqërinë.

Mjerisht, krahas ecurisë zhvilluese të jetës, e kemi edhe atë të ashtuquajturin “civilizim perëndimor”, i cili fatkeqësisht i ndërron dhe ndryshon themelet sipas ëndjes e nevojës së tij të përshtatshmërisë për të qenë ende në këmbë.

Edhe pse u tha se të dy gjinitë i kanë përgjegjësitë e tyre për nëpërkëmbjen e moralit e të nderit të tyre, kësaj radhe ne do të flasim e do t’i thërrasim vetëm gjinisë femërore që të ndalet e ta trokas memorien e saj se ku është (nëse nuk duhet të jetë aty) dhe se ku e ka pozitën e saj (aty ku duhet qenë).
Pa dyshim se gruaja apo femra është krijesë e Allahut, dhe Allahu nuk e ka krijuar atë (femrën) për të qenë mjet i dëfrimit dhe nxitjes. Mjerisht që për këtë gaflet (dëfrim dhe nxitje) ende kultivohet përkushtueshëm për arsye se këtë e thotë civilizimi perëndimor.
Nga po ky civilizim (civilizimi perëndimor), po zhvillohet një shoqërim i dy gjinive pa kurrfarë normash dhe pa kurrfarë kufijsh, saqë ky shoqërim i dha hapësirë maksimale imoralitetit që të zhvillohet. I njëjti imoralitet po zhvillohet e kultivohet edhe te ne nga njerëz e persona të caktuar, por mjerisht në këtë rast më së shumti është femra ajo e cila dëmtohet.Kur e themi këtë, padyshim se kemi një arsye, ose një dert siç thotë populli, ngaqë asgjë rastësisht nuk ka në këtë botë, e ajo që po na shqetëson është se, para pak ditësh më njoftuan që ta përcjelli një emision në TV, i cili debatonte enkas për virgjërinë e femrës, por me një theks shumë idiot.

Si ka mundësi që të ketë aq injorantë e aq të pacipë kundruall gjërave me vlerë e të një rëndësie shumë të lartë siç është vlera e virgjërisë së femrës!?
Edhe më shqetësuese dhe mahnitëse u bë gjendja nga mendimet e disa prej vetë femrave të cilat udhëhiqnin grupe “institucionale” të rinjsh, të cilat e mbështesnin qëndrimin se, “nuk është turp që femrat të mos jenë e virgjër, si dhe e konsideronin si diçka jo me vend një gjë të tillë”. Ky mendim jo për tjetër, po kinse ne jemi popull që duhet të integrohemi medoemos në të ashtuquajturën makabër “civilizim perëndimor”, e sidomos femrat.
Ndoshta do të më thotë ndokush; “lëri ata të poshtëruar le të kënaqen mes vete”.
Por si të heshtim përballë kësaj marrëzie e poshtërsie, e cila nuk sjellë asnjë të mirë përveç se anomali poshtëruese-vdekjeprurëse? Pastaj, si të heshtësh përderisa të rinjtë (fëmijët) tanë frekuentojnë në po të njëjtat institucione shkollore bashkë me ata e ato të pandërgjegjshme, e të cilët nuk hezitojnë që me çdo kusht t’i bindin të tjerët se idetë, hapat dhe parimet e tyre janë në trendët kohorë dhe që në krye e kanë sloganin “civilizim perëndimor”- pasona.

Thënë me dorë në zemër, a nuk ua shton forcën magnetike në këtë poshtërim e devijim moral edhe djalli? Vetëm e vetëm që të na humbin tanët e t’u bashkohen radhëve të djajve.

Medieve tona, sikur ju duket e mangët reklamuesja e grave lakuriqe e gjysmë lakuriqe nëpër çdo vend në hapësirat e tyre mediatike. Tash duan që me çdo kusht të zë vend edhe ora e “edukatës seksuale” nëpër TV e sidomos në shkolla, me arsye se si të ruhen dhe mbrohen nga HIV-AIDS-i. Dhe më keq se kjo, ta bindin femrën se nuk është turp që të mos jetë e virgjër.

Të nderuara!
Unë nuk e di se edhe sa do të ketë mundësi që durimi të jetë prezent, kur ne me vite të tëra kërkojmë që lënda fetare të inkorporohet nëpër shkolla, si dhe çdo ditë të emitohet nga një orë program kulturor-fetar nëpër TV-t tona publike, dhe kjo as që ia vran timpanin dikujt-dikujt, ndërsa rrimë si shurdhmemec para kësaj katrahure e cila po shtohet e zgjerohet çdo ditë e më shumë.

Përsëri dua të pyes edhe diçka:”Ajo që po ndodh me perëndimorët, të cilët lejuan liri të plotë e që tejkaluan çdo pengesë mes tyre, a thua ua ka zgjedhur problemin e tyre seksual!?”
Betohem në Zot, se JO. Zaten shoqëritë perëndimore edhe një pjesë e shthurur e popullit tonë, konkretisht disa të rinj me ide idiote, po e kërkojnë çdo ditë e më shumë atë që e dëgjova e që jemi duke e parë – devijimin moral, sidomos të devijuarit moral të femrës.

Të sqarojmë një gjë. Feja jonë, Islami, nuk është kundër asaj që plotësimi dhe realizimi i nevojës apo dëshirës emocionale instiktive të zhvillohet, apo të mendoj dikush se Islami paraqet murgëri. Përkundrazi, besimi ynë është aq i pastër dhe i drejtë, saqë edhe për emocionet të cilat nganjëherë mund të brofin pa vend, iu jep kahe ligjore, si dhe tërheq vërejtjen se edhe për këtë moskujdes do të llogaritet njeriu nëse bie nën ndikim të tyre, e lëre më kur është në pyetje nderi. Ngaqë ky besim (besimi islam), familjen e sheh si institucionin më të lartë dhe sidomos familjen e shëndoshë e radhit në rangun e institucioneve më të larta e të rëndësishme të një shoqërie të civilizuar e të drejtë.
Këtë, për arsye se aty ku ka liri shtazarake, aty është porti më i madh i çrregullimit dhe shkatërrimit të atij populli, e besimi islam rëndësi të madhe i ka kushtuar vënies së kufijve, madje e ka përfshirë edhe lirinë e tepruar, të cilën e stimulon “civilizimi perëndimor”.

Një urti thotë:”Sa ka moral të lartë në një popull, aq edhe do të jetojë ai popull”.

Një gjë të tillë mund ta shohim për së afërmi edhe me familje. Në ato familje ku nuk njihen për së miri në aspektin moral, askush nuk dëshiron fqinjësi me ta e as miqësi, dhe kjo na bën të arrijmë te ajo se, ose duhet ta ndryshojnë gjendjen e tyre për të mirë ose do të shkatërrohen ashtu me turpin e tyre.

Gjatë atij debati u shtrua edhe pyetja mysafirit të ftuar në studio, i vetmi i gjinisë mashkullore në mesin e femrave të cilët ishin mysafire “nderi”, se a e merr për grua një vajzë e cila nuk është e virgjër nga ndonjë fatkeqësi (p.sh.: nga dhunimet gjatë luftës ose dhunimet të cilat po ndodhin tash pas luftës)?
Sa e habitshme e sa hipokrite ishte gjendja e të pyeturit. Pse? Sepse u mundua ta sjellë e pështjellë muhabetin duke e arsyetuar këtë trend kohor se, “nuk është turp të mos jesh e virgjër”, saqë edhe ato të pranishmet reaguan duke i thënë “a e merr a s’e merr”? Me një hipokrizi dhunshëm e thej realitetin e dëshirës së tij brenda vetes, se po të ishte aq “trim” siç u tregonin në atë debat, nuk do të ishte ngadalësuar në përgjigje, po e kishte pohuar sa çel e mbyllë sytë.
Thënë shkurt, përderisa nuk e duan për vete një gjë të tillë ata të cilët propagandojnë e thërrasin në këtë turpëri të kohës, pse moj të mjera e nëpërkëmbni veten, nderin, trupin e moralin tuaj të cilin e keni dhuratë ndër dhuratat më të vlefshme që mund ta posedojë një femër!???

Nëse tjetri do që në çdo mënyrë të bindë se “nuk është turp” kjo gjë, dhe në anën tjetër nuk të dëshiron nënë të fëmijëve të tyre, pse moj e çmendur toleron veten të jesh leckë për qejfe e teka të tyre???A e ke pyetur ndonjëherë veten tënde se, edhe sa kohë do të duhej ta këndellesh trurin për ta ndaluar veten nga ato ftesa paranoike të cilat e detyrojnë shpirtin, trupin dhe moralin tënd që të lëngojë nga anomalitë të cilat merr nga e ashtuquajtura “ngritje me civilizim perëndimor”.

Të drejtohem me qëllim miqësor, për hir të asaj se po e shoh se nuk të funksionon truri aspak, saqë nganjëherë po them se mos ke tru me madhësi sa truri i një trofte (peshku), që s’po ia vendon cakun e përfundimtares kësaj poshtërie kaq gjigante e shumë shkatërruese e cila po të bind se morali nuk ka vlerë. Kurse po të thërret ajo që është reale dhe e vlefshme tek një femër, është turpi dhe sjellja e mirë (morali).

A ende nuk po bindesh se femra është konsideruar e madhe në shoqërinë njerëzore, si dhe femra është ajo e cila meriton respekt dhe nderim çdo ditë e në çdo kohë për hir të nderit që ia ka dhënë Zoti, e veçanërisht nënës.

Përderisa është kështu, çka po kërkon në ato bare e vende të cilat nuk të sjellin asgjë të mirë në asnjë kohë e në asnjë moment? Përkundrazi, ato janë vende të cilat të nëpërkëmbin, të nënçmojnë e fyejnë ty dhe familjen tënde, edhe pse ata më së paku e meritojnë këtë fyerje për shkak të devijimit tënd njerëzor.

Të thërras që të vetëdijesohesh se nuk ka gjë më të vlefshme sesa të përqendruarit në ligjin e Zotit të Madhërishëm. Ngaqë ligji i Tij është i drejtë dhe gjithëpërfshirës e optimal për çdo sferë dhe për të gjitha krijesat e në veçanti për qenien njerëzore. Nëse fillon të besosh e zbatosh këtë ligj, të premtoj se do të kesh një mbarëvajtje të këndshme e komode në çdo sferë të jetës tënde, madje as mynxyrat nuk do t’i vëresh, por do t’i tejkalosh me pak vështirësi e pa i hetuar shumë.

Si të fundit po të përkujtoj edhe një këshillë, dhe po e përmbylli me këtë:Nuk është përparim e avancim i njeriut, që ai ose ajo ta lejoj veten të veproj atë që dëshiron, të vepron atë që atij ose asaj ia ka ëndja, por, përparim i njeriut është kur ai vepron atë që duhet vepruar, e jo të bie në nivel me kafshën, ngaqë vetëm kafsha është ajo që vepron atë që do dhe në dëshirën e saj nuk ka kush që e pengon, ngaqë ajo nuk posedon mendje dhe turp që e ndalon, apo frikë e cila e pengon e as besim apo religjion që e rregullon jetën e saj.

Mbes me shpresë dhe lus Zotin që sa më parë të vetëdijesohet bota njerëzore dhe t’i largohet mëkateve turpëruese siç është ky i cili diskutuam në këtë temë. Amin!/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit