3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kërkimi i Faljes

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!” Ali Imran, 102.

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” Nisa, 1.

“O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” Ahzab, 70-71.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr.

Të nderuar besimtarë!

Prania e të gjithë mirësive të këtij muaji na bën ne të përjetojmë me kënaqësi të veçantë, çdo ditë-natë, orë, minutë dhe sekondë që po na e fal Allahu i Lartësuar. Do të doja të përkujtoja veten dhe juve njëkohësisht e ju të tjerët të cilët nuk janë të pranishëm në këtë hytbe për një nga adhurimet që, si çdo adhurim tjetër, është tepër i rëndësishëm. Kërkimi i faljes është ai për të cilin shumë po neglizhohet e me keqardhje po lihet pas dore edhe në këto momente të papërsëritshme për ne për nga vlera, mirësia e shansi i madh që na ofrojnë.

Të kërkuarit e faljes nënkupton mbrojtjen dhe mbulimin nga e keqja e mëkateve të bëra, kthetrave të të cilave askush nga ne nuk i shpëton. Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij fisnik na lajmërojnë dhe na këshillojnë që ta kemi shpesh ndërmend ketë gjë dhe të jemi kurdoherë të gatshëm për kryerjen me përkushtim të tij.

Kështu, në Kuran kërkimi i faljes përmendet shumë herë, Allahu i Lartësuar thotë: “…E kërkoni falje prej Allahut, se Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues!” Muzemil, 20.

Allahu i Lartësuar e lavdëron kërkuesin e faljes, madje Ai preferon që ne vazhdimisht t’i kërkojmë falje, pasi vetëm Ai është i mundshëm që të na falë mëkatet. Allahu i Lartësuar thotë: “…Të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.” Ali Imran, 17.

Vëllezër dhe motra! Mos ta harrojmë këtë ajet, të paktën në këto ditë që po përjetojmë, asi të gjithë ne kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë në momentin kur hamë syfyrin. Le të mos jemi prej atyre të cilët ngrihen në syfyr vetëm për të ngrënë, por le të shfrytëzojmë në maksimum këtë kohë tepër të favorshme për faljen e mëkateve tona.

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar i bën me dije të gjithë ata të cilët mëkatojnë, pra të gjithë neve, që nëse i lutemi për faljen e mëkateve Ai do të na falë. Në fjalët e Tij Ai thotë: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues.” Nisa, 110.

Shpeshherë në tekstet tona të sheriatit, të kërkuarit e faljes përmendet bashkë me pendimin, por istigfari nënkupton të kërkuarit e faljes me gjuhë, ndërsa pendimi nënkupton vendimin e fortë të zemrës dhe qëllimin e organeve të trupit që të ndërpresin kryerjen e mëkateve.

Ju kujtojmë që praktika e kërkimit të faljes fillon me madhërimin e Allahut, pastaj me pranimin e mëkatit dhe më pas me lutjen drejtuar Allahut të Lartësuar për falje. Është mirë, madje tepër e preferueshme që njeriu vazhdimit sa të jetë e mundur t’i kërkojë Allahut falje, pasi ne mëkatojmë me dashje dhe pa dashje, por duhet që personi të jetë i kujdesshëm për momentet në të cilat Allahu pranon faljen, siç është rasti me kohët në të cilat pranohet duaja apo muaji i faljes të cilin tashmë po e përjetojmë.

Nga praktika dhe shembulli personal i Pejgamberit (alejhi selam) ne jemi të informuar, siç na ka njoftuar ai në një hadith, për lutjen më të mirë me të cilën mund t’i drejtohemi Allahut të Lartësuar për falje, lutje e cila njihet ndryshe si “mbreti i istigfarit”. Ajo është:

O Allah! Ti je Zoti im. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt. I përmbahem betimit dhe premtimit që të kam dhënë, sa të kem mundësi. Tek Ty mbështetem nga të këqijat që kam bërë. E pranoj mirësinë Tënde ndaj meje dhe e pranoj mëkatin tim. Prandaj, më fal! Sepse Ti je Ai q fal mëkatet.

Gjithashtu, në një hadith tjetër që e tregon Abdullah ibn Umeri thuhet se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “O i dërguar i Allahut, më mëso një dua që ta them në namaz!” Profeti (alejhi selam) tha: “Thuaj! O Zot! Unë i kam shkaktuar vetes shumë padrejtësi, vetëm Ti je Ai që fal mëkate. Prandaj, Ti më fal e më mëshiro, sepse Ti je Ai që fal dhe mëshiron.”

Ibn Umeri thotë: “Kemi mundur që të numërojmë pejgamberin (alejhi selam) të thotë 100 herë: ‘O Zot! Më fal dhe më prano pendimin tim! Ti je Ai që pranon pendimin dhe që fal shumë’.”

Ebu Hurejre thotë se Profeti (alejhi selam) thoshte: “Vallahi, unë e lus Allahun për falje mëkatesh më shumë se 70 herë në ditë.”

Ndërsa në një transmetim tjetër: “Edhe mua më kaplon harresa, prandaj i lutem Allahut për falje nga 100 herë në ditë.”

Ndër këshillat e çmueshme përmendim këshillën e Lukmanit drejtuar birit të tij: “O biri im, mësoje gjuhën që shpesh të deklarojë: ‘Allahume gfirlij – O Zot, më fal mëkatet!’ pasi tek Allahu Allahu ekzistojnë momente kur nuk e refuzon asnjërin nga lutësit.

Dhe në fund le të përmendim disa thënie për të kërkuarit e faljes.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Lum ai që në librin e tij gjen të shënuar se është lutur shpesh për falje mëkatesh!”

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Sikur Allahu të donte ta dënonte robin e tij, nuk do ta kishte frymëzuar për falje mëkatesh.”

Katade (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky Kuran do t’ju udhëzojë edhe në sëmundjet tuaja edhe në ilaçet tuaja. Sëmundjet janë mëkatet, ndërsa ilaçet janë të kërkuarit e faljes.”

E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre njerëzve që e mbajnë gjuhën të lagur nga përmendja e kërkimit të faljes, si dhe të na bëjë prej atyre që e shfrytëzojnë këtë muaj të begatë për të  kërkuar dhe gjetur sa më shumë falje! Amin!

Erion Sula

06.10.2006

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit