Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka deklaruar sonte se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është kulmi i organizimit politik dhe ushtarak të kombit shqiptar.
Kurti tha se kësaj ngjarje historike i rikthehen sa herë që iu nevojitet bashkimi, mobilizimi e çlirimi, e që sipas tij këto u nevojiten edhe sot.
Këto komente Kurti i bëri në Prizren, ku Lëvizja Vetëvendosje në nder të 142- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ka organizuar një bashkëbisedim për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Prizrenit.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është kulmi i organizimit politik dhe ushtarak të kombit tonë, andaj kësaj ngjarje historike ne vazhdimisht i rikthehemi atëherë kur na nevojitet bashkimi, mobilizimi dhe çlirimi. Këto na nevojiten edhe sot e kësaj dite meqenëse si komb në Ballkan vazhdojmë që të jemi të ndarë, si elita politike vazhdojmë të jemi të përçarë. Ndërkaq, në aspektin e lirisë dhe të mirëqenies ngecim prapa fqinjëve, e po ashtu edhe në aspektin e përgatitjes ushtarake”, ka thënë Kurti, raporto KP.
Kurti tha se në mes të shekullit 19 përderisa serbët dhe grekët ishin kombe të zgjerimit, shqiptarët ishin komb i gjuhës. Kjo sipas tij e bënte situatën më humane, por që tha se edhe kombin më të rrezikuar.
Ai tha se mësimet që nxirren nga koha e Lidhjes së Prizrenit janë aktuale edhe sot, pasi sipas tij shqiptarët kanë nevojë të bashkohen.
“Pra ishte koha kur financat ishin për kombin, e jo sikur që ndodh ndonjëherë sot kur kombi është për financa. Ky bashkim i prijësve shqiptar, i atyre 300 delegatëve e bashkoi popullin anë e mbanë. Ishte bashkim i cili kishte karakter kombëtar edhe mbi fetar… Mësimet që i nxjerrim nga ajo kohë janë aktuale edhe sot, meqenëse shqiptarët kanë nevojë për t’u bashkuar në mënyrë që të ecim përpara, në mënyrë që fitoret të jenë kolektive e kombëtare, e jo vetëm fitore individuale politikanësh. Në këtë mënyrë të krijohet paqja afatgjate, një siguri për të gjithë dhe një stabilitet i cili nuk është stabilitet i rendit të padrejtë. Pra, ka nevojë për forcim të shqiptarëve, për fuqizim të tyre, jo për inate të ndokujt tjetër, po për hir të vetes së tyre duke i kontribuar kështu edhe mbarë rajonit”, tha ai.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit që të bashkohen të premten në tubimin e organizuar në Prishtinë.
“Ju ftoj të gjithëve që të marrim pjesë dhe të dëshmojmë se jemi masë e nuk jemi turmë dhe se jemi shumë, e jemi paqësorë”, tha ai.
Ndërsa ish-ministri i Jashtëm Glauk Konjufca tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka një kontribut shumë të madh për ngjizjen e kombit modern shqiptar. Ai tha se luftërat e Skënderbeut, lufta e UÇK dhe Lidhja e Prizrenit janë tri ngjarjet më të rëndësishme për kombin shqiptar.
“Lidhja e Prizrenit mendoj që e ka një kontribut shumë të madh për ngjizjen e kombit modern shqiptar, sepse le të themi unë mendoj që pikërisht ajo energji dhe koncept që e ka krijuar kombi shqiptar, përmes Lidhjes së Prizrenit ka vazhduar deri me luftën e UÇK-së, luftën tonë çlirimtare nga Serbia. Është një fuqi e jashtëzakonshme politike çka ka krijuar si projekt Lidhja e Prizrenit… E ka krijuar një vetëdije kombëtare për të cilën njeriu është i gatshëm për sakrificë, personi sakrifikohet për liri, për të arritur të përbashkëtën tonë që ka qenë çlirimi i Kosovës dhe kjo përpjekje nuk ndalet kurrë. Nga ky aspekt Lidhja e Prizrenit, natyrisht që mund të thuhet ndoshta që prej luftërave të Skënderbeut, rezistencës të organizuar prej Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit edhe lufta e UÇK-së unë do të thosha janë tri ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar”, tha ai.
Historiania Mrika Limani Myrtaj, e cila u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, tha se sikur të mos ndodhte Lidhja Shqiptare e Prizrenit populli shqiptar do të asimilohej.
Ajo tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte gurthemeli i shtetit të pavarur shqiptar.
“Sikur të mos ndodhte Lidhja Shqiptare e Prizrenit në atë moment historik që ka ndodhur, atëherë është shumë e mundshme që populli shqiptar do të asimilohej, jo ndoshta plotësisht po një pjesë e madhe e tij… Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte realisht gurthemeli i shtetit të pavarur shqiptar, nocionin e kombit modern siç e gëzojmë sot”, tha ajo.
Ky organizim i LVV është bërë në kuadër të “Javës së Lëvizjes”./