-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Dëshmi të reja rreth lobimit me para të buxhetit për copëtim të territorit

Më të lexuarat

Jeta Xharra

BIRN- ka zbuluar dëshmi të reja të lobimit të institucioneve të Kosovës për shkëmbim territoresh me Serbinë: një gazetar i gazetës Le Monde ka deklaruar që Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, personalisht ka avokuar për shkëmbim territoresh përderisa një akademik amerikan ka zbuluar se si Hashim Thaçi i ka kërkuar atij që të përgatisë një punim në mbrojtje të këtij plani. 

 

Më 28 maj, BIRN-i ka zbuluar se si gjatë qeverisë së PAN-it ishin paguar 168,000 euro te kompania me seli në Paris, Majorelle PR & Events, e cila kishte promovuar “pozicionin e Kosovës” për “korrigjim territoresh” si mjet për arritjen e marrëveshjes paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dhurata Hoxha, e cila në atë kohë shërbente si ministre në Ministrinë për Integrime Evropiane dhe e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë, e ka përshkruar artikullin si “lajm i rrejshëm” dhe ka kërcënuar se do të bëjë padi për shpifje. Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e kishte shpërndarë në Twitter artikullin e Prishtina Insight, që “të kërkonte falje dhe të distancohej nga deklarata e saj publike”.

Megjithatë, në ndërkohë, BIRN ka kontaktuar një gazetar dhe një akademik të cilët kanë konfirmuar se ata ishin lobuar për të shkruar pozitivisht për ‘korrigjim kufijsh’ dhe shkëmbim potencial të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Korrespodenti për Evropë Qendrore i gazetës Le Monde, Jean-Baptiste Chastand, e ka mbuluar Ballkanin që nga viti 2015. Ai ishte kontaktuar nga kompania Majorelle PR & Events edhe gjatë vitit 2018 edhe gjatë vitit 2019.

Në shtator të vitit 2018, një përfaqësues i kompanisë Majorelle e kishte telefonuar për të aranzhuar një takim mes gazetarit Chastand dhe Ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, për të diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Të premten, Chastand ka deklaruar për BIRN që “më 19 shtator 2018, Qëndrim Gashi ka ardhur në Le Monde bashkë me një grua nga Majorelle për të biseduar rreth shkëmbimit të territoreve”. “Ai ka thënë që [shkëmbimi i territoreve] është një ide e mirë për të sjellë paqen, por ai nuk ka qenë shumë specifik, dhe nuk ka qenë e qartë se për cilin territor ishte fjala”.

Sipas Chastandit, vetëm Gashi ka foluar gjatë të gjithë takimit përderisa përfaqësuesja e Majorelle ka heshtur. “Ajo që ka qenë e çuditshme është që Qëndrim Gashi më njihte,” ka thënë gazetari Chastand. “Ai e kishte numrin tim të telefonit dhe ne ishim takuar edhe më herët. Ai nuk kishte nevojë që Majorelle t’ia aranzhonte takimin me mua.”

Qëndrim Gashi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Francë në vitin 2016 nga koalicioni PDK-LDK, në kohën kur presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme.

Më 27 maj, Gashi kishte deklaruar për BIRN që ai kishte qenë në kontakt me Majorelle PR & Events me qëllim që “të lehtësonin kontaktet me gazetarët.” Megjithatë, Gashi e ka mohuar “kategorikisht” të ketë qenë ndonjëherë i përfshirë në lobime që lidhen me temën e ndryshimit të kufijve. “Përgjigja është e thjeshtë, kategorikisht: jo,” kishte deklaruar ai në përgjigjen e tij.

BIRN e ka sfiduar Gashin me informacionet e reja, duke i kërkuar që të konfirmojë se a ishte takuar me gazetarë të gazetës Le Monde ku e ka shtyrë çështjen që shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë të shihej në mënyrë pozitive. Ambasadori nuk i ka mohuar këto pretendime, e përgjigja e tij e datës 30 maj ka qenë që “nuk ka koment shtesë.”

Pas takimit të tij me Gashin, Chastand kishte shkruar një artikull duke raportuar mbi idenë e shkëmbimit të territoreve, ku e kishte cekur edhe rrezikun për dhunë në rast se kjo ide realizohet. Chastand tha që ai nuk kishte pasur nevojë për ndonjë citat nga Ambasadori. “Artikulli im rreth kësaj ishte gati për t’u publikuar dhe unë kisha qenë në Kosovë para dy javësh,” ka deklaruar Chastand, duke shtuar që gjatë kohës sa ishte në Kosovë, ai e kishte takuar Presidentin Thaçi, i cili i kishte thënë të njëjtën gjë si Ambasadori Gashi.

Sidoqoftë, përshkrimi që i bën Chastand takimit ngre pyetje serioze rreth sjelljes së Gashit. Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë për BIRN që mbrojtja e integritetit territorial të shtetit është obligim i secilit ambasador, edhe në rastet kur ata marrin urdhër për ta bërë të kundërtën e kësaj.

Mushkolaj ka thënë që “neni 16 i Kushtetutës së Kosovës nënkupton që edhe kur Kryeministri apo Presidenti u kërkojnë të bëjnë një gjë si lobimi për shkëmbim territoresh, ambasadorët duhet t’i shërbejnë shtetit ngase Kushtetuta është mbi çdo autoritet tjetër dhe është detyrë e secilit që ta mbrojë atë”.

Përveç këtyre obligimeve kushtetuese, neni 10 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovë thotë që të gjitha misionet diplomatike e kanë funksionin e “mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe interesave të tjera të Republikës së Kosovës.”

BIRN ka folur edhe me Behgjet Pacollin, që kishte shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 2018, dhe e ka pyetur nëse Gashi e kishte shkelur kodin diplomatik duke folur me gazetarë të huaj në favor të shkëmbimit të kufijve.

Në përgjigjen e tij, Pacolli ka thënë që ai ua kishte bërë të qartë të gjithë diplomatëve dhe ambasadorëve të Kosovës nëpër botë që ‘korrigjimi i kufjve’ që po e shtynte Thaçi nuk ishte qëndrimi zyrtar i Kosovës. “Qëndrimi zyrtar i Qeverisë rreth kësaj çështjeje ka qenë i qartë, integritetit territorial i Kosovës është i panegociueshëm në dialog me Serbinë”, kishte deklaruar Pacolli për BIRN-in më 29 maj.

Megjithatë, përderisa ky mund të kishte qenë qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës, artikujt që diskutonin rreth shkëmbimit të territoreve, vazhdonin të paraqiteshin në mediat franceze. Në shtator të vitit 2018, gazeta Le Figaro kishte publikuar një artikull ku përshkruante gatishmërinë e Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të shkëmbyer territore.

Gazetarja që kishte shkruar këtë artikull, Isabelle Lasserre, ka thënë që ajo kishte qenë në kontakt me përfaqësues të Majorelle, të cilët i kishin ndihmuar që të aranzhonte një intervistë me Hashim Thaçin. Megjithatë, ajo ka insistuar që kjo kompani nuk e kishte ndikuar artikullin e saj.

Në ‘raportin e aktiviteteve’ që Majorelle ia kishte dërguar Qeverisë së Kosovës më 21 tetor 2018, ishin cituar artikujt e publikuar në mediat franceze, duke e përfshirë edhe artikullin në Le Figaro e edhe atë në Le Journal du Dimanche (të cilët po ashtu kishin publikuar një artikull rreth marrëveshjes së paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2018).

Në raportin e Majorelle Pr & Events thuhej që “ne kemi ngritur vetëdijen pozitive rreth dosjes Serbi – Kosovë në mesin e vendim-marrësve publik të Francës përmes artikujve në media me shtrirje të gjerë siç janë Le Figaro dhe Le Journal du Dimanche, të dyja këto media që lexohen nga një audiencë e gjerë”.

Raporti po ashtu i është referuar suksesit të Majorelle për të aranzhuar takime në mes të gazetarëve të profilit të lartë në Francë dhe Qëndrim Gashit. “Janë aranzhuar një numër i madh takimesh në mes të gazetarëve me ndikim nga media serioze franceze dhe Ambasadorit tuaj Qëndrim Gashit: Le Monde, Le Point, La Corix, AFP, France Inter”, thuhet në raport.

Chastand tha që atë e kishte kontaktuar Victoria Rez, një përfaqësuese e Majorelle PR & Events më 4 prill 2019, me qëllim që të aranzhonin një takim me Dhurata Hoxhën, ish-ministren e Integrimeve Evropiane.

Sipas Chastand, qëllimi zyrtar i takimit kishte qenë diskutimi rreth çështjes së liberalizimit të vizave, mirëpo takimi nuk ishte mbajtur ngase Chastand nuk i ishte përgjigjur kësaj kërkese.

Akademikut amerikan i ishte kërkuar të shkruante pozitivisht rreth shkëmbimit të territoreve

Pas publikimit të hulumtimit të parë, BIRN ka zbuluar që, siç duket, lobimi për ta paraqitur në dritë pozitive idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ishte kufizuar vetëm në mediat franceze.

Akademiku amerikan David Phillips ka deklaruar për BIRN që Presidenti Hashim Thaçi i kishte kërkuar atij që të përgatiste një studim që do ta përkrahte shkëmbimin e territoreve në vjeshtën e vitit 2018.

Phillips, që është drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Universitetit Kolumbia për Studime të të Drejtave të Njeriut dhe që ka shkruar rreth Kosovës që nga viti 1989, kishte nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës – MPJ, më 26 shkurt 2018.

Në kontratën e tij thuhet që ai duhet të ofrojë “këshilla sipas kërkesave të Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme […] për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe regjionin, duke përfshirë këshillat që lidhen me Dialogun me Serbinë”.

Phillips ka folur për BIRN më 7 qershor 2020 rreth dy kërkesave që Thaçi i kishte për të gjatë kohës që po punonte për MPJ-në. “Gjatë vjeshtës së vitit 2018, Hashimi [Thaçi] më kërkoi që të shkruaja një punim ku do të argumentoja që Gjykata Speciale është jolegjitime”, deklaroi ai. “Unë e refuzova këtë kërkesë”.

Phillips tutje tha që “ai po ashtu më kërkoi që të përgatisja një punim në përkrahje të shkëmbimit të territoreve”. “Unë nuk besoj që ndarja është në interes të Kosovës dhe kurrë nuk do të bëja diçka që nuk është në interes të Kosovës, prandaj e refuzova”.

Phillips përshkroi në detaje një udhëtim që ai dhe vajzat e tij adoleshente kishin pasur në Kosovë në mars të vitit 2019, kur familja po bënin përpjekje që të rindërtonin Bibliotekën e Mitrovicës përmes fondit të familjes Phillips. Phillips pretendon që në këtë udhëtim, Thaçi e kishte akuzuar atë se ishte shitur.

Philips ka deklaruar që “gjatë udhëtimit, i dërgova vajzat e mia binjake që ishin 15 vjeçare që ta takonin Presidentin Thaçi”. “Në sy të fëmijëve të mi, ai më akuzoi që isha i korruptuar. Ai më pyeti ‘kush të ka paguar që të kundërshtosh propozimin tim rreth shkëmbimit të territoreve? E di që jeni shitur, prej nga kanë ardhur ato para?’”

“Asnjë shumë parash nuk do të më bindte që të tradhtoj ndërgjegjen time,” ka deklaruar Phillips.

BIRN ka dërguar pyetje te Presidenti Thaçi duke kërkuar përgjigje rreth këtyre pretendimeve, por deri në kohën e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Jetlir Zyberaj, shefi i stafit të Behgjet Pacollit, ka deklaruar për BIRN që as ai e as Pacolli nuk janë në dijeni që Presidenti i Kosovës i kishte përkuar Phillipsit që të shkruante këto dy punime.

Implikimet ligjore

Si reagim ndaj hulumtimit fillestar rreth Majorelle, Tim Judah, që e mbulon Ballkanin për gazetën The Economist (e që gjithashtu është kryetar i Bordit Regjional të BIRN), ka kritikuar kompanitë e marrëdhënieve me publikun për eksploatimin e shteteve të varfra.

“Do të doja të theksoj një çështje për të gjithë liderët e Ballkanit, përgjatë gjithë viteve që kam mbuluar politikat e Ballkanit, mund të ju them që këto kompanitë e huaja të marrëdhënieve me publikun janë plotësisht të padobishme,” ka thënë Judah. “Ato do të thithin paratë tuaja dhe nuk do të prodhojnë asnjë efekt, përveç nëse jeni duke marrë ryshfet.”

Gazetari Chastand nga Le Monde pajtohet me Judah. “Agjencitë e marrëdhënieve me publikun që paguhen nga shtete të varfëra na kontaktojnë neve, jo vetëm kompanitë e paguara nga Kosova, dhe unë pajtohem me Timin, që ato nuk kanë asnjë efekt”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës beson që është një lojë më e ligë që po luhet këtu, që shkon përtej konsulencave të kompanive të marrëdhënieve me publikun për të eksploatuar vendet e varfra të Ballkanit.

Salihu beson që hulumtimi fillestar i BIRN-it rreth Majorelle, ku ish sekretari i MIE ka dëshmuar rreth presionit për ta nënshkruar kontratën me kompaninë e marrëdhënieve me publikun, potencialisht përbënë edhe vepër penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Salihu ka deklaruar që “presioni në shërbyesin civil për të nënshkruar një kontratë është penalisht e dënueshme, e kontrata për të cilën i është bërë atij presion është politikisht katastrofike dhe e pamoralshme”.

Salihu i referohet raportit të Majorelle që thotë se ka promovuar “qëndrimin e Kosovës” për “shkëmbime territoriale” si mjet për arritjen e marrëveshjes paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Neni 117 i Kodit Penal e që quhet “Tradhtia ndaj vendit” është i qartë në atë se shtetasi i Republikës së Kosovës që në cilësinë e Presidentit të shtetit, Kryeministrit apo Ministrit të Punëve të Jashtme, nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm,” thotë profesori Salihu.

Salihu tha theksuar se përkundër që kjo marrëveshje nuk është nënshkruar ende, është e qartë që janë bërë tentativë për të ndërruar kufijtë dhe shkëmbyer territoret. Salihu tutje ka shpjeguar që “ne penalistët e gjykojmë vrasjen në tentativë gati në të njëjtën mënyrë sa edhe dikë që e ka kryer vrasjen”.

Salihu ka shtuar tutje që “prandaj kushdo që angazhohet për dhënie të ndonjë pjese të territorit të Kosovës – qofshin ata ambasadorë, presidentë, ministra, kryeministra – sipas Kodit tonë Penal, mund të konsiderohen bashkëkryerës në tentativën për ta kryer aktin e tradhtisë”.

Artikulli është edituar, pasi në vend të datës 19 shtator 2018, kur është botuar në fillim ishte data 13 shtator 2018.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit