Një sasi prej 2.5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë është sekuestruar natën e kaluar në portin detar të Durrësit nga sektori i antinarkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut.
Automjeti tip Citroen ngjyrë gri, me targa AA530KZ, i drejtuar nga shtetasi Petrit Meta, i është nënshtruar kontrollit policor para imbarkimit në tragetin e linjës Durrës-Bari.
Sipas burimeve policore, informacioni paraprak i siguruar në rrugë operative për trafik narkotikësh ka rezultuar i saktë, pasi gjatë kontrollit brenda serbatorit të automjetit u gjendën 5 pako të mbështjella me natriban dhe mbishkrimin “Afganistan” në to.
Pakot ishin të mbështjellë dhe me letër alumini, brenda të cilave ndodhej lënda narkotike me peshë totale 2 kg e 586 gramë.
38-vjeçari Petrit Meta, nga Lushnja, dyshohet se ka luajtur rolin e korrierit të drogës, ndaj po hetohet për personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut ndërkombëtar të heroinës, që dyshohet se ka mbërritur nga Afganistani me destinacion tregun europian të narkotikëve.
I arrestuari për trafik narkotikësh është i martuar dhe person pa precedentë penalë./Top-Channel