Xhemati dhe autoritetet e xhamisë respektuan rregullat e miratuara për mbrojtje nga virusi, siç është distancimi, dezinfektimi i duarve dhe mbajtja e maskave
Këln/Berlin
Sot në Gjermani u fal namazi i parë i xhumasë u krye në kuadër të procesit të normalizimit në xhami, të cilat ishin të mbyllura për një kohë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Namazi në xhamitë në Gjermani u lejua nga 9 maji, edhe atë në vaktet e sabahut, drekës dhe ikindisë, duke u zbatuar rregulla të rrepta.
Pas një pushimi dhjetëjavor, sot u fal namazi i parë i xhumasë. Me kushtin e respektimit të rregullave, xhamitë u lejuan të kryejnë namazet e xhumasë, teravisë dhe Bajramit, si dhe të gjitha vaktet e tjera në mënyrë kolektive.
Besimtarët në Xhaminë Qendrore të Këlnit, e cila funksionin në kuadër të Unionit Islam Turk të Çështjeve Fetare (DITIB) me qendër në këtë qytet, sot përjetuan xhumanë e parë pas pandemisë.
Xhemati dhe autoritetet e xhamisë respektuan rregullat e miratuara për mbrojtje nga virusi, siç është distancimi, dezinfektimi i duarve dhe mbajtja e maskave.
Kazım Türkmen, kryetari i përgjithshëm i DITIB-it, tha për AA se falënderon Allahun që edhe pse në masë të kufizuar, patën mundësi ta falin namazin me xhemat.
“Falë Zotit, qytetarët tanë i respektojnë rregullat. Ata marrin maska, sixhade dhe i kushtojnë rëndësi distancës. Tashmë dy netë ne falim namazin e teravisë dhe do ta falim edhe namazin e Bajramit në kushtet e njëjta”, tha Türkmen.
Namazi i parë i xhumasë pas pauzimit prej më shumë se dy muajsh u fal edhe në disa xhami të Federatës Islame në kryeqytetin Berlin.
Megjithatë, në xhami namazi u fal nga dy herë, pasi Berlini nuk lejon tubimin e më shumë se 50 njerëzve në ritualet e përbashkëta. Po ashtu, personave që kanë shprehur dëshirë ta falin xhumanë u është dashur t’i lajmërojnë shoqatat e xhamive për t’i regjistruar emrat e tyre.
Sefa Demirhan, kryetari i Shoqatës “Xhamia Ajasofja”, deklaroi për AA se ka interesim të madh nga xhemati për ta kryer këtë adhurim në xhami.
“Është mbushur edhe lista e javës së ardhshme”, tha ai.
Duke u respektuar masat mbrojtëse, edhe në xhamitë që veprojnë brenda Federatës Islame në Berlin do të falet namazi i Bajramit, duke regjistruar emrat e tyre paraprakisht.
Ndërkaq, në xhamitë e DITIB-it në Berlin këtë javë nuk u fal namazi i xhumasë dhe nuk do të falet as ai i Bajramit.