3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pse nuk dhuroni një ditë të vjedhjeve tuaja?

Më të lexuarat

Francezët thonë: “Po të mos ishte Qeveria me kë do qeshte Franca!”. Dhe në këtë Shqipërinë tonë që drejtohet nga njeriu, i cili “mahniti Parisin e madh”, për fat të mirë e kemi një qeveri që na bën të gajasemi fare. Na duhet kjo gajasje të kalojmë më lehtë këto ditë të krizës dhe ta kujtojmë më pas si barcaletë.

Të gjithë e dëgjuam vetë kryeministrin që shpalli me bujë se për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, të krijuar nga koronavirusi COVID-19, Këshilli i Ministrave vendosi të përgjysmojë pagën e anëtarëve të tij për tre muaj.

Më tej edhe vetë Presidenti e ndau pagën më dysh. Nga një shkresë e Kuvendit të Shqipërisë mësojmë se edhe paga e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë qenka mbledhur në gjysmë për nja tre muaj.

Këtë vendim Kuvendi e ka marrë “në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekur nga masat ndaluese të koronavirusit”.

Kuvendi nuk mjaftohet me anëtarët e tij, por i bën thirrje drejtuesve të nja 30 institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj që të marrin të njëjtën nismë “si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm”.

Një shkresë njerëzore në pamje të parë, por që të bën të gajasesh aq fort, sa të dalin lot nga dëshpërimi.

Ja ta analizojmë këtë dokument të dalë nga organi përfaqësues i popullit.

Kuvendi sillet si “edukator” me institucionet e pavarura dhe të krijuara me ligj e ju bën thirrje solidarizimi krerëve të këtyre institucioneve për këtë hall që na ra.

Kuvendi sillet si “edukator i rreptë” me institucionet e pavarura dhe të krijuara me ligj, pasi jo thjesht i thërret institucionet, por i thërret duke i urdhëruar që të marrin të njëjtën nismë, siç e mori Këshilli Ministrave, Presidenti e më pas Kuvendi i Shqipërisë, e të përgjysmojnë pagat e tyre.

Jo se na dhimbsen institucionet e pavarura dhe të krijuara me ligj, pasi po deshën të jenë të pavarura ta fitojnë vetë atë të shkretë, por Kuvendi harron që në fakt është institucioni ku këta krerë raportojnë dhe japin llogari.

Kuvendi ka për detyrë të kërkojë përgjegjshmëri prej tyre. Marrëdhënia e Kuvendit me këto institucione nuk është marrëdhënie organizatash jofitimprurëse që mjetin më efektiv të punës kanë solidarizimin dhe thirrjet. Kur është fjala për solidarizim në kohë fatkeqësish ky solidarizim të vjen vetë, është vullnetar, jo me porosi shkresore.

Po të vazhdojmë më tej. Prapë nuk na del e qartë ky përgjysmimi i pagave është veprim solidariteti apo veprim në kuadër të masave kundër përhapjes së epidemisë? Shkresa na i thotë të dyja, por në fakt tjetër gjë solidariteti e tjetër gjë masa. Njëra është vullnetare e tjetra është organizative urdhëruese.

Nëse është veprim në kuadër të masave kundër përhapjes së epidemisë atëherë nuk bëhet për solidaritet me qytetarët dhe bizneset e prekura, por bëhet për solidaritet me buxhetin e virusuar nga 3P-të e shtetit shqiptar.

Sepse për tre muaj nga buxheti do të përballohet pagesa e një fondi pagash më të vogël (50%). Pra do t’i mbeten ca “cash” buxhetit ta ketë, nuk dihet për çfarë.

Sepse asnjë vendim apo shkresë nuk na e thotë që ky fond pagash, të cilin “me bujari ajka e shtetit” po ia lë buxhetit të Kryeministrit duke ia hequr buxhetit të familjes së vet, është i destinuar për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga masat për luftimin e përhapjes së epidemisë.

Por edhe logjika këtu prapë çalon. Ka ca krerë institucionesh që nuk i paguan fare buxheti i shtetit. Marrim për shembull Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, që ka pagën më të lartë ndër nëpunësit e shtetit.

Edhe nëse përgjysmon pagën e vet, të zëvendësve, të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kjo nuk i shton gjë buxhetit të shtetit. Pra kot që i kërkojnë Bankës së Shqipërisë dhe disa institucioneve të tjera të ngjashme të solidarizohen.

Sepse nëse është veprim i pastër solidariteti do të duhet të ishte krijuar mekanizmi që këto para të shkojnë drejtpërdrejtë tek grupet e identifikuara të qytetarëve apo bizneseve me nevoja urgjente.

Pra një masë e tillë nuk është solidaritet. Kjo tregon problemet e konsiderueshme që ka buxheti i shtetit, aq sa i duhet të kapet edhe pas masash të tilla për të kufizuar pagesat. Por është më shumë se kaq.

Është mjeti i pastër propagandistik që thuret rëndom në raste të tilla për të mjegulluar paaftësinë për reagim e mbështetje të menjëhershme të atyre që janë në nevojë, ndoshta për bukën e përditshme.

Vetëm se këtë herë propagandën e kanë brumosur si shumë me mentalitet komunizmi varfanjak. Me pak fjalë, atyre që janë në vështirësi dhe po bëhen më keq, i falin “gëzimin” që edhe “ajkës së shtetit” ua morën gjysmën e lekëve të rrogës. Do vuajnë dhe ata!

E tek e përdredh në mendje komunizmin me “gjysmën e rrogës së shtetarëve” të kujtohen kohërat e viteve 80 dhe aty gjen zgjidhjen.

Ra në atë mot dëborë e madhe që mbajti gjatë dhe bllokoi Veriun e Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria kishte hyrë në dekadën e fundit të komunizmit, me një ekonomi të rrënuar, u desh dhe atëherë të ndërmerreshin nisma të tilla solidarizuese “me propozim nga poshtë, e me miratim nga lart, nga Partia”.

Të gjithë falnin lekë nga rroga e tyre për të çuar ndihma për në Veri. E ndërsa çdo kolektiv e rreth raportonte para Partisë se sa lekë nga rroga ishin zotuar të jepnin, shkodranët për humor, pa ditur që kishin dhënë dhe zgjidhjen më efektive dhe ekonomike, propozuan “Nuk ka nevojë me dhënë lekë nga rroga.

Të angazhohemi të gjithë të mos vjedhim një ditë pune në ndërmarrje, uzina, kantiere e kooperativa. Ja ku dolën ndihmat”.

Kështu, të nderuar shtetarë. Angazhohuni të mos vidhni një ditë, angazhohuni që secili ministër të lërë pa vjedhur një tender në vit dhe ta zhvillojë vetëm në të mirë të publikut.

Të jeni të sigurt që paratë që do kursehen jo vetëm do të dalin për të përballuar krizën, por edhe do të teprojnë, për të dërguar disa ndihma në këtë kohë të vështirë për Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi, sepse edhe ata i kemi shumë xhan, sikurse dhe italianët.

Pra ju lutemi! Shtetarë, dhuroni një ditë të vjedhjeve tuaja./Hashtag

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit