-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Mos u ndal në gjysmën e rrugës

Më të lexuarat

Një herë e një kohë, jetonte një mbret diktator, shpirtkazmë dhe shumë i lig. I gjithë populli ishte në hall të madh prej tij, të gjithë i frikësoheshin dhe askush nuk e hapte dot gojën të denoncojë padrejtësitë.
Një ditë, mbreti vendosi të vishet si njeri i thjeshtë dhe të shëtisë në fshatra e qytete për të parë se çfarë thonë njerëzit për të, cilat janë ankesat e tyre, si jetojnë … Pasi u vesh si njeri i thjeshtë, mori rrugën. Që në kontaktet e para me njerëz, ai mbeti i befasuar me urrejtjen që gëlonte në zemrat e njerëzve kundër tij dhe njerëzve të vet. Disa e shanin, të tjerët e mallkonin, të tjerë e ironizonin dhe i kishin thurrur vjersha satirike e barcoleta nga më të ndryshmet.
Duke ndjerë se sa më shumë që takohej me njerëz, aq më shumë e urrenin dhe mallkonin, ai u kthye në pallat i zemëruar. Në mendje i erdhi një ide, sipas të cilës do i angazhonte mendjet e njerëzve me diçka tjetër përveç se të merren me mbretin. Ai porositi një elefant të madh, gjigand dhe e solli në qendrën e mbretërisë. Pasi e ushqeu mirë e mirë, urdhëroi që të lihej i lirë të bredhë nga të dojë, duke i njoftuar njerëzit se ai ishte elefanti i mbretit. Ngaqë elefanti ishte mësuar në gjendje të egër, kur u la i lirë në rrugë, mori arratinë, thyente pemë, shkatërronte mure e shtëpi, prishte ura, ulërinte, u turrej njerëzve… Të gjithë njerëzit i mbërtheu paniku nga elefanti. Tashmë u harrua fare mbreti, të gjithë merreshin me elefantin që u kallte datën të gjithëve. Një grup njerëzish, vajtën tek një burrë i mençur dhe i kërkuan një mendim.

 

Burri i mençur, pasi u mendua u tha:”Duhet të dalë një burrë trim që të shkojë tek mbreti dhe t’ia thotë në sy dëmet dhe panikun që ka shkaktuar në mesin e qytetarëve elefanti i tij.”
“E kujt ia mban që të dalë krejt i vetëm para mbretit?! Do e vrasë në vend!” thirri njëri prej tyre, fjalë të cilat u miratuan edhe nga të tjerët.
Burri i mençur u tha:”Mirë, do e bëjmë kështu. Do të shkojmë të gjithë siç jemi këtu tek mbreti. Do të dal unë para, kurse ju do të qëndroni pas meje. Kur unë të them “Lartmadhëria juaj, elefanti..” ju do të thoni menjëherë pas meje:”Ka shkatërruar shtëpitë tona”. Pastaj unë do të them përsëri:”Lartmadhëria juaj, elefanti..” ju do të thoni:”Ka shkatërruar të gjitha të mbjellat tona”. Kur unë të them për të tretën herë “Lartmadhëria juaj, elefanti…” ju thoni:”Ka tmerruar gratë dhe fëmijët tanë”.
Në këtë mënyrë, edhe unë do të shpëtoj edhe ju do të shpëtoni. Unë do të shpëtoj sepse kam përmendur vetëm fjalën “Elefant” dhe nuk e kam akuzuar për asgjë. Ndërkohë që edhe ju vetëm sa keni thënë se janë prishur shtëpitë, të mbjellat dhe janë frikësuar fëmijët e gratë.
Një ditë më pas, të gjithë kërkuan takim me mbretin dhe ai i priti. Pasi dolën para tij, e përshëndetën dhe burri i mençur doli para mbretit dhe i tha:”Lartmadhëria jua, elefanti..”
Por asnjëri nga të pranishmit, nga ata me të cilët kishte rënë dakord, nuk foli. I zënë ngushtë, ai thirri dhe një herë:” Lartmadhëria jua, elefanti..”
Sërish askush nuk pipëtinte. Ai ktheu kokën pas dhe u rrudhi buzat, sikur tu thoshte:”Hë more flisni se do të më merrni në qafë!”
Pastaj tha për të tretën herë:” Lartmadhëria jua, elefanti..”
Por edhe këtë herë, nuk foli kush.
Këtu, mbreti brofi në këmbë i nervozuar dhe i tha:”Elefanti, elefanti… Hë more fol, çfarë ka bërë elefanti!”
Burri i mençur e kuptoi që njerëzit e lanë në baltë. I zënë ngushtë, ai i tha mbretit:”Puna e elefantit, është e tillë lartëmadhëria juaj: Mendoj se ai ndihet krejt i vetmuar, pasi është elefanti i vetëm në të gjithë mbretërinë. Propozoj që të sillni dhe nja katër pesë elefantë të tjerë që ti bëjën shoqëri dhe të mos e lënë të vuajë.”
Mbretit i pëlqeu kjo ide dhe tha:”Ide brilante! Do të urdhëroj të sjellin dhe pesë elefantë të tjerë.”

 

Burri i mençur u hodhi një vështrim përfaqësisë me të cilët kishte ardhur dhe u tha:”Ky është shpërblimi i atyre që hedhin hapa drejt ndryshimit, pastaj bëhen pishman në gjysmë të rrugës.”

Marrë nga Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit