3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kur qeveritarët e vrasin krenarinë në zemrat e njerëzve

Më të lexuarat

Një sundimtar kishte vërejtur se njerëzit, në shtetin që ai e sundonte, ishin plotësisht të përulur dhe të nënshtruar, dhe ata kurrë nuk po kundërshtonin apo protestonin, pa marrë parasysh se çka ju ndodhte atyre apo çfarëdo zullumi që ju bëhej. Për këtë arsye, ai e thirri ministrin e tij dhe i shpjegoi se po ndjente një shqetësim në gjoks, për shkak të bindjes skllavëruese të njerëzve, dhe se, ai dëshironte që njerëzit të shfaqnin më shumë krenari dhe dinjitet, më shumë frymë çlirimtare dhe, të paktën një herë, të dilnin në protesta dhe të rebeloheshin kundër cilësdo forme të shtypjes, nëse jo për arsye tjetër, të paktën, që bota të shihte se në vendin e tij ka demokraci.

Ministri propozoi që të ushtrohej presion shtesë mbi njerëzit, në mënyrë që ata të fillojnë të rebelohen dhe të ankohen. Ai, gjithashtu, e propozoi edhe mënyrën e atij presioni. Presioni shtesë ishte, që shteti të vendoste taksa të larta për të kaluar mbi urën më të rëndësishme, të cilën njerëzit më shumë e përdornin. Mirëpo, njerëzit pa asnjë rebelim u pajtuan me taksat e reja dhe iu bindën vendimit të sundimtarit.

Sundimtari u tërbua nga sjellja e tillë e njerëzve dhe, ministrin e kërcënoi me largim nga puna, nëse nuk do ta zgjidhte atë problem, megjithëse ishte i vetëdijshëm se, vetë ai ishte që e kishte vrarë krenarinë në zemrat e njerëzve.

Ministri, nga frika e largimit nga puna, e kaloi natën pa gjumë, duke menduar diçka të frikshme, që mund t’ua bënte njerëzve, në mënyrë që ata më në fund të shfaqnin ndjenjat e tyre dhe të rebeloheshin kundër zullumit. Në fund, ai i urdhëroi forcat e sigurisë, që ta caktonin një zyrtar policor, i cili do të qëndronte pranë urës, dhe do ta godiste me shkop në qafë, çdo njeri që do ta kalonte urën.

Dhe menjëherë filloi me zbatimin e planit të tij. Kolona të njerëzve pritnin që zyrtari policor t’i godiste në qafë para se ta kalonin urën. Ministri erdhi personalisht për ta parë reagimin e njerëzve. Dhe ishte gati duke u çmendur nga inati, kur pa se njerëzit po i përballonin me qetësi goditjet dhe, në kolona të gjata, po pritnin me durim që tu vinte radha për ta kaluar urën.

Megjithatë, pas një kohe të gjatë, ai e dëgjoi zërin e një njeriu, i cili po ankohej për këtë gjendje, duke bërtitur: ‘Kjo është e papranueshme! Kjo është çnjerëzore!’

Ministri ndjeu gëzim dhe kënaqësi të papërshkrueshme. Më në fund u paraqit një qytetar krenar, i cili e ngriti zërin kundër zullumit. Ai urdhëroi që menjëherë t’ia sillnin atë person, që të fliste me të.

Kur njeriu u soll para ministrit, ai i përsëriti fjalët e tij: ‘Kjo është e papranueshme! Ne jemi duke u vonuar në punët tona për shkak të kësaj procedure!’

Ministri, shumë i lumtur, tha: ‘E shkëlqyeshme, çka po sugjeroni që të bëjmë?’

Njeriu me një ton shumë ‘revolucionar’, u përgjigj: ‘Unë propozoj, që qeveria të caktojë më shumë zyrtarë policorë për t’i goditur njerëzit me shkopinjtë e tyre në qafë, në mënyrë që më shpejtë ta kalojnë urën dhe të mos vonohen për punë!’

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit