Ministra të brendshëm dhe të jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore do të mblidhen në një samit në Vjenë, të premten, më 20 mars.
Në samitin e titulluar “Të luftojmë xhihadizmin bashkërisht”, ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të Austrisë, Johanna Mikl-Leitner dhe Sebastian Kurz, në konferencën njëditore, do të jenë nikoqirë të homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor dhe Italia, me të cilët do të dalin me një deklaratë për qasje të përbashkët në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Në konferencën e Vjenës do të jenë të pranishëm ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni, homologët e tyre nga Shqipëria, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, sekretarët e shtetit për Punë të Brendshme dhe të Jashtme të Sllovenisë, Bostjan Sefic dhe Bogdan Benko, ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm të Kroacisë, Ranko Ostojic dhe Josko Klisovic, ata të Malit të Zi, Rasko Konjevic dhe Vladimir Radulovic, të Maqedonisë Gordana Jankuloska dhe Nikola Poposki, nga Bosnje e Hercegovina, Mladen Cavar dhe Zlatko Lagumdzija, si dhe ata të Serbisë, Nebojsa Stefanovic dhe Ivica Dacic.
Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe koordinatori i BE-së për luftën kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove, drejtori i Agjencisë së BE-së për të drejtat themelore, Morten Kjaerum, si dhe zëvendësdrejtori i Europol-it, Oldrich Martinu.
Qëllimi i samitit është që të gjithë ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të Austrisë, Italisë dhe të Ballkanit Perëndimor të ngrisin zërin ndaj problemeve në Ballkanin Perëndimor, si rrugë kyçe transiti dhe si një hapësirë rekrutimi e terroristëve që marrin pjesë në luftëra të huaja, njofton agjencia austriake APA. /KP/