-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si ta zvogëloni varësinë nga kafja

Më të lexuarat

Nuk ka asgjë të keqe në kafe, por nëse mendoni që jeni duke e tepruar pak, ju sjellim disa nga këshillat si të zvogëloni varësinë pa pasur nevojë të ballafaqoheni me ndjenjën e zemërimit, lodhjes dhe madje edhe dhimbjes së kokës.

Reduktoni gradualisht

“Nëse pini shumë kafe, ndoshta duhet ta zvogëloni sasinë gradualisht”, thotë Keri Gans, autore e librit “The Small Change Diet”. Kjo duhet të ndihmojë të lehtësohet intensiteti i simptomave si pasojë e heqjes dorë nga kafja dhe t’ju japë kohë të zhvilloni shprehitë e reja që do të zëvendësojnë të vjetrat. “Shprehitë e reja nuk krijohen brenda natës”, thotë Gans. Por sa shpejt do të arrini të hiqni dorë nga kafeina dhe sa gjatë do të zgjasë për fillim varet edhe nga ajo se sa pini. Kini parasysh që kafeinën mund ta merrni edhe prej burimeve tjera, si çokollata.

Gjeni pije tjetër

Një nga gjërat e para që këshillon Gans është ta zëvendësoni kafenë me pije tjetër, madje edhe me kafe pa kafeinë. Kafja pa kafeinë është pije e mirë zëvendësuese dhe njëkohësisht mënyrë e heqjes dorë nga kafja e zakonshme. Po ashtu mund të provoni edhe ndonjë pije tjetër të ngrohtë si çaji bimor.

Pini më shumë ujë

Konsumimi më i madh i ujit është një mënyrë tjetër e shkëlqyeshme e detoksimit. Keri Gans po ashtu thotë që shumë të varur nga kafeina kanë thënë që hidratimi i ka ndihmuar të mbesin të fokusuar derisa kanë hequr dorë nga kafeina. Vështirësitë në të qëndruarit vigjilent apo të zgjuar dhe problemet me koncentrim janë simptomat kryesore të heqjes dorë nga kafeina, sipas një hulumtimi të kohëve të fundit.

Përfshini ushtrimet

Ushtrimet janë po ashtu stimulans, ndoshta edhe më i madh se kafeina. Kështu aktiviteti fizik është mënyrë e sigurt për luftën kundër lodhjes, si dhe nervozes si pasojë e mungesës së kafes. “Energjinë thjesht e merrni me ushtrimet që lirojnë endorfinë”, thotë Gans. Endorfinet janë neurotransmiterë që kanë efektin e morfinës, shfaqen në trurin tonë gjatë aktiviteteve trupore dhe gjatë marrjes me aktivitete e tjera që na kënaqin, na relaksojnë dhe krijojnë ndjenjën e lumturisë.

Hani ushqim më të shëndetshëm

Me ushqim të shëndetshëm po ashtu mund të luftohet kundër lodhjes. Rregulli themelor? Qëndroni larg sheqerit të rafinuar dhe ushqimit të shpejtë të yndyrshëm. “Jepini karburant trupit tuaj, por jo përmes ushqimit të rëndë i cili është i pasur me yndyra”, këshillon Gans. Ushqimi i tillë vetëm do t’iu bëjë më të përgjumur. Në vend të kësaj, përcaktohuni për karbohidrate të pasura me fibra si drithërat e papërpunuara dhe pemët dhe perimet. “Ushqimi është burim i energjisë. Duhet të jeni të sigurt që keni siguruar sasitë adekuate”.

Konsumoni shujta të rregullta

Kjo do të thotë që të mos lejoni që “rezervuari” të mbetet i zbrazët më shumë se katër orë. Kështu do ta largoni lodhjen dhe plogështinë e përgjithshme. Veçanërisht e rëndësishme është që të mos e kapërceni mëngjesin. Fillojeni ditën me proteina dhe fibra si me drithërat e tërshërës, të bardhtë e vezëve, pemët etj.

Flini

Sasitë e mëdha të kafeinës mund të jenë të lidhura edhe me gjumin e pamjaftueshëm. Pasi që kafja ka veçori stimuluese, është normale që do të ndieni lodhje për shkak të mungesës së saj. Arma më e mirë kundër kësaj është pikërisht gjumi. Duhet të gjeni burime tjera të energjisë, ndërsa burimi i parë dhe më i rëndësishëm është pushimi i parë gjatë natës. Për ta siguruar, shmangni dremitjen gjatë ditës, ushtroni rregullisht dhe çdo natë shkoni në shtrat në kohë të njëjtë apo të ngjashme.

Relaksohuni dhe kënaquni

Joga, meditimi, masazhi dhe teknikat tjera të relaksimit mund të shërbejnë për shumë qëllime. Do të ndihmojnë te nervozizmi dhe problemet me koncentrim të cilat janë të lidhura me mungesën e kafeinës. “Nëse e konsideroni relaksues qëndrimin ulur duke pirë një filxhan kafe, kërkoni diçka tjetër që mund t’ju relaksojë”, këshillon Bethany Thayer, drejtoreshë e wellness programit. “Kjo diçka tjetër mund të jenë një orë jogë ose vetëm pesë minuta qëndrim në qetësi dhe heshtje”./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit