-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ish-ambasadori izraelit në Turqi: ju tregoj Erdoganin, suksesin e tij, dhe pse s’ka grusht shteti që e rrëzon

Më të lexuarat

Ish-ambasadori izraelit në Ankara, Pinchas Avivi tha se ardhja në pushtet e Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2003 ishte një surprizë e plotë për Izraelin, i cili priste që ushtria turke ta heqë atë shumë shpejt.

Gazeta izraelite Maariv ka botuar një analizë interesante të qëndrimit të Izraelit ndaj ardhjes dhe qëndrimit të Erdogan në pushtet.

“Nëse Ataturku ishte një reformator i shkëlqyeshëm në aspektet që na pëlqyen, Erdogan është një reformator i shkëlqyeshëm në drejtim të kundërt … Qëllimi i parë i Erdogan ishte të ndryshojë Turqinë dhe të fshijë Kemalizmin. Ka dy miliona njerëz që janë lënduar keq nga Ataturku – kurdët dhe besimtarët, dhe Erdogan i përket rrethit fetar. Në kohë të tij, besimtarëve nuk u lejohej të ishin në politikën turke”, thotë Dr. Alon Liel, një ish-diplomat izraelit.

“Erdogan nuk është një figurë një-dimensionale”, shpjegon Dr. Liel. “Ai nga ana tjetër është ekonomist me profesion dhe ka qenë një kryebashkiak(i Stambollit) i shkëlqyeshëm që bashkëpunonte me biznesin dhe bashkësinë ndërkombëtare. Unë jam i gatshëm t’ju jap numrat e telefonit të liderëve të shquar të komunitetit hebre në Turqi, e ata do t’ju tregojnë se Erdogan, si kryetar bashkie, ishte më i miri që takuan”.

Në Turqi, ata nuk e kanë harruar periudhën mbresëlënëse të Erdoganit në Stamboll. Qyteti ishte i ngarkuar me borxhe të rënda, ai zgjidhi deficitin e tij buxhetor dhe solli shumë investitorë. Në dhjetor 2002, u vendos që të anulohen rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi për shkak të asaj që atëherë përcaktohej si parregullsi në procedurë, me zgjedhjet e reja të caktuara për marsin 2003. Ndryshimi në ligjin zgjedhor e ktheu Erdoganin në lojën politike. Dhe në kundërshtim me parashikimet, Erdogan u zgjodh kryeministër.

“Unë isha një ambasador në vitet e para të ardhjes në pushtet. Ishte një surprizë e plotë për Izraelin”, pohon ish-ambasadori izraelit në Turqi, Pinchas Avivi.

“Pas Revolucionit të Ataturkut, sa herë që një kandidat fetar përpiqej të vinte në pushtet, ushtria merrej me të në mënyrë efektive. Askush nuk e priste që Erdogan të kishte sukses”, thotë ish*ambasadori Avivi, duke shtuar më poshtë.

“Në atë kohë, Izraeli po ndiqte atë që po ndodhte në Turqi, veçanërisht Erdoganin. Ishte e qartë që nga fillimi se kryeministri i devotshëm musliman do të ishte më simpatik ndaj fqinjëve tanë palestinezë “. Avivi përshkruan se si Erdogan vizitoi Izraelin në 2005 kur ushtria izraelite u largua nga Gaza. “Ai erdhi me një delegacion prej dyqind personash, ata mbërritën në dy aeroplanë. Ai u përpoq ta prezantonte veten si udhëheqësin e botës muslimane”.

Dr Liel, i cili ishte atëherë me Zyrën e Jashtme, kujton vizitën e Erdoganit në Izrael. “Kur arriti, ai tha: ‘Ne nuk jemi miq! Ne nuk kemi ardhur të përqafohemi me ju, por tërheqja nga Gaza është një gjë e madhe, dhe nëse largoheni nga Bregu Perëndimor, vetëm qielli është kufiri. Kam marrë pjesë në disa nga ato biseda”, thotë Dr. Liel.

Maariv shprehet në analizën e tij se dihej pak për forcën e vërtetë të udhëheqësit turk gjatë viteve të para të sundimit të tij. Pothuajse pesë vjet pas zgjedhjes së tij, në mediat turke u ngritën dyshime për aftësinë e tij, pasi nuk u vërejtën ndryshime të mëdha.

“Erdogan bëri ndryshime të mëdha vetëm pasi morri nën kontroll sistemin e plotë … Nëse e krahasoni me Mohamed Morsi në Egjipt, do të zbuloni se Morsi u përpoq të arrinte atë që bëri Erdogan në 15 vjet në një vit. Erdogan ishte i nxitur nga maturia e tij. Ai ndërtoi vendin gradualisht, e kjo është arsyeja pse ai tërhoqi njerëz të biznesit”, thotë Dr. Leil.

Nga ana tjetër, Dr. Galia Lindenstrauss, një bashkëpunëtore e lartë kërkimore në Institutin INSS për Sigurinë Kombëtare, thotë se e sheh Erdoganin si një pragmatist të shkëlqyeshëm ekonomik, kjo është arsyeja pse ai ka mbajtur lidhje të mira me Izraelin. “Ne po flasim për 6 miliardë dollarë në tregti të ndërsjelltë, nga të cilat 4 miliardë dollarë eksportohen nga Turqia në Izrael. Viti i fundit që u afruam me këtë shifër ishte viti 2014. Ne shohim që Erdogan tregon pragmatizëm në çështjet ekonomike”.

Po në lidhje me përpjekjet e përsëritura për një grusht shteti ushtarak dhe rrëzimin e Erdoganit?

“Në Izrael, gjithmonë kanë thënë se do të ketë një grusht shteti ushtarak, dhe unë do të thoja që një grusht shteti ushtarak nuk do të ishte i mundur”, tha Dr. Liel në fund të analizës. “Erdogan gëzon besimin e plotë të ushtrisë, policisë dhe institucioneve turke sot. Ai nuk mund të rrëzohet dhe do të mbetet president deri në vitin 2023, në 100-vjetorin e republikës. Në çdo rast, deri atëherë, Erdogan do të mbetet imun ndaj çdo grushti i shtetit”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit