Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se teksa emigracioni në Evropë është rritur vitet e fundit dhe do të vazhdojë të rritet, vendi i tij nuk mund t’i pranojë “të gjithë”.
Duke folur në stacionin radiofonik ‘Europe 1’ në New York, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Macron tha se kërkesat për azil në Francë janë rritur ndjeshëm që kur ai erdhi në pushtet në vitin 2017 dhe se bashkëpunimi midis vendeve evropiane për këtë çështje nuk është i mjaftueshëm.
“Nëse Franca dëshiron t’i mirëpresë ata mirë, nuk mund t’i pranojë të gjithë,” tha Macron, duke iu referuar përfitimeve nga shteti.
Macron tha se ai kishte premtuar se do t’i mirëpresë “denjësisht” migrantët.
“Bëra një premtim për këtë çështje në korrik të vitit 2017, por nuk ishim në gjendje ta mbanim këtë premtim”, tha ai.
Macron tha se Evropës i duhet politikë dhe parime të përbashkëta për azilin dhe migracionin.
Ai shtoi se migrantëve që u nevojitet mbrojtje duhet t’u jepet përparësi, por ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme dhe nuk kanë të drejtë për azil duhet të kthehen./AA