Gjashtë anëtarë të së njëjtës familje në Nepal gjetën vdekjen, ndërsa 16 persona të tjerë u shtruan në spital, pasi hëngrën bukë të përgatitur me grurë i cili ishte trajtuar me pesticide.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Pukun, qytezë në distriktin qendror të Dhading dhe viktimat janë një burrë 60 vjeç, kunata e tij 24 vjeç dhe katër fëmijë nga 2 deri në 7 vjeç.
Burri kishte çuar për të bluar në një mulli një thes me grurë të trajtuar me pesticide, duke lënë një pjesë të miellit si pagesë për shërbimin.
Në kthimin e tij, me miellin e bluar u përgatit bukë për gjithë familjen.
Efekti ishte i menjëhershëm, sidomos tek fëmijët ku dy prej tyre gjetën vdekjen menjëherë. Edhe mullixhiu me familjen e tij u dërguan në spital, për shkak se kishin përdorur miellin dhe kishin simptoma helmimi./NOA/