Forcat izraelite shkatërruan një xhami në ndërtim e sipër dhe një shtëpi në qytetin El Halil (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar me pretendimin se ishin ndërtime pa leje.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, rrënimi i “Xhamisë së Umetit” dhe shtëpisë ka ndodhur në rajonin Jebel-Jawar në jug të qytetit El Halil.
Duke folur për agjencinë WAFA, zyrtarët palestinezë thanë se autoritetet izraelite nuk kanë dërguar asnjë paralajmërim para rrënimit të xhamisë.
Zyrtarët palestinezë kanë reaguar ndaj këtij akti, të cilin e kanë quajtur si sulm dhe provokim ndaj vendeve të shenjtë të muslimanëve.
Autoritetet izraelite pohuan se xhamia e rrënuar gjendej në zonën C dhe se ishte pa leje ndërtimi.
– Qeveria izraelite rrënon ndërtimet e palestinezëve
Nën pretendime të ndryshme, Izraeli vazhdimisht ka rrënuar shtëpitë dhe ndërtimet e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, rajone të cilat i mban të pushtuara nga viti 1967.
Burimet lokale thonë se vetëm vitin e kaluar, Izraeli rrënoi 538 shtëpi dhe biznese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor me pretendimin se ishin pa leje ose gjendeshin në zonën C.
Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.
Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë./AA