Gazetari e analisti ekstremist shqiptar, Kastriot Myftaraj, përmes një shkrimi të postuar në llogarinë e tij Facebook, ka reaguar ndaj Drejtorisë së Antiterritor në Policinë e Shtetit, të cilët janë në kërkim të dy radikalëve fetar të ngarkuar me veprën penale “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve”, pasi të njëjtit ofenduan myslimanët nga Kosova dhe Maqedonia të cilët shkojnë për pushime në bregdetin shqiptarë.
Myftaraj ka thënë se dy katolikë të Shqipërisë, janë viktima të video-provokimit të islamikëve kosovarë antikombëtarë, derisa çdo gjë e quan të qëllimshme dhe montazh nga ana e autorit të videos.
Ky është postimi i tij i plotë:
Pas publikimit të tre videove nga gazeta kosovare “Insajderi”, ku shfaqen dy shtetas të Shqipërisë, duke shprehur disa mendime për muslimanët e Kosovës dhe të Maqedonisë, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit njoftoi se i kishte shpallur në kërkim të dy personat e shfaqur në video dhe se ia kishte referuar materialet Prokurorive të rretheve gjyqësore Shkodër dhe Lezhë, duke iu ngarkuar veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal.
Nga analiza e përmbajtjes së videove, me kohëzgjatje 18, 9 dhe 11 sekonda, kuptohet se jo vetëm që dy personat që shfaqen atje, Anton Zefi dhe Luigj Marku, nuk kanë kryer veprën penale që u ngarkohet, por madje është stafi i gazetës “Insajder” dhe autori i videoregjistrimit që kanë kryer vepra penale. Të qartësoj që në fillim një gjë, atë se fjalët e rënda, madje shumë të rënda, të thëna, nuk përbëjnë vepër penale thjesht sepse janë thënë, por kërkohet një tërësi elementësh që të ekzistojë vepra penale. Nuk po them figura e veprës penale sepse është një kategori që nuk përfshihet më në ligjin tonë penal.
Nga njoftimi i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, kuptohet qartë se janë bërë shkelje të rënda proceduriale nga oficerët e policisë gjyqësore të atashuar pranë kësaj drejtorie. Kjo del qartë që në rreshtat e parë të njoftimit, ku thuhet:
“Nisur nga disa publikime në datën 12.08.2019 në media elektronike dhe konkretisht në portalin ‘Insajderi’ ku shkruhet se: ‘Dy radikal fetar katolik nga Shqipëria, përmes disa videove të cilat janë ardhur në redaksinë e Gazetës Insajderi, dëgjohen duke ofenduar myslimanët nga Kosova dhe Maqedonia të cilët shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar’, ju informojmë se: Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet. Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes.”
Shkelja e parë shumë amatore, prandaj edhe shumë e rëndë për një drejtori të specializuar policore, siç është ajo e Antiterrorit, është se ajo me të ardhur në dijeni për publikimet e “Insajderit” ka vepruar vetëm për të identifikuar personat e paraqitur në videot. Por nuk kanë vepruar që me anë të Policisë së Kosovës të sekuestrojnë videot e “Insajderit” dhe të marrin në pyetje stafin e gazetës për burimin e tyre. Sepse për zbulimin e së vërtetës së kësaj çështjeje ka shumë rëndësi se kush i ka bërë videot.
Së dyti, Policia e Shqipërisë duhet t’ i kishte kërkuar asaj të Kosovës që të merrte në pyetje autorin e videos sipas informatave të “Insajderit”. Autorit të videos duhej t’ i sekuestrohej për nevojat e hetimit aparati me të cilin e bëri videoregjistrimin. Nëse “Insajderi” thotë se nuk e njeh autorin e videos, dhe se ia kanë dërguar në internet, duhet të tregojë adresën se nga i ka ardhur. Nëse autori i videos fshihet kjo ngre dyshime të mëdha mbi këtë çështje. Përse fshihet ai? Në një proces gjyqësor ai duhet të jetë dëshmitar, kaq gjë duhet ta dijë. A ka marrë garanci ai se do ta lenë mënjanë? Drejtoria e Antiterrorit ka vepruar në mënyrë të njëanshme, me synimin paraprak për t’ i fajësuar personat që shfaqen në video dhe duke mos kryer hetimet paraprake të nevojshme.
Drejtoria e Antiterrorit ka oficerë të policisë gjyqësore që janë juristë me përvojë. Në këtë çështje ka së paku dy oficerë të policisë gjyqësore të atashuar pranë kësaj Drejtorie. Nga fjalët që kanë përdorur në njoftim, e kuptoj mirë hallin e tyre juridik dhe e marr me mend se kush e ka nderin e dyshimtë të kësaj shpikjeje. Zotërinjtë juristë të Antiterrorit e dinë mirë se që të qëndrojë kjo çështje, pra që të ekzistojë fakti penal, varet shumë nga rrethanat e faktit.
Dhe këtu vijmë te shkelja e tretë shumë e rëndë. Nga videot e publikuara, duket që fjalët janë thënë në një mjedis të mbyllur, në një dhomë, pra bëhet fjalë për një bisedë private. Prandaj nuk mund të ekzistojë vepra penale e parashikuar nga neni 265, i cili është formuluar në atë mënyre që kërkohet që fjalët t’ i drejtohen më së paku një auditori publik. Madje edhe një bisedë e bërë në një tryezë në një kafeteri nuk mund të quhet me auditor publik, nëse biseda mbetet në kufijtë e tryezës. Duhet që folësi t’ u drejtohet me qëllim të pranishmëve në kafeteri që të kapërcehet kufiri i bisedës private. Nëse do të penalizohen bisedat private me nenin 265, atëherë do të na duhen edhe njëqind burgje të rinj për të mbajtur të burgosurit dhe vështirë se mjaftojnë edhe aq. Juristët e Antiterrorit e dijnë mirë këtë, prandaj i quajnë Zefin dhe Markun si “komentues”, të cilët kanë bërë “komente”. Komentues të çfarë gjëje? Del se dikush tjetër ka bërë një deklaratë e cila pastaj është komentuar nga dy personat që shfaqen në video.
Duke i quajtur Zefin dhe Markun komentues që kanë bërë komente, Drejtoria e Antiterrorit ka pohuar se videot e publikuara shfaqin vetëm një pjesë të ngjarjes, atë që ka dashur “Insajderi” dhe autori i videos. Por nuk është publikuar pjesa tjetër ku dikush nga bashkëbiseduesit ka bërë deklaratën e cila ka nxitur komentet e Zefit dhe Markut. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë një tekst xhihadist antikatolik. Sepse Zefi dhe Marku duken shumë të nervozuar në video dhe pas të gjitha gjasave thonë, të provokuar, gjëra që nuk do t’ i kishin thënë, së paku jo në terma kaq të skajshme, nëse do të kishin qenë në gjendje të qetë.
Nga mënyra sesi shprehen Zefi dhe Marku në video kuptohet se ata janë të përfshirë në një debat me së paku një person tjetër ose disa persona, të pranishëm, njëri prej të cilëve është autori i videos. Ky person, ose këta persona janë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë ose nga të dyja këto vende. Çka të bën veçanërisht përshtypje është se në asnjë nga tre videot nuk jepen fjalët e pjesëmarrësve të tjerë në debat, as fytyrat e tyre. E pra, janë ato fjalë që kanë nxitur komentet e Zefit dhe Markut.
Të gjitha këto më bëjnë të dyshoj se kanë qenë islamikë shqipfolës të Kosovës ose të Maqedonisë, ose nga të dy këto vende, ata të cilët kanë përdorur një metodë provokuese që e e kanë përdorur disa herë ndaj meje islamikët e këtushëm. Vite më parë, mua më ka ndodhur një herë që të më ndalin në rrugë islamikë, të cilët ruajnë në dukje sjellje korrekte si fillim, madje të shoqëruar edhe me fëmijë për t’ u dukur paqësorë, dhe pas një përshëndetjeje thonë kumtin e tyre, diçka të tillë si: “Po vjen Kurban Bajrami, a do të bësh kurban? Kurban i madh do të bëhet kur të vijë dita e Khalifatit Europian që do të sundojë Europën dhe Shqipërinë. Kurbanë do të bëhen jo kafshët por ata që janë më keq se kafshët, të krishterë, hebrenj, laikë; do t’ u bjerë koka nën shpatën e drejtësisë së Allahut.”
Në çdo rast biseda videoregjistrohet pa dijeninë time, këtë e kam kuptuar. Qëllimi është që të më nxirren mua deklarata të dhunshme dhe pastaj videoja të shpërndahet duke u paraqitur sikur unë kam mbajtur ndonjë fjalim në publik. Kuptohet që do të kujdeseshin ta prisnin pjesën me fjalët e tyre.
Kam përshtypjen se një skenar i ngjashëm provokues është zbatuar edhe ndaj Zefit dhe Markut. Kur njerëzit e thjeshtë provokohen ata nuk dijnë të përmbahen, kjo është një gjë e njohur. Zefi dhe Marku mund t’ i kenë vërtet ato mendime që kanë shprehur, por që thëniet e tyre të përbëjnë krim sipas nenit 265 duhet ekzistenca e faktit penal. Në rastin konkret, me të dhënat që kanë dalë, mund të thuhet se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, prandaj çështja penale nuk duhet të kishte nisur dhe pasi ka nisur duhet të pushohet. (Neni 328 i Kodit të Procedurës Penale)
Asnjë nen i Kodit Penal nuk parashikon si vepra penale të asnjë lloji bisedat private me përmbajtje urrejtjeje, përveçse kur ato kanë synim rekrutimi për vepra terroriste, çka nuk është rasti.
Ajo që paraqitet në një njoftim zyrtar si Drejtoria e Antiterrorit, duhet të kujtohet se emërtimi i saj zyrtar është Drejtoria e Hetimit dhe Parandalimit të Akteve Terroriste, pra ka detyrim që të bëjë hetime para se të marrë vendime. Dhe nëse do të kishte hetuar para se të shenjonte fajtorët, do të kishte zbuluar skenarin xhihadist. (Xhihadi bëhet edhe me propagandë)
Përveç sa më sipër, videon nuk e kanë bërë dhe as e kanë përhapur Zefi dhe Marku, por bashkëbiseduesit e tyre, të cilët ia kanë dërguar videon gazetës “Insajder”. Bashkëbiseduesit janë padyshim shqiptarë të Kosovës ose të Maqedonisë.
Një gjë tjetër që më bën përshtypje në njoftimin e Policisë është se nuk thuhet kur ka ndodhur ngjarja. As “Insajderi” nuk thotë se kur ka ndodhur ngjarja. E çuditshme që një media e specializuar në hulumtime si “Insajderi” i shpërfill të gjitha këto gjëra elementare të hulumtimit. Merret vesh, “Insajderi” është pjesë e skenarit të ndyrë antikatolik. Me mënyrën sesi ka vepruar “Insajderi”, jo vetëm që duhet t’ u paguajë një dëmshpërblim të mirë financiar dy qytetarëve të Shqipërisë, por Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi, përkatësisht drejtori dhe kryeredaktori duhet t’ i mbajnë goxha vite burgu në Shqipëri sepse skenare të tilla nuk kanë lidhje me gazetarinë.
Qëllimi i provokimit të “Insajderit” është Antikatolicizmi. “Insajderi” është se i quan të dy personat e paraqitur në video, radikalë katolikë. Ndonëse këta janë katolikë, gjë që kuptohet lehtë nga emrat e tyre, ata nuk përdorën asnjë formulë fetare për të treguar se radikalizmi i tyre ishte me prejardhje të krishtere dhe katolike. Një njeri me emër musliman quhet radikal musliman sepse përdor formulën “Allahu Akbar”.
Është e turpshme që edhe Radio Televizioni Publik Shqiptar e jep lajmin duke i quajtur Zefin dhe Markun radikalë katolikë.
Është e habitshme dhe indinjuese që për ngjarjen nuk reagon Kisha Katolike e Shqipërisë, drejtuesit e saj, Konferenca Ipeshkvnore dhe kryetari i saj. Ku është prifti gazetar Dom Gjergj Meta? Është gabim i madh që Kisha Katolike e Shqipërisë të heshtë kur dy katolikë bëhen viktima të skenareve të tilla dhe të shpifet për radikalizëm katolik. Nëse heshtin në emër të ruajtjes së bashkëjetesës fetare është për të ardhur keq. Të mbetur pa mbrojtje dhe të kërcënuar në zyrat policore, Anton Zefi dhe Luigj Marku mund të pohojnë një krim që nuk e kanë kryer aspak. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë.
Avokatët e Zefit dhe Markut duhet të bëjnë kallzime penale ndaj gazetës “Insajder” (në Shqipëri, jo në Kosovë), si dhe ndaj oficerëve të policisë gjyqësore të Drejtorisë së Antiterrorit që kanë marrë vendim për arrestimin e tyre, si dhe ndaj autorit të videos. Është detyrë e posaçme e Ministrit të Punëve të Brendshme Sandër Lleshi, them e posaçme si katolik që është, të urdhërojë të hetohet se si ka ndodhur që janë përzier disa oficerë të Antiterrorit në këtë histori. Për mendimin tim shkaku i sjelljes së oficerëve të Antiterrorit ka të bëjë me ndikimin e fortë turk ndaj tyre. Qëkurse u krijua kjo Drejtori në 2014 dhe deri më sot ka qenë nën kujdestarinë e homologes turke. Turqit sigurisht që dijnë si t’ i joshin dhe t’ i bëjnë për vete disa nga njerëzit e Antiterrorit të Shqipërisë, duke iu kërkuar ndonjë shpërblim të vogël, si disa koka katolike që ata ua sjellin te hanxhari me anë të provokatorëve të tyre islamikë kosovarë. Nuk ka shpjegim tjetër për sjelljen aspak profesionale të oficerëve të Antiterrorit në çështjen në fjalë.