-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ekologjia nga prizmi i sunnetit

Më të lexuarat

“Ai që përmend Allahun, që mënjanon një gur, një dru ose një asht nga
rruga ku ecin njerëzit, ai e zhvendos veten nga zjarri.” (Sujuti)
Nga Doc. Dr. Faredin Ebibi

Më në fund, Allahu e zbardhi çehren e vendit tonë me reshje të dëborës, e cila sadopak e pastroi ajrin e ndotur që kishte ngufatur ditë të tëra shumë qytete të vendit. Mbi të gjitha, i gëzoi fëmijët dhe ambientit i dhuroi një pamje të bukur.

HYRJE

Në vazhdim, dëshiroj të vë në pah vizionin e Sunnetit të Muhamed Mustafasë [sal-lallahu alejhi vese-l-em] lidhur me ambientin e pastër ekologjik. Tekstet hyjnore (nga Kurani dhe Sunneti) që do të prezantohen në vazhdim, shërbejnë si dëshmi për kontributin e dhënë dhe investimin e Sunnetit në mbrojtje të ambientit jetësor. Pavarësisht skepticizmit dhe tendencës së forcave të caktuara për të hedhur pluhur mbi vlerat islame. Mesazhi islam vazhdon të trasojë rrugën e drejtë, duke afruar zgjidhje për të gjitha çështjet e jetës. Struktura e saj unikate nuk ka të bëjë vetëm me sferën rituale (ashtu siç përpiqet dikush ta paraqet Islamin), por ofron zgjidhje për t’u ballafaquar me sfida në të gjitha poret e jetës. Parim gjithëpërfshirës dhe parandalues i Sunnetit është se besimtari mysliman nuk guxon ta mendojë të keqen, e lëre më ta bëjë atë. Ai gjithashtu nuk tolerohet të bjerë pre e së keqes dhe as t’i aneksojë asaj një të keqe tjetër. Ajri i ndotur, uji i ndotur, papastërti gjithkund, zhdukja e bimësisë, prerja e drurëve, zhdukja e kafshëve – janë produkt i veprimeve të pakontrolluara të faktorit njeri. Një papërgjegjësi e tillë sigurisht se ka ndikuar në ndryshimin e klimës globale. Për një moskujdes të këtillë Kurani me kohë ka njoftuar: “… ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut”. (Kuran, 31:20)

TEKSTE HYJNORE LIDHUR ME AMBIENTIN E PASTËR EKOLOGJIK

Krijuesi i gjithësisë natyrën (ambientin) e ka krijuar të pastër. Mirëpo, ambiciet për përfitime materiale të njeriut, me pavetëdije po e shkatërrojnë atë. Në Kuran është theksuar: “A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë çështjen e Allahut, duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.” (Kuran, 4:119) Një nga faktorët që ndikon dukshëm në ndryshimin e klimës s’do mend se është prerja e pamëshirshme e drurëve. Sipas një statistike, nga gjithsej tridhjetë e shtatë milionë km² territor i pyllëzuar në botë, aktualisht ka rënë në njëzetë e katër milionë km². Pjesa tjetër është shndërruar në sipërfaqe të shkretë pa bimësi. Kjo ka ndodhur si rezultat i pamëshirës së njeriut ndaj shtëpisë (planetit) ku jeton. Pavarësisht asaj se njeriu është i prirë të dojë jetën, ai me duart e veta po e shkatërron të njëjtën. “E kush e ndërron të mirën e Allahut pasi që t’i kishte ardhur ajo, s’ka dyshim se ndëshkimi i Allahut është i ashpër.” (Kuran, 2:211) Ndryshimi klimatik, pra, mund të ishte ndëshkimi i Allahut i paralajmëruar, pasojat janë evidente dhe të disfavorshme nëse nuk merren masa konkrete. Në këtë kuadër, instruksionet dhe rekomandimet pejgamberike janë më se të qarta: “Ai që posedon një parcelë tokë, le ta mbjellë atë ose le t’ia dhurojë vëllait të vet (që ta mbjellë).” (Buhari, 1420)

Ky mesazh shumëdimensional shpalos vizionin strategjik të Pejgamberit [sallallahu alejhi vese-l-em] drejt ambient të pastër ekologjik. Mbjellja e tokës dhe pyllëzimi i saj kontribuon në ruajtjen e ambientit. Nga ana tjetër, leverdia dhe profiti janë të pashmangshme nga prodhimi i rendimenteve bujqësore. Nxitja pejgamberike për mbjellje dhe pyllëzim shihet qartë edhe nga hadithi i radhës: “Ai që e ngjall një tokë që nuk është e askujt, më meritues i saj është ai (që e ngjall atë).” (Buhari, 1422) “Çdo mysliman që mbjell një fidan ose që mbjell diçka (nga prodhimi i së cilës) ushqehet shpendi, njeriu ose kafsha, konsiderohet lëmoshë (sadaka) për atë (që ka mbjellë).” Mjerisht, mospërfillja dhe neglizhenca e këtij rekomandimi nga vetë myslimanët është shfrytëzuar si meritë strategjike e dikujt tjetër. Hadithi i radhës është edhe më i vendosur: “Edhe nëse ngjan çasti (ora) e fundit dhe ndonjëri prej jush ka një fidan në dorë, nëse ka mundësi, le ta mbjellë atë para se të ndodhë çasti, le ta bëjë (le ta mbjellë).” (Ahmed, 1421)

QËNDRIMI I SUNNETIT NDAJ PRERJES SË DRURËVE

I dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vese-l-em] kategorikisht e ka ndaluar prerjen pa nevojë të drurëve. Në mënyrë të veçantë e ka ndaluar prerjen ose djegien e pemës që ka fryte. E ka ndaluar gjithashtu therjen e kafshëve pa nevojë, përveç për nevoja të domosdoshme ushqimore. Në një hadith të Pejgamberit [sallallahu alejhi vese-l-em] thuhet: “Ai që këput një xinxife, kokës së tij Allahu i jep një goditje në zjarr.” (Nisai, 1421) Sigurisht, çdokush prej nesh ka vizituar ndonjë vend ku respektohen vlerat dhe ligjet për mosprerjen e drurëve. Që mos të pritet druri, që ai mos të shkulet, e kanë ndarë korsinë në dy pjesë, duke e lënë drurin mu në mes të korsisë. Kjo flet për nivelin e lartë të kulturës së asaj shoqërie. Nëse ruajtja e drurit paraqet vlerë për ata dhe kulturë, për myslimanët duhet të paraqet vlerë, kulturë dhe çështje që i përket fesë. Kjo do të thotë se ruajtja e drurëve, e pemëve dhe e bimëve për myslimanët është çështje që i përket fesë, përkujdesja ndaj tyre vlerësohet punë e mirë, për të cilën besimtari shpërblehet. Edhe gjuetinë e shpendëve pa nevojë i dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vesel-em] e ka ndaluar: “Ai që e gjuan një shpend pa pasur nevojë ta gjuajë atë për ushqim, ditën e Kiametit ai i paraqitet shushurimë si shushurima e bletës dhe shprehet: ‘o Zot. pyete atë përse më ka vrarë?” Hadithi në fjalë e vë në pah largpamësinë e Muhamedit [sal-lallahu alejhi vese-l-em] në kontekst të ruajtjes së specieve, krijimi i të cilave veç e veç mbart me vete urtësi.

QËNDRIMI I SUNNETIT NDAJ NDOTJES SË UJIT Për sa i përket ndotjes së ujit, i dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi vese-lem] është shprehur: “Asnjëri prej jush të mos urinojë në ujin që nuk lëviz, e pastaj ta përdor atë për larje.” (Nisai (1) 1406) Pastaj, hadithi tjetër: “Asnjëri prej jush të mos pastrohet në ujin që nuk rrjedh duke qenë i papastër (xhunub).” (Buhari, 1420) Hadithe të kësaj natyre ka shumë, por sa për ilustrim mjafton këto që u përmendën.

QËNDRIMI I SUNNETIT NDAJ MËNJANIMIT TË PENGESAVE NGA RRUGA Sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve me qëllim të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, i dërguari i Allahut [sallallahu alejhi vese-l-em] është shprehur: “Imani (besimi) është shtatëdhjetë e disa degë: më e vlefshme është fjala la ilahe il-lallah (nuk ka Zot tjetër përveç Allahut), kurse më e ulëta është të larguarit nga rruga e asaj që i mundon kalimtarët; edhe turpi është një degë e imanit.” (Ahmed, 1421) Ata që mbajnë llogari për mirëmbajtjen e rrugëve dhe largimin e pengesave, Sunneti i përgëzon me shpërblim: “Për shkak të mënjanimit të pengesave nga rruga, besimtari do të shpërblehet.” Pastaj hadithi tjetër: “Ai që përmend Allahun, që mënjanon nga rruga ku ecin njerëzit një gur, një dru ose një asht, ai e zhvendos veten nga zjarri.” (Sujuti) Në përmbyllje të këtij artikulli mund të konstatohet fakti se Sunneti nuk ka qëndruar indiferent ndaj dukurive negative që ndikojnë negativisht në rrënimin e jetës në përgjithësi, atë të njeriut në veçanti. Mohuesit e vlerave të Islamit duhet të binden se kjo fe është përtej imagjinatës së tyre; nuk është fe e prapambetur ashtu siç prejudikohet, por është përcaktim fetar i mrekullueshëm me kualitete e standarde të avancuara, e përshtatshme për çdo vend dhe për çdo kohë. Mjerisht, neglizhenca ose më mirë thënë mosnjohja sa duhet e këtij burimi fetar, ka bërë që disa myslimanë të këtij nënqelli, vlerat e këtilla t’i përvetësojnë nga të tjerët. Duke i pranuar si vlera të avancuara. Vlera të atyre që dogjën Galileun, Nikolla Kopernikun dhe Xhordano Brunon për shkak të luftës që i shpallën injorancës që kishte kapluar Evropën në shekujt e mesjetës.

LITERATURA E SHFRYTËZUAR: Buhari, Muhamed b. Ismail: El-Xhamiu-l-munedu-s-ahihu-l-muhtesar min resulilahi [sal-lallahu alejhi vese-l-em] ve sunenihi ve ej-jamihi – Sahihu-lBuhar, Daru Tauku-n-exhat, 1422, 3, 106.

Ahmed, Ebu Abdulla b. Muhamed b. Hanbel : Musnedu-l-imam Ahmed, Mues-sesetu-r-isale, 1421 (2001), 20, 295, 15, 212. Nisai, Ebu Abdurrahman Ahmed b, Shuajb : Sunenu-l-kubra, Mues-sesetu-risale, Bejrut, 1421 (2001), 8, 21.

Nisai, Ebu Abdurrahman Ahmed b, Shuajb : Sunenu-l-kubra, el-Muxhteba lk-s-unen, es-sunenu-s-ugra lin-nesai, Mektebetu-l-matbuat el-Islamije, Haleb, 1406 (1986), 1, 125.

Janar 2017, Revista “Hëna e Re”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit