3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Bozkir: Kosova së shpejti në NATO

Më të lexuarat

Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës si dhe pozita e komunitetit turk në Kosovë, kanë qendër në qendër të bisedimeve në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pati me një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë. Kryeparlamentari Krasniqi ka pritur të hënën kryetarin i këtij Komisioni, Volkan Bozkir, i cili ka premtuar anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.

Me këtë rast, Bozkir ka thënë se zhvillimi shoqëroro-ekonomik i Kosovës do të ndikojë pozitivisht në arritjen e stabilitetit të gjithmbarshëm në Kosovë, shkruan Express. Ndërkaq, angazhimi për njohje të Kosovës nga sa më shumë vende është prioritet për Turqinë, duke shtuar se në qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka ndarje ndërmjet pozitës dhe opozitës turke.

Ai po ashtu ka shtuar se Turqia në çdo aspekt është me Kosovën, sidomos kur është fjala për integrimin euro-atlantik. “Në ulëset e NATO-s, shpejt do të ulemi së bashku”, theksoi Bozkir. Sa i përket bisedave me Serbinë, ai tha se marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, ndërsa shprehu besimin se paqja do të mbretërojë edhe në veri të Kosovës.

Ai ka vlerësuar lart edhe qëndrimin ndaj pozitës së komunitetit turk. Ndërkohë kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, ashtu si edhe ndërmjet dy qeverive. Deri tash ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë arritur 32 marrëveshje bashkëpunimi.

Kreu i legjislativit ka thënë se Turqia është njëra nga pesë vendet kryesore me të cilat zhvillohet bashkëpunimi. Duke folur për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, Krasniqi tha se Kosovën tashmë e kanë njohur 90 vende. “Presim që Turqia, si edhe deri tash, të kontribuojë me ndikimin e saj, që të shtohet numri i shteteve, sidomos nga bota islamike, të cilat do ta njohin Kosovën”, theksoi ai.

Në vazhdim kreu i legjislativit të vendit tha se çështja e pozitës së komuniteteve në Kosovë është e zgjidhur në mbështetje të standardeve më të larta evropiane.

Bashkëbiseduesit theksuan se bashkëqytetarët nga të dy vendet përbëjnë një urë shumë të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.

Në takim u fol edhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në lëmin e ekonomisë, duke ditur se Kosova ka resurse të mëdha natyrore./kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit