13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Përballja me humbjet e mëdha në jetë

Më të lexuarat

Përherë e më shumë kur humbni dikë që e doni apo diçka të dashur për ju, është e natyrshme që të ndjeni dhimbje dhe pikëllim. Procesi i pikëllimit është një përgjigje krejt normale që përjetohet nga pjesa më e madhe e njerëzve. Por kur pikëllimi mbyt jetën tuaj dhe filloni të ndjeheni të pashpresë, të vetëm e të pavlerë, atëherë është momenti për të biseduar me mjekun tuaj për depresionin dhe pikëllimin.

Çdo vit, 5-9% e popullsisë përjeton humbjen e një pjesëtari të dashur të familjes. Por kjo nuk është e vetmja gjë që mund të shkaktojë pikëllim.

Njerëzit mund të ndjehen të humbur kur:

Vdes një njeri i dashur
Ndahen nga një njeri i dashur
Humbasin punën, apo burimin e të ardhurave
Ngordh apo largohet një kafshë shtëpiake
Një fëmijë largohet nga shtëpia
Përjetojnë ndryshime të mëdha në jetë si divorci, shpërngulja në një vend tjetër, dalja në pension etj.

Si reagojnë njerëzit ndaj humbjes dhe pikëllimit?

Humbja kalon nëpër disa faza specifike, të cilat pasqyrojnë reagimet e zakonshme të njerëzve ndërkohë që përpiqen të kalojnë këtë moment të vështirë. Një pjesë e rëndësishme e procesit të shërimit është përjetimi dhe pranimi i ndjenjave që vijnë nga humbja. Ja cilat janë stadet e zamkonshme nëpër të cilat kalojnë njerëzit:
Faza e mohimit, mosreagimit dhe e shokut: Mosreagimi është një reaksion normal ndaj vdekjes ose humbjes dhe nuk duhet ngatërruar me indiferencën ndaj ndodhisë. Kjo fazë ndihmon për të mbrojtur individin nga përjetetimi i intensitetit të humbjes. Në fakt është një fazë e dobishme kur personi në zi duhet të kryejë disa veprime si planifikimi i funeralit, lajmërimi i të afërmve apo marrja me dokumentacionet e ndryshme. Ndërkohë me kalimin e kohës dhe duke pranuar gradualisht atë që ka ndodhur, mohimi dhe mosbesimi fillestar fillojnë të zbehen.
Faza e pendimit: Kjo fazë e pikëllimit karakterizohet nga mendime të vazhdueshme për “ç’ka mund të ishte bërë” për të parandaluar vdekjen apo humbjen. Disa njerëz fiksohen duke menduar për mënyra specifike si gjërat mund të ishin bërë ndryshe për të shpëtuar jetën e personit apo për të parandaluar humbjen.
Faza e depresionit: Në këtë fazë, njerëzit fillojnë të kuptojnë dhe ndjejnë shkallën e vërtetë të humbjes apo vdekjes. Shenja të zakonshme të depresionit në këtë fazë janë vështirësia për të fjetur, mungesa e oreksit, lodhja, mungesa e energjisë dhe vajtimi. Gjithashtu personi mund të ndjejë mëshirë për veten dhe mund të ndihet i vetmuar, i izoluar, bosh, i humbur dhe në ankth.
Faza e zemërimit: Kjo fazë është e zakonshme. Zakonisht fillon kur individi ndjehet i pashpresë dhe i pafuqishëm. Zemërimi mund të vijë nga ndjesia e braktisjes për shkak të vdekjes apo humbjes. Ndonjëherë individi zemërohet me mjekët që janë kujdesur për njeriun e dashur që ka humbur apo me jetën në përgjithësi.
Faza e pranimit: Me kalimin e kohës, individi kalon në këtë fazë të pikëllimit dhe i pranon të gjitha emocionet dhe ndjenjat që ka përjetuar gjatë ngjarjes. Shërimi fillon porsa humbja integrohet me përvojat e tjera të individit.
Gjatë jetës, personi mund të rikthehet në faza më të hershme të pikëllimit, si depresioni ose zemërimi. Duke qenë se nuk ka rregulla apo kufij kohorë për procesin e pikëllimit, procesi i shërimit i çdo individi do të jetë i ndryshëm.

Faktorët që ndihmojnë në kalimin e Pikëllimit

I jepni kohë çdo mendimi apo ndjenje që keni.

Hapjuni një personi të besuar për humbjen.

Shprehini ndjenjat hapur ose shkruani për atë që ndjeni.

Kujtohuni që të qarit iu çliron.

Sigurohuni të kujdeseni për veten gjatë kësaj kohe, dilni për një shëtitje, sigurohuni të hani shëndetshëm.

Kërkoni ndihmë te mjeku nëse nuk e përballoni dot.

Ndonjëherë, krahas depresionit reaktiv që është pjesë e procesit të humbjes, mund të zhvillohet dhe nje depresion madhor. Ndërkohë që depresioni reaktiv mund të kalojë pas disa muajve, depresioni madhor duhet diagnostikuar dhe trajtuar në mënyrë që të kalojë./kohaislame


- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit