1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Vlera e agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit

Më të lexuarat

Muaji i Ramazanit është muaji i madh të cilin besimtarët mezi e presin, madje kur hyn ky muaj i bekuar ia numërojnë edhe ditët se sa kanë kaluar dhe sa kanë mbetur. Kështu që para se hym në këtë muaj na obligohet që ti mësojmë disa dispozita bazë që kanë të bëjnë me këtë muaj, duke mos e anashkaluar moralin dhe sjelljen që duhet ta kemi në këtë muaj. Duke synuar që agjërimi jonë të jetë i pranuar, duhet që të dimë tepër saktë se çfarë është e lejuar dhe çfarë e ndaluar për agjëruesin në këtë muaj.

Llojet e njerëzve në pritjen e muajit të Ramazanit:

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Pas disa ditëve na vjen muaji më i madh prej muajve të tjerë të vitit, muaji i bekuar i Ramazanit, muaj të cilin çdo herë besimtarët e presim me padurim. Në veçanti për këtë muaj janë të kujdesshëm njerëzit e mirë të cilët prej përpara hyrjes së këtij muaj pregatiten shpirtërisht dhe moralisht madje edhe duke i numëruar ditët deri sa të hy ky muaj i bereqetshëm. Kurse me hyrjen e këtij muaji ata sikurse ringjallen shpirtërisht, i përgëzojnë të tjerët për ardhjen e tij, ua urojnë të gjithë besimtarëve hyrjen e këtij muaji dhe vetë janë tepër të gëzuar. Njerëzit gjatë pritjes së këtij muaji janë disa llojesh:

– Ka nga njerëzit që gëzohen me tregëtinë që bejnë në këtë muaj, për shkak të fluksit të madh të klientëve besimtarë ,që blejnë për të ngrënë në këtë muaj, e si pasojë kjo u sjell atyre shumë të mira materiale, pra këta njerëz nuk i gëzohen muajit të Ramazanit porse tregtisë në të.

– Ka nga njerëzit që me hyrjen e këtij muaji janë edhe më të lirë se në muajt tjerë dhe i gëzohen kësaj kohë të lirë për ta kaluar natën duke shikuar seriale të ndryshme, duke u zbavitur me shoqërinë, duke luajtur lojra të ndryshme, duke ndëgjuar muzikë, duke ndejt natën deri në syfyr kurse të nesërmen duke u zgjuar vonë vetëm e vetëm që të kaloj sa ma pak kohë i agjërueshëm sepse shpesh për këtë lloj njerëzish agjërimi është i vështirë dhe i pavlefshëm.

– Porse ka nga njerëzit të cilët përveç që ia din vlerën këtij muaji, ata garojnë në vepra të mira, e planifikojnë kohën në mënyrë më të mirë të mundshme dhe atë për të lexuar Kuran, për të bërë dua, para iftarit dhe syfyrit, për të falë namaz natë dhe taravi, për të vizituar farefisin, duke u marë me organizime të ndryshme të cilat janë në dobi të shoqërisë ku jeton ai sikurse është organizimi i mbledhjes së zekatit, shpërndarjes së fitrave, pregatitjes së iftareve etj.

1 – Vlera e muajit të Ramazanit:

Dije vëlla i dashur se besimtari i mençur është ai i cili çdo herë Ramazanin në të cilin jeton e konsideron si të fundit, kjo na bën neve që ta presim këtë muaj seriozisht qoftë vetëm me nijet. Pasi që nëse Allahu nuk na e mundëson ta agjërojmë në gjithë muajin të na shkruhen shpërblimet edhe të agjërimit edhe të namazit vetëm pse e kemi pasur nijet të falemi dhe të agjërojmë në këtë muaj.

Për këtë muaj i Dërgauri i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):” Kur vjen muaji i ramazanit happen dyert e xhenetit…”

Hapen dyert e kujt…o rob i Allahut përse!?

Ato janë dyert e xhenetit! Dyer të cilat kur happen nuhatet era e xhenetit sa udhëtari që kalon duke ecur dyzet vjet. Dyert e xhenetit në të cilat ka atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka ndëgjuar e as që mendja e njeriut mund ta ketë imagjinuar, do të happen këta dyer pas pak ditësh, kështu që pregatitu për të se ndoshta një prej banorëve të tij e ti nuk e di një gjë të tillë. Po ashtu i Dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:” …mbyllen dyert e xhehenemit…”. Po o robi i Allahut xhehenemi në muajin e Ramazanit mbyllet. Pos kësaj Allahu liron nga zjarri i xhehenemit njerëz çdo natë gjatë muajit të ramazanit.

Kështu që nxito që të jesh i liruar nga zjarri i xhehenemit në muajin e Ramazanit, sepse i Dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë në hadithin e Xhibrilit (paqa e Allahut qofshin mbi të):” i shkatëruar qoftë ai i cili e arrin muajin e Ramazanit dhe nuk i falen mëkatet”.

Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “ Thëret një thirrës gjatë ramazanit: O kërkues i së mirës urdhëro vepro, o kërkues i të keqes ndalo (frenohu). Allahu liron nga zjarri i xhehenemit çdo natë njerëz.”

Kurse Allahu në Kuran thotë:” O ju të cilët keni besuar agjërimi u është bërë obigim juve, ashtu siç ishte për popujt para jush.”(Bekare:183) Obligim nga ana e Allahut jo për të na rënduar ose për të na e bërë agjërimin të sikletshëm por agjërimi nënkupton se ka qenë një gjë e ligjësuar edhe në popujt e mëhershme, kështu që neve jemi vetëm edhe një umet tjetër që na obligohet kjo dispozitë fetare ashtu siç ka qenë në popujt e mëhershëm vetëm që ta arim devotshëmrinë sepse Allahu në Kuran thotë:” …që të bëheni të devotshëm.”(Bekare:183) Pra nga ku shihet se ky është edhe pikësynimi bazë i agjërimit të muajit të Ramazanit.”

Andaj është vetëm Allahu Ai i Cili ndihmon në agjërim ,gjatë Ramazanit derisa të arish devotshëmrinë, ngase shejtanët në këtë muaj lidhen, për këtë arsye shpesh dëgjojmë që mëkatarët pendohen gjatë këtij muaj, gratë e zbulara mbulohen, shumë të tjerë udhëzohen, ata që deri atë ditë e kanë lënë namazin fillojnë ta falin, ata që janë treguar dorështrënguar në pasurinë e tyre e japin zekatin madje japin edhe sadaka. Madje nuk habitemi kur dëgjojmë se në këtë muaj edhe njerëz zullumqarë apo kriminel që njihen ndër njerëzit fillojnë dhe futen në xhami për namaze të ndryshme, apo për namazin e taravive apo në dhjetë ditshin e fundit duke shpresuar që natën e kadrit ta kalojnë në adhurim sa do pak.

Prandaj mendo o rob i Allahut pse ndodh kjo pikërisht në këtë muaj?! E gjitha kjo për shkak mëshirës së madhe që zbret Allahu në këtë muaj dhe për shkak të mospasjes akces të shejtanëve ndaj njerëzve, pasi që ata në këtë muaj lidhen siç na tregohet për këtë në hadithin e saktë. Mos haro vëlla i dashur kërcënimin që përmban hadithi i të Dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):” ishkatëruar qoftë, i shkatëruar qoftë, i shkatëruar qoftë ai i cili e arin muajin e Ramazanit dhe nuk i falën mëkatet.” Kurse për të na u falur mëkatet e dim se çduhet bërë, pasi edhe për këtë na tregon hadithi tjetër i të Dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ku thotë:” Ai i cili e agjëron muajin e ramazanit me besim dhe shpresë tek shpërblimi i Allahut do ti fallen mëkatet e kaluara.” Pra ky është muaji i zbritjes së mëshirave, muaji i faljes, thjesht thënë muaji i shanseve të mëdha me pak mund dhe sakrificë.

Në këtë muaj nuk kanë të mbaruar mirësite dhe begatitë e Allahut apo lehtësimet që ai i ka bërë për robërit e tij të dobët dhe neglizhent, pra fjala është për natën e kadrit. Natë që siç dihet vlën më shumë se 1000 muaj. Prandaj vëlla përkujto nëse je nga ata që nuk dallohen me adhurim apo me përkushtim në këtë muaj qoftë në namaze nafile, në namazin e natës, në sadaka apo në leximin e Kuranit famëlarte atëherë shiko e mos u bëj neglizhent edhe në dhjetë netët e fundit të këtij muaji të bekuar, sepse në njërën prej tyre fshihet kjo natë e cila është privilegj vetëm i këtij ummeti, pra i ummetit më të privilegjuar në shumë aspekte. Fillimisht ta ndëgjojme se si ka folur Allahu për këtë natë të madhe, thotë ai në suren e cila e mban dhe emrin e kësaj nate madhështore:” Çfarë është nata e Kadrit? Ku e din ti se çfarë është nata e Kadrit? Nata e kadrit është natë më e vlefshme se një mijë muaj. Gjatë kësaj nate zbresin melekët dhe shpirti besnik (Xhibrili) me lejen e Zotit tënd për çdo çështje. Paqë për ta (njerëzit) derisa të del agimi.”(Kadr:1-5) Kurse i Dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:” Ai i cili falet natën e Kadrit me besim dhe bindje në shpërblimin e Allahut do ti falen mëkatet e kaluara.” Tani ajo që të mbetet ty o vëlla i dashur është që mos të të shpëtoj nga duart kjo natë e madhe, pasi që nëse gjatë muajit e sheh dhe e ndjen veten se nuk ke qenë nga ata që kanë punuar mjaftueshëm për t’ju falur mëkatet atëherë kjo është rasti i fundit dhe rasti më i mirë për ta mbyllur këtë muaji në një mënyrë sa më të mirë, vetëm mendoje o vëlla i dashur mundi i një nate do të shkruhet se je falur dhe lutur për çdo natë, për 83 vjet e më shumë radhazi, prandaj ndalu dhe mendo se ai ia vlen apo jo?!

2 – A e din se çfarë është agjërimi?

Agjërim nuk do të thotë abstenim nga ngrënia, pirja dhe marëdhëniet intime, mirëpo është vepra më të cilën kënaqen të devotshmit, muaji i cili nxit pastrimin e përgjithshëm të robërve besimtarë nga çdo gjë e keqe dhe jo e mirë , si në aspektin shëndetësorë, shpirtërorë po edhe të moral dhe e gjitha kjo vetëm e vetëm për të kënaqur Allahun, pasi që në islam siç dihet çdo vepër sa do e vogël qoftë ajo është e lidhur me Të, pra çdo herë duke shpresuar shpërblimin nga ana e Tij. Prandaj vëlla i dashur pyete veten se për kë e ke lënë ushqimin, pirjen dhe epshin tënd? Thotë Allahu në hadithin kudsi:” Çdo vepër e birit të Ademit është për të përpos agjërimit, ai është i imi.” Medito vëlla se kush të ka urdhëruar të agjërosh dhe mendo se kjo qenka diçka e veçantë nga adhurimet tjera pasi që i Lartmadhëruari shpërblen për të në mënyrë speciale, e kjo pa dyshim se ky shpërblim duhet të jetë diçka shumë më i veçantë se shpërblimet e veprave tjera.

Kush të ndalon të hash kur je i vetmuar, askush nuk të sheh! Por këtë besimtari këtë e bën nga frikërespekti ndaj Allahut, nga ndenja e mbikqyerjes së vazhdueshme nga ana e Allahut, prandaj dhe në hadith ka ardhur:”…përveç agjërimit, Ai është i imi e Unë për të shpërblej.” pra ashtu sikurse robi edhe në fshehtësi ruhet dhe nuk e tradhëton agjërimin , ashtu edhe shpërblimi për të është sekret midis Allahut dhe robit të Tij.

A mund ta di agjëruesi se çfarë shpërblimi ka pregatitur Allahu për të? Kur të hyn besimtarët në xhenet, agjëruesit prej tyre do të kenë të hapur edhe një derë më shumë , pra një hyrje të veçantë e cila quhet Rejan. E siç dihet nga kjo derë nuk mund të hy kush pos asgjëruesve, pasi që ata duruan në vape, të etur e të uritur e përbajtën veten nga epshet e këtë vetëm pse Allahu ua kishte obliguar, e shpërblimi i atyre që hyn në këtë derë pa dyshim se është i veçantë, thotë Allahu për durimtarët:” Me të vërtetë durimtarët shpërblehen pa llogari.”(Zumer:10)

Gjatë muajit të Ramazanit ka zbritur Kurani nga Lehfi-Mahfudh (libër në të cilin është shkruar çdo gjë që do të ndodh prej krimijit të parë që ka krijuar Allahu e deri në ditën e gjykimit) në qiellin e kësaj bote, e më pas ka zbritur në tokë për 23 vite radhazi sipas nevojës, pra gjatë periudhës kur i Dërgauri i Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishte pejgamber, thotë Allahu në Kuran:” Muaji i ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kurani, udhëzues për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë nga e kota.”(Bekare:185)

3 – Leximi i Kuranit tek të parët tanë të mirë – selefi:

Imam Shafi – Allahu e mëshiroftë, gjatë muajit të Ramazanit është transmetuar se ka bërë 60 hatme Kurani, pra një hatme gjatë ditës e një gjatë natës! Po mund të thuash se suneti është në 3 ditë një hatme, por … dikush e ka ditur se ky muaj është shumë më ndryshe nga njëmbëdhjetë muajt tjerë, pra muaj i veçantë prandaj dhe qasja e tyre ndaj Kuranit në këtë muaj ka qenë i tillë, hatme pas hatme.

Imam Maliku – Allahu e mëshiroftë, imami i Darul-Hixhres (Medines) gjatë muajit të Ramazanit i lente librat e dijes dhe veçohej duke lexuar librin e Allahut kurse ligjeratat në këtë muaj i kishte të gjitha për vlerat e këtij muaji mëdhështorë.

Medito vëlla se si ta parët tonë të mirë – selefët pra kanë jetuar në këtë muaj, pra e vetmja gjë që njihnin ishte Kurani. Dihet se udhqimi i ulemave të mëdhej ka qenë dija gjatë 24 orëve 7 ditë, pa pushim, rastet se si ata e kanë kërkuar atë, e kanë vlerësuar atë, kanë sakrifikuar për të, janë krejt këta që të lënë për të dëshiruar e të mahnisin, POR në muajin e Ramazanit kjo DIJE është lënë anash e është marrë Kurani për tu lexuar gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Prandaj vëlla dhe ti motër eja tu përngjasojmë dijetarëve në këtë muaj, pra e kem pak më të lehtë , ta shfletojmë Kuranin vazhdimisht duke e lexuar, të meditojmë rreth tij, të falemi natën me të, të mësojmë përmendësh nga ai sa më shumë, ti mësojmë të paktën dispozitat bazë të tij me të cilat biem ndesh çdo ditë, javë apo vit, si abdesti, namazi, agjërimi, zekati, xhumaja etj.

4 – Pranimi i lutjeve gjatë muajit të Ramazanit:

Dije se për agjëruesin ka lutje e cila nuk i kthehet prapa…vallë a e din se cila lutje?

Disa nga dijetarët kanë thënë se ajo është para iftarit. Kështu që përgatitu vëlla i dashur para se të thirrë ezani i akshamit, ndaje një kohë për lutje, kthehu nga kibleja ngrej duart në qiell dhe si fillim kërko nga Zoti yt Bujar të ta pranoj agjërimin tënd, më pas kërko dhe kërko… se nevojat tua nuk mbarojnë, o më i varfëri i të varfërve kërko që Allahu të të shpëtoj nga zjarri i xhehenemit, të ti fal mëkatet, të të ruaj nga dënimi i varrit, të të ruaj nga përfundimi i keq…pasi që pranimi i lutjeve në këtë kohë është e garantuar, për këtë dëshmon fjala e Allahut në Kuran:” E kur robërit e mij të më luten mua, unë jam afër tyre i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet.” (Bekare:186) Medito o rob i Allahut se ky muaj është pikërisht muaj i faljes dhe mëshirës, prandaj mos e humbë këtë shansë që mund mos të përsëritet më në jetën tënde!

5 – Muaji i ramazanit, muaji i largimit nga mëkatet:

A thua vallë është e arsyeshme që edhe gjatë këtij muaji të vazhdohet në mëkate ndaj Allahut?

A thua vallë si mund të jetë puna me ata të cilët e kanë kaluar kohën e lirë duke shikuar televizor, duke dëgjuar muzikë, kanë biseduar gjëra të pa vlera, kanë qenë neglizhent ndaj namazit, kanë ngrënë kamatë, kanë vrapuar pas gravë që i kanë të ndaluara, të gjitha këto para muajit të Ramazanit dhe mendojnë të vazhdojnë edhe në këtë muaj në këtë mënyrë pa ndryshuar aspak!?

Vëlla i dashur dhe motër e dashur pa dyshim se ky muaj është rasti më i mirë për tu distancuar ti dhe për ti nxit që edhe tjerët të largohen nga këto vepra njëherë e përgjithmonë, të bëjmë një pendim të sinqertë dhe të thellë, të mendojmë se pas kësaj na pret vetëm se takimi me të Lartësuarin, të Cilit duhet ti japim llogari për gjithë të mirat që i kemi shfrytëzuar dhe atë pak “borxh” që na e ka obliguar a e kemi “paguar” pra a i këmi kryer.

Pra a nuk është koha që krahas agjërimit që pothuaj shumica e njerëzve e kryjne por e shoqërojnë me mëkate nga më të ndryshmet, ti lëmë këto mëkate por përkundrazi të bëjmë vepra më te cilat do të dalim fitimtarë? Ti e din mirë se Allahu nuk ka nevojë për agjërimin i cili shoqërohet me fjalë të rrejshme dhe me veprat sipas këtyre fjalëve.

Pra medito se a del fitues apo humbës nëse ti e len ngrënien, pirjen dhe kënaqësitë bashkshortore por nga ana tjetër zhytesh në biseda boshe, bartje fjalësh, përgojime, shikim në të ndaluarën, je neglizhent ndaj namazit, nuk ndahesh nga muzika e kështu me radhë? Besoj se përfundimin e di prandaj lute Allahun për të të ndihmuar kurse vet sakrifikohu që të bësh ndryshime të sinqerta që ato të ta sjellin udhëzimin dhe qëndrueshmërinë në fene e Allahut deri në vdekje.

6 – Argumenentet e obligueshmërisë së agjërimit të muajit të agjërimin dhe kushtet e agjërimit:

Falenderimi i takon Allahut të vetëm pa shok, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, pas të cilit nuk ka më profet e as shpallje pas tij.

Në vijim:

Të nderuar vëllezër dhe motra! Agjërimi është obligim – vaxhib duke u argumentuar me:

Kuran, thotë Allahu në librin e Tij:” Ju është bërë obligim agjërimi juve ashtu siç ishte obligim për popujt para jush.” (Bekare 183)
Sunet, thotë i Dërguari i Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mb të:” Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimin i ramazanit dhe shkuarja në haxh kush ka mundësi.”
Koncenzusi – ixhmaja e dijetarëve të islamit – të gjithë dijetarët e islamit janë të pajtimit për obligueshmërinë e agjërimit të muajit të Ramazanit
Madje dijetarët e islamit kanë thënë se agjërimi i muajit të ramazanit është obligim për:

a) Çdo besimtarë – pra për jobesimtarin nuk është obligim agjërimi i muajit të Ramazanit por do të jep llogari për të.
b) Çdo besimtarë të mençur – pra nuk është obligim agjërimi i muajit të Ramazanit për ata që janë të çmendur, gjithashtu edhe për ata të cilat kanë sëmundje mendore që e humbin vetveten për një kohë dhe nuk janë të vetëdishëm se çfarë kanë bërë në atë kohë, për ata që janë të shtyrë në moshë dhe nuk dinë gjë, pra për pleqërinë e thellë, madje për këta nuk ka nevojë as te jepet fidje – pra të ushqehet një i varfër çdo ditë apo edhe të agjërohet për ta, pasi që për këto grupe njerëzish nuk shkruan lapsi ose thënë ndryshe nuk meren në llogari për këtë periudhë kohore.
c) Çdo fëmij i cili ka hy në moshën e pubertetit – pra nuk është obligim për ata të cilët nuk e kanë aritur këtë moshë, mirëpo është e preferushme që të ushtrohen kohë pas kohe prej në fëmijëri ashtu siç vepronin sahabët me fëmijët e tyre. Siç dihet ata i kanë përgatitur fëmijët e tyre me agjërim që të adaptohen me të duke i shpërqendruar kur ankoheshin nga uria me lojra apo gjësende të tjera derisa vinte koha e iftarit.
d) Çdo besimtarë i shëndetshëm – pra nuk është obligim agjërimi për të sëmurët, për ata të cilët pritet që të shërohen, i kompenzon ditët e pa agjëruara pas shërimit, kurse për ata të sëmurë që nuk pritet që të shërohen ata obligohen që të ushqejnë çdo ditë nga një të varfër.
e) Çdo besimtarë i vendit – pra nuk është obligim agjërimi për ata të cilët janë mysafir dhe udhëtarë, pasi që Allahu thotë në Kuran:” E ai i cili është i sëmurë nga ju apo është në udhëtim le të agjëroj ditë të tjera (kur të shërohet ose kur të jetë vendali).” (Bekare:184)
7 – Çfarë e prish agjërimin?

Robër të Allahut dijeni se nuk e prish agjërimin pos asaj që e ka sqaruar Allahu dhe i Dërguari i Tij – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mb të:

Ngrënia dhe pirja – ka thënë Allahu në Kuran:” Hani dhe pini derisa të bëhet i qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim.” (Bekare:187)
Por duhet dalluar se kur njeriu han dhe pin me vetëdije agjërimi i tij është prishur pa dyshim por kur njeriu hanë ose pin nga haresa kjo nuk e prish atë. Duhet dalluar gjithashtu edhe rastet kur njeriu sëmuret dhe detyrohet ta prish agjërimin apo kur atij i imponohet prishja e agjërimit nga dikush me dhunë.

Mardhëniet intime – thotë Allahu në Kuran:” Natën e ajgërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato…” pra marëdhëniet intime e prishin agjërimin edhe nëse gjatë tyre bashkshortët nuk ejakulojnë. Pra marëdhënie quhen edhe vetëm penetrimi i kokës së organit të mashkullit në organin e femrës, që do të thotë se largimi edhe nga paraloja për ato që nuk mund të përmbajnë veten do të ishte obligim në këto raste. Sepse prishja e agjërimit me vetëdije në këtë mënyrë është mëkatë i madh dhe ka dëmshpërblim – kefaret, e ai është agjërimi i 60 ditëve rrjesht.
Vjellja me qëllim – dhe kjo pa marë parasysh a përdoren gishtat si stimulues gjatë vjelljes, apo edhe me nuhatjen e diçkaje të keqe, me shtypjen e barkut apo edhe me mjete tjera, por vetëm që vjellja të jetë e qëllimshme. Prandaj nëse kjo ndodh pa arsye personi i nënshtrohet dëmshpërblimit i cili siç dihet është agjërimi i një ditë.
Kurse ata që vjellin si pasojë e sëmundjes apo ndonjë çrregullimi të stomakut nuk u prishet agjërimi, pra agjërimi i tyre është në rregull dhe për këtë është argument hadithi i të Dërguarit të Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” Kujt i vjen të vjell për të nuk ka kompensin, ndërsa ai i cili vjell me qëllim ai duhet ta kompensoj.”

Dalja e spermës – pra dalja e saj me epsh e prish agjërimin, pra kur kjo bëhet me dëshirë pa marë parasysh a bëhet me dorën e tij apo të gruas së tij apo edhe më ndonjë mjet tjetër, agjërimi prishet. Por nëse kjo ndodh në këtë mënyrë, në dallim nga marëdhëniet intime edhe nëse bënet me vetëdije kjo nuk e detyron personin që të agjëroj 60 ditë, pra nuk ka dëmshpërblim për këtë, por duhet vetëm ta kompensoj këtë ditë që e ka prishur me një ditë tjetër.
Kurse në rastet kur personit i del sperma gjatë gjumit apo qoftë edhe nga ndonjë sëmundje kjo nuk e prish agjërimin, pasi që prishja në këtë aspekt quhet ajo e daljes së saj me epsh, pra me vetëdije.

Hixhameja – nxjerrja e gjakut nga trupi
Edhe pse ka kundërthënie në lidhje më hixhamen, pjesa e cila mendon se e prish janë argumentuar me hadithin e të Dërguarit të Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” E ka prishur agjërimin ai i cili ka bërë hixhame dhe ai tek i cili është bërë hixhameja.” Edhe pse këtë hadith më pas e ka abroguar hadith tjetër sipas një pjesë të dijetarëve dhe e kanë konsideruar si jo të saktë pjesa tjetër e atyre që thuan se nuk e prish agjërimin hixhemeja, me e mira është që gjatë agjërimit të mos bëhet hixhameja, pasi që ajo shpesh ndikon edhe në gjendjen shëndetsore të atij që e bën hixhamen, e si pasojë ai më vonë mund edhe ta prish nga pamundësia për ta vazhduar agjërimin deri në fund të ditës.

8 – Gjërat që nuk e prishin agjërimin:

Gjërat për të cilat njerëzit madje i din edhe si prishës të agjërimit porse ato nuk e prishin janë:

Gëlltitja e pështymës – pra gëlltitja e saj nuk e prish agjërimin, përpos nëse e nxjerr këlbazën nga goja më e mira është që ta pështy atë e jo ta gëlltit.
Misfaku-druri me të cilin pastrohen dhëmbët – hadithi i cili transmetohet për misfakun “Përdoreni misfakun në mëngjes e mos e përdorni në mbrëmje.” Nuk është i saktë, prandaj themi se përdorimi i misfakut është i preferueshëm të përdoret qoftë në mëngjes qoftë në mbrëmje. Ndërsa misfaku i cili ka shije të limonit, të nanes apo diç të ngjajshme, nuk duhet përdorur gjatë agjëirimit pasi që përmbajnë elemente shtesë mbi shijen e misfakut, kështu që nuk lejohet të përdoren lloje të tilla të misfaqeve gjatë agjërimit.
Gusli apo larja e trupit – kushdo që lahet gjatë agjërimit në Ramazan nuk e prish agjërimin.
Ai i cili zgjohet xhunub – qoftë ai i cili kryen marëdhënie gjatë natës e më pas zgjohet pas imsakut apo hyn koha për të agjëruar e ku është akoma xhunub, qoftë ai i cili zgjohet xhunub si pasojë e ëndërave qoftë edhe pas hyrjes së kohës së imsakut, pra kohës së agjërimit, të dy detyrohen vetëm të marrin gusël dhe agjërimi i tyrë është në rregull.
Vënia e kënës dhe rimelit (tek gratë) – këto nuk e prishin agjërimin qoftë edhe zbukurime tjera që mund të vendosen.
Pikat (medikamentet) në sy dhe në vesh nuk e prishin agjërimin.
Gjatë abestit nëse nuk teprohet me ujin gjatë futjes në gojë dhe në hundë, pra mos kaloj poshtë ose të gëlltitet.
Injeksionet joushqyese – jo çfarë do lloj injeksioni e prish agjërimin, të gjithë ata injeksione që nuk kanë karakter ushqyes nuk e prishin agjërimin, përveç atyre që e zëvendësojnë ngrënien dhe pirjen.
E lusim Allahun që të na jap dije të dobishme mbi gjithë ato dispozita që e kemi obligim mësimin e tyre, siç janë abdesti, namazi, agjërimi, zekati, haxhi etj. vetëm e vetëm që në çdo vend ku ne jetojmë të reflektojme pozitivisht në këtë aspekt, të jemi nga ata që ua mësojmë edhe të tjerëve këto gjëra, pasi që sot umeti ynë vuan shumë nga sëmundja e pa dijes, madje edhe në dispozitat bazë të fesë tonë. E pa dyshim se Allahu është Ndihmëtari ynë më i mirë.

9 – Dispozita e paraprirjes së muajit të Ramazanit me agjërim dhe bërja e nijetit gjatë natës:

Vëllezër dhe motra të nderuara i Dërguari i Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mb të, ka thënë:” Mos e paraprini muajin e ramazanit me agjërim një apo dy ditë përpara tij, përpos atyre që kanë agjëruar vazhdimisht.” Prandaj të kemi kujdes që mos agjërojmë në ditën e fundit të muajit Shaban, duke menduar se më sigurt është të agjërohet një ditë përpara se mos ajo ditë është dita e parë e muajit të Ramazanit pasi që edhe për këtë ka thënë vetë i Dërguari i Allahut – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mb të:” Ai i cili e agjëron ditën e dyshimtë (dita e cila dyshohet a është e Ramazanit apo jo) e ka kundërshtuar ebul Kasimin (kunja e profetit s.a.v.s.) përpos dikujt i cili ka agjëruar vazhdimisht.”

Po ashtu besimtari duhet ta bën nijetin gjatë natës para imsakut (hyrjes se kohës së agjërimit) edhe atë qysh në natën e parë të Ramazanit, sepse nuk ka agjërim ai i cili nuk a e ka bërë nijetin për agjërim para imsakut. Andaj kushdo që e bën nijetin për të agjëruar pas imsakut ky person nuk ka agjërim dhe nuk i llogaritet ajo ditë se e ka agjëruar, përpos nëse e ka agjërimin nafile, pasi që gjatë nafileve ka të drejt ta bën nijetin deri para namazit të drekës.

E lusim Allahun ti furnizoj muslimanët me dije të dobishme, ti udhëzoj në fenë e vërtetë dhe ti bëj pasues të rrugës së Muhamedit – paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.

Përgatiti dhe përshtati: Nexhat Ceka

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit