-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Diskriminimi ndaj tjerëve – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Mjekja egjiptiane Merva Sherbini u vra(vite më parë) në korridorin e një gjykate të Gjermanisë nga dora e një ekstremisti gjerman për shkak se mbante mbulesë islame, hixhabin, edhe atë në një formë shumë të keqe, duke e therë tetëmbëdhjetë herë me thikë, para krejt njerëzve dhe në prani të policisë, e cila ka ndërhyrë vetëm për ta plagosur burrin e sajë, i cili u mundua ti del në ndihmë gruas së vet.

Ky rast i tmerrshëm dhe katastrofal ngacmoi një çështje shumë të ndjeshme dhe vendimtare, e ajo është “tjetri”, integrimi i tij në shoqëritë ku jeton, sa mund të përputhet me shoqëritë në të cilat jeton dhe sa kanë fuqi këto shoqëri të kooperojnë me shtresa që dallojnë prej tyre në komb, racë, fe dhe kulturë. Doli në shesh shikimi perëndimor ndaj tjetrit, por ky rast është edhe një mundësi e mirë për të treguar edhe shikimin islam ndaj tjetrit.

Sidomos tani kur bota islame ballafaqohet me një fushatë të egër nga perëndimi duke e akuzuar atë se i shtyp pakicat, nuk kanë të drejta ata, madje nuk i kanë as nevojat e tyre elementare.

Edhe pse edhe historia, edhe gjendja e tanishme por edhe realiteti dëshmojnë se diskriminimi dhe shtypja e tjetrit është prodhim perëndimor dhe trashëgimi kulturore shekuj me radhë.

Tjetri dhe perëndimi

Tjetri si term është prodhim perëndimor, nuk ka lidhje aspak me shoqëritë dhe kulturën islame edhe pse kohën e fundit përdoren edhe në botën islame, ashtu siç kanë depërtuar shume terme, kuptimi i të cilave ka bagazh kulturor perëndimor.

Termi “tjetri” ka lindur në perëndim kurse para tij ka ardhur termi tjetër, i cili edhe ka qenë shkak i krijimit të këtij termi, e ai është termi “unë”. Ky term ka kuptimin e vet perëndimit. Perëndimi e shihte veten si “unë” i cili i bartë të gjitha vlerat, se ishte qendra e gjithësisë dhe origjina e civilizimit, kurse pjesa tjetër e botës është i ç’veshur nga çdo vlerë dhe mirësi.

Andaj termi “tjetri” është manifestim i kryelartësisë ndaj tjerëve, sepse “uni” perëndimor është pika e fillimit dhe këndvështrimi për të kuptuar raportin e perëndimit me tjetrin dhe vlerësimin e tij ndaj tjetrit. Prodhimet e kulturës perëndimore janë përplot fakte që tregojnë kryelartësinë e perëndimit ndaj tjetrit dhe nënçmimin e tjetrit në çdo aspekt. Kështu që raporti mes “unit” dhe “tjetrit” u shndërrua në raport mes zotërisë dhe skllavit, të mirit dhe të keqit, të ndershmit dhe të poshtrit, të dijshmit dhe injorantit, të civilizuarit dhe barbarit.

P.sh. Aristoteli thotë se “tjetri” është i huaj, kurse letrarët dhe filozofët tjerë “tjetrin” e konsiderojnë si njeri jo të natyrshëm, ose armik, ose djall, ose barbar, ose rrezik vdekjeprurës, ose të keq, ose i huaji i dyshimti, dhe krejt në fund “tjetri” është terroristi të cilin duhet ta fshijmë nga faqja e dheut.

Këto botëkuptime raciste dhe mendjemadhe janë ato që e kan shtyrë Monteskon që të tallet me krijaturën e të zijve duke thënë:

“Zoti, i cili ka urtësi të madhe, nuk ka mundësi të ketë vënduar shpirt ose thënë shpirt të mirë në trupin e njeriut të zi”.

Kurse Renani ka thënë: “vetëm një racë lind zotëri dhe heronj, e ajo është raca europjane. Kjo racë nëse bie në nivelin ahureve në të cilat punojnë të zinjtë dhe kinezët, revoltohet dhe hidhërohet”.

Nazistët gjerman e shohin veten si soji më i mirë, kurse tjerët soji i skllavërve, andaj Hitleri edhe e bëri luftën botërore, ku shkuan viktimë me miliona njerëz, krejt kjo me qëllim të dominimit të botës dhe sojit arian.

Filozofët bashkëkohorë të perëndimit janë munduar të ambalazhojnë këtë hegjemoni dhe mendjemadhësi ndaj “tjetrit” me ambalazhin e epërsisë shkencore dhe hulumtimeve akademike.

Molimbahu p.sh. themeloi teorinë e tij të njohur se epërsia shkencore është përputhja mes gjenialitetit dhe natyrës së mendjes evropiane. Tjerët që kanë ardhur pas tij kanë vazhduar në të njëjtën formë të hulumtojnë arsyetimet shkencore për epërsinë dhe dominimin ndaj “tjetrit” dhe forcimin e “unit”.

Ky botëkuptim mendjemadh e ka formësuar mendjen e perëndimit, mënyrën e të menduarit dhe sjelljes ndaj tjetrit. Kjo ishte pikënisja nga e cila u nis perëndimi në shkatërrimin e indianëve, i filloi luftat e kryqëzatave kundër botës islame në mesjetë, e inicioi inkuizicionin kundër muslimanëve dhe hebrejëve të Andaluzisë dhe zhduki popuj të tërë në Afrikë, Azi dhe Australi, edhe pse skishin asnjë gabim tjetër përpos se ishin “tjetri”, i cili nuk ka të drejtë për jetë.

Këtë rrugë e kanë vazhduar edhe hebrejët e sodit, ashtu që Menahim Begini pas masakrës në Sabra dhe Shatila thotë në parlamentin izraelit se palestinezët që janë vrarë aty nuk janë asgjë tjetër veç se kafshë që ecin në dy këmbë dhe se nuk meritojnë të jetojnë.

Duke u nisur nga kjo trashëgimi raciste e botëkuptimit të perëndimit karshi “tjetrit” edhe myslimanët që jetojnë në shoqëritë perëndimore vuajnë nga shtypjet e njëpasnjëshme dhe mungesa e të drejtave esenciale dhe orvatjes për fshirje të identitetit, madje edhe në shtetet që i krenohen me demokraci, liri dhe barazi. Ata u munduan tua detyrojnë kulturën perëndimore myslimanëve, detyrimi për të jetuar në mënyrë perëndimore, ndalimi i myslimanëve në shumë raste për të zhvilluar ritualet fetare në mënyrë të lirë, madje edhe kanë ndaluar ndërtimin e xhamive dhe ngritjen e ezanit në shumë vende të perëndimit edhe në ditët e sodit.

Premtimet dhe shpresat e lirisë, barazisë dhe vëllezërisë njerëzore shkuan huq, kurse myslimanët në shoqëritë perëndimore llogariten si njerëz të kategorisë së tretë apo katër, ose thënë më qartë, pa të drejta të vërteta.

Mos të mendojë dikush se kjo hegjemoni dhe mendjemadhësi e perëndimit në sjelljen e tij ndaj “tjetrit” ka ndryshuar ose dallon në shekullin tonë. Madje është shkujdes dhe injorancë e rëndë supozimi i paanshmërisë dhe drejtësisë në sjelljen e perëndimit ndaj “tjetrit”. Përndryshe si do të arsyetojmë sulmet e egra dhe barbare të perëndimit dhe civilizimit të lartë siç u pëlqen atyre në botën islame. Për çfarë mëkati u vranë miliona në Palestinë, Irak, Afganistan, Bosnje, Çeçeni, Tajland, Filipin, Turkmenistanin Lindor, etj?! Cili është arsyetimi logjikor, politik apo shoqëror, i cili i arsyeton këto masakre ndaj të pafajshmive, qofshin ato fëmijë, gra ose pleq. Pastaj shikoni arsyetimet e dobta të cilat i ofron perëndimi për të arsyetuar këto sulme, të cilave vetëm njerëzit e marrë, të poshtëruar dhe tradhtar u besojnë.

Shikoni drejtësinë e perëndimit se si vepron me kriminelët me rastin e burgut Ebu Grejbi, ose atë që përdhunoi vajzën dhe e vrau atë dhe tërë familjen e sajë në mënyrën më të egër. Shikoni dënimet e lehta që i marrin ata për krimet e rënda që i kanë bërë ndaj “tjetrit”, atëherë do të kupton secili njeri natyrën e drejtësisë perëndimore.

Shikoni policinë gjermane e cila shkrepi plumba ndaj burrit të mjekes së sulmuar, duke menduar se arabi është “tjetri” dhe se ai është krimineli dhe terroristi. Shikoni se si bastisën shtëpinë e mjekes duke kërkuar argumente për ta llogaritur si anëtare e ndonjë grupi terrorist për të arsyetuar kriminelin që e kishte therur me thikë. Policia gjermane i morri mus’hafin në të cilën lexonte mjekja e vrarë për ta sjellë si argument se ajo është terroriste. Pastaj shikoni se si veproi media gjermane në lidhje me këtë çeshtje, nuk i dha jehonë aspak, deri sa nuk u organizuan proteste anë e mbanë botës islame edhe në Gjermani.

Thënë shkurtë, argumentet janë të shumta që flasin për mendjen raciste dhe armiqësore e cila dominon në jetën e perëndimit dero më sot në sjelljen e tyre ndaj “tjetrit”, për të cilin shkrimtari i njohur anglez, Eduard Albi ka thënë: “‘tjetri’ është ferr!”

“Tjetri” në botën Islame

Në Botën Islame nuk ekziston termi “tjetri”. As në literaturën e as në trashëgiminë tonë kulturore nuk ka fakte që tregojnë se ekziston një term i tillë. Mbarë trashëgimia islame është e boshatisur tamam nga shprehja “tjetri”, qoftë si shprehje apo si kuptim. Mund ta përjashtojmë fanatizmin fisnor, i cili ka qenë i fuqishëm para ardhjes së fesë Islame te arabët, i cili fanatizëm herë pas here del në shesh në historinë islame, mirëpo ky fanatizëm nuk i drejtohet jomyslimanëve, por edhe vet myslimanëve, sepse janë trazira që burojnë nga fanatizmi fisnor e jo për shkak të fesë, ngjyrës apo gjuhës.

Në botën Islame nuk ka vend për termin tjetri as në jetën shoqërore e as në jetën kulturore, por ka terme të cilat i ka rregulluar sheriati islamik, i cili i ka rregulluar raportet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve. Këto terme personifikojnë shumë qartë këto raporte, drejtësinë dhe dëlirësinë islame. Këto terme janë: ehli dhime, (njerëzit e garantuar), Ithtarët e Librit, kundërshtarët, ithtarët e epshit, etj. Të gjitha këto terme nuk kanë lidhje me nacionalizëm, racizëm, ngjyrë apo gjuhë. Por janë terme që tregojnë kush u kundërshtohet myslimanëve në besim brenda shoqërisë myslimane, të cilëve Allahu, i cili është Ligjvënësi i urtë, u ka caktuar të drejta dhe obligime, të cilat përputhen me pozitën e tyre si pakica të nderuara brenda shoqërisë myslimane. Madje sheriati të drejtat e këtyre pakicave i ka madhëruar shumë e argumentet që flasin për këtë fakt janë aq shumë saqë nuk arrijmë ti përmendim në këtë shkrim. Vendi i tyre është në librat e fikhut dhe sheriatit, kush do të njihet me to le ti shfletojë këto libra.

Nën hijen e kësaj mendje islame e cila buron nga sheriati i pastër kanë gëzuar ehli dhimeti, apo ehli Kitabi shumë të drejta dhe veçori, të cilat sot myslimanët në perëndim nuk mund ti gëzojnë as një përlind. Ata kanë fituar aso të drejta nën hijen e qeverisjes islame atë që skanë mund ta fitojnë as gjatë qeverisjes së tyre mes vete, sikurse ka ndodhur me hebrejët pas rënies së Andaluzisë, ajo që ndodhi me banorët e Konstantinopojës pas çlirimit nga sulltani Muhamed Fatihu. Jomyslimanët në shoqëritë myslimane kanë fituar aso të drejta dhe veçori të cilat janë bërë shkak për mendjemadhësi dhe për tu bërë bukëshkalë. Me plot siguri dhe paanshmëri mund të themi se pakicat jomyslimane brenda shoqërive myslimane në disa raste janë më të lumtur se vet myslimanët në ato vende.

Si rezyme mund të themi se çështja e “tjetrit” është një çështje me origjinë perëndimore, me të kanë synuar arsyetimin e sulmeve kundrejt botës islame, shkeljen e të drejtave të pakicave myslimane të përhapura në mbarë botën, të cilat veprojnë me plot entuziazëm dhe efektivitet në ato shoqëri, gjëra që shkaktuan përhapjen e fesë Islame në perëndim. Andaj edhe u ngritën zëra prej vendeve të ndryshme për detyrimin e dëbimit të myslimanëve nga perëndimi që mos ta kaplon islame tërë botën. Por ajo që nuk e dinë këta ziliqar dhe fanatik është fakti se e drejta, humanizmi, parimet, dhe përmbajtja e mësimeve të Zotit një popull apo racë e bëjnë dominant, e jo padrejtësia, nihilizmi dhe agresiviteti!!

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit