Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, në Zveçan, gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ka mohuar të ketë pasur masakër në Reçak, si dhe shqiptarët e Kosovës, që luftuan për çlirimin e vendit, i ka quajtur terroristë.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, deklaratë të cilën e ka transmetuar Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.
Për një deklaratë të ngjashme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e kishte shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq.
Ajo, ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë e kishte quajtur “agresion”, dhe vetëm pak kohë pas kësaj deklarate, Haradinaj mori vendimin për shkarkimin e saj.
Kujtojmë se më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.
blob:https://www.glasamerike.net/9a369acf-bbdc-4398-bb57-196641ba19be