Milot Rashica është futbollisti i momentit në elitën e futbollit gjerman.
Sulmuesi nga Kosova ka shpërthyer në vitin 2019 ku me fanellën e Werder Bremenit thuajse në çdo takim shënon apo asiston për bashkëlojtarët e tij.
22-vjeçari ka arritur të shënojë tetë gola në elitën e futbollit gjerman dhe të bëjë dy asistime, ndërsa me dy gola të tjerë ka kontribuar në Kupën e Gjermanisë ku Werder ka siguruar gjysmëfinalen.
Por prapa këtij suksesi të Milotit qëndron legjenda e futbollit shqiptar, Altin Lala që i ka ndihmuar nga fillimet e karrierës së tij.
Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë është rrëfyer për mediumin gjerman ‘Deichstube.de’, rreth zbulimit të Rashicës dhe ndihmës që i dha vushtrriasit për të dalë në Evropë.
“Për herë të parë Rashicën e pash në televizion, në një ndeshje mes Kosovës dhe Ganës U-21, kur Miloti ishte vetëm 16 vjeçar. Në atë moment i thash djalit tim ta shikonte me vëmendje këtë futbollist, pasi ishte vërtetë i mirë”, tregon fillimisht Lala.
Për herë të dytë kur Lala e pa Rashicën ishte një vit e gjysmë më vonë, pasi legjenda e futbollit shqiptar ishte në Kosovë dhe po kërkonte futbollistë të rinj për Shqipërinë U-19.
“U takova me të dhe ishte edhe babai i tij. Aty ka lindur gjithë plani dhe vendosa ta mbështesë këtë djalë në rrugëtimin e tij”, tregon Lala.
Lala e dërgoi Milotin në prova te Hannoveri, skuadra ku tiranasi kishte 14 vite gjatë karrierës së tij.
“Organizuam një provë, por Miloti ishte i pafat pasi pësoi një lëndim në ligament”, thotë Lala.
Por ish-mesfushori i Kombëtares tregon se kishte vendosur që ta merrte përsipër edhe shërimin e tij duke e mbajtur në shtëpinë e tij në Hannover.
“Ai jetoi në shtëpinë time thuajse një vit, por për shkak të statusit të tij, ai nuk u lejua të qëndrojë më shumë se 90 ditë radhazi në Gjermani”, thotë Lala që është menaxher i reprezentuesit të Kosovës.
Pasi Rashica kaloi lëndimin, me sugjerimin e Lalës skuadra holandeze Vittese e transferoi lojtarin në Eredivisie.
Fillimisht Rashica iu bashkua ekipit të dytë të Vitteses, por në fazën përgatitore ai shkëlqeu për ta marrë një rol të rëndësishëm në formacionin bazë të skuadrës verdhezi.
E falë shkëlqimit në elitën e futbollit holandez ku në 100 ndeshje zyrtare shënoi 15 gola e dhuroi 24 asistime, katër herë kampionët e Gjermanisë, Werder Bremen paguan shtatë milionë euro për transferimin e tij.
Ndërkohë Lala që është menaxher i Milotit, thotë se i pëlqen të ndihmojë futbollistët e talentuar pasi profesioni i menaxherit nuk është primar.
“Unë e bëj punën e menaxherit vetëm pjesërisht, pasi nuk është profesioni im primar. Më pëlqen t’i ndihmojë futbollistët e talentuar”, thotë ish-mesfushori shqiptar.
Lala nuk e sheh Milotin duke bërë një lëvizje të shpejtë në karrierë, edhe pse pas paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme këtë vit ka zëra se interesohen klubet angleze.
“Nuk e kemi këtë diskutim momentalisht. Nuk ka asgjë. Miloti ka një kontratë deri në vitin 2022 dhe ka vetëm tre muaj që po luan shumë mirë. Jemi shumë të qetë dhe duam t’i bëjmë hapat me radhë”, tha Lala.
Krejt në fund Lala ka thënë se ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm për aftësitë e Milotit, por që pret edhe më shumë nga Vushtrriasi.
“Unë isha i vetëdijshëm që Miloti mund të arrinte shumë me aftësitë që ka, por ai mund të bëjë edhe më shumë”, ka deklaruar prononcimin e tij Lala për Deichstube.
Me dy golat e tij në Kupën e Gjermanisë, Miloti i ka ndihmuar Werderit t’i eliminojë dy gjigantët e futbollit gjerman si Borussia Dortmund dhe Werder Bremen.
Ndërkohë në elitën e futbollit gjerman Rashica i ka shënuar gol Eintracht Frankfurtit, Hannover 96, Bayer Leverkusenit, Mainzit si dhe nga dy gola Schalkes dhe Augsburgut.
Miloti është shembulli më i mirë për futbollistët e rinj nga Kosova se me punë mund të arrish në maje të futbollit evropian dhe ta prezantosh në mënyrën perfekte vendlindjen.