-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Me media të lirë pa shtet, apo shtet pa media të lirë?

Më të lexuarat

ILIR DEMALIA

Tashmë, si asnjëherë në historinë presidenciale të SHBA-ve, Presidenti Donald Trump ka prerë çdo komunikim direkt me gazetarët. Ai vetë dhe sekretari i shtypit. Dhoma e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë i ka mbyllur dyert.

E gjithë tradita e presidentëve të SHBA-ve ka pasur komunikim të rregullt me shtypin, direkt me Presidentin, ose me sekretarin e shtypit.

Richard Nikson u largua nga Shtëpia e Bardhë si President i SHBA-ve për skandalin e Watergate, duke nënshkruar dorëheqjen për të mos u ballafaquar me drejtësinë. Për dy vjet, nën një presion të përditshëm mediatik të një skandali, që u zbulua nga dy gazetarë të rinj të “Washington Post”, Bob Woodward dhe Carl Bernstain, Presidenti Nikson, vetë apo nëpërmjet sekretarit të shtypit, Ron Ziegler, nuk e preu komunikimin me shtypin dhe dera e dhomës së konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë hapej, së paku, dy herë në javë, deri ditën që deklaroi dorëheqjen nga dhoma e shtypit, më 9 gusht 1974.

E njëjta situatë edhe me Presidentin Bill Clinton. Dy vjet i morën me një skandal seksual, duke e çuar në hetim në vitin ‘97-‘98. Presidenti vazhdoi marrëdhënien me shtypin, vetë, apo me sekretarin e shtypit Joe Lockhart. Zyra e shtypit nuk u mbyll. Presidenti Clinton pranoi të hapet dosja e tij, të dëshmojë dhe të dalë para Gjykatës. Presidenti Clinton fiton, duke u përballur me median në mënyrë transparente dhe duke u ballafaquar me drejtësinë. Media është pushteti i katërt, ai pushtet, që krijon transparencën mes pushtetit politik (qeverisë) dhe popullit.

Abraham Lincoln ishte ministër i SHBA-ve në Paris, (President 1861-1865 deri ditën që e vranë), më 16 janar 1787, i dërgon një letër anëtarit të Kongresit dhe Marshallit të Virginia-s, Edward Carrington, rreth rëndësisë së shtypit dhe fuqisë së shtypit si pushtet i katërt për të kontrolluar dhe mbajtur balancat e pushteteve nëpërmjet transparencës me shtypin dhe popullin. Ndërmjet të tjerave i shkruan një pyetje retorike Carrington,

“Në qoftë se do të më kërkonin se do të pranoja një qeveri pa shtyp të lirë, apo një shtyp të lirë pa qeveri, pa asnjë hezitim që do zgjidhja të fundit”. Në kundërshtim me vlerësimin dhe të drejtën e shtypit, që kanë treguar dhe lejuar të gjithë presidentët e Amerikës, duke respektuar dhe zbatuar amendamentin e parë të Kushtetutës, jo që nuk kanë mallkuar shtypin, por në të kundërt, e kanë trajtuar me shumë respekt edhe pse më shumë i kanë hapur probleme. Për këtë është media dhe për këtë quhet pushtet i katërt. Së paku, në Amerikë askush nuk ka fituar me median.

Presidenti Trump ka prerë marrëdhënien me shtypin për arsye se nuk do të ballafaqohet me median direkt, po ka një komunikim direkt me popullin nëpërmjet “Twitter”. Ky komunikim ka një anë, atë çka do të japë Presidenti dhe jo atë çka do të kërkonte shtypi për të krijuar transparencën nëpërmjet pyetjeve që do i drejtonin Presidentit.

Në të kundërt, Presidenti, si kurrë më parë, ka fyer, ka mallkuar median për të krijuar frikë dhe frustrim, tipar ky i udhëheqësve autoritaristë, por që nuk mund të funksionojë në Amerikë për shkak të mënyrës se si është ndërtuar sistemi amerikan, kontroll – balancë e pushteteve dhe garancisë së lirive nëpërmjet Kushtetutës.

Presidenti Trump ka thënë: “Nuk ka asgjë për të fshehur! Le të zbardhet raporti i Mueller (prokurori i posaçëm që hetoi lidhjet e fushatës së Trump me Rusinë)”. Tani që kongresi kërkon të hapen 400 faqe të raportit të prokurorit special, Robert Muller, Presidenti thotë se kjo është një çmenduri!

Trump thotë se nuk ka problem me taksat, por nuk pranon të hapen ato!

Trump, në 980 ditë si President, është kapur 720 herë në gënjeshtër apo duke thënë dy gjëra të ndryshme për të njëjtën gjë.

Prokurori Përgjithshëm i SHBA-ve, William Barr, po vonon t’i dorëzojë dosjen Kongresit, por që do t’ia dorëzojë deri më datë 15 prill 2019, maksimumi. Komiteti Juridik në Kongres, ka dërguar kërkesën për rreth 80 vetë dhe institucione, që kanë marrëdhënie për akuza për korrupsion, abuzim i fuqisë së pushtetit nga Presidenti Trump dhe bashkëpunëtorë të tij dhe familjarë.

Në një kohë që fillon dhe fushata për Presidentin në 2020, lufta politike do të jetë e ashpër si asnjëherë më parë, thonë analistët. Trump ka kundër median, përveçse “Fox News”. Media ka rol të madh në zgjedhje, sidomos këto që vijnë, të cilat do të tregojnë dhe atë çfarë ka ndodhur në nëntor 2016. Në anën tjetër, pritja se çfarë do të dalë nga zbardhja e raportit “Muller”, ku rreth 38 persona që kanë punuar rreth Presidentit në atë dosje janë dënuar apo kanë rekorde kriminale për korrupsion, pastrim parash, transferta offshore, shmangie taksash etj., si p.sh. Michael Cohen, ish-avokati i Trump, Paul Manafort, ish-shefi i fushatës së Trump në 2016-n, Michael Flynn, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Rick Gates, George Papadopoulos dhe shumë të tjerë.

A thua Presidenti të ketë qenë kaq i verbër sa të mos ketë kuptuar asgjë se çfarë ndodhte rreth tij me bashkëpunëtorët e tij më të afërt?! Fjalën e fundit e thotë drejtësia amerikane.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit