-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

10 mashtrimet më famoze të Veliajt

Më të lexuarat

1 prilli mund të quhet pa frikë dita e politikanëve. Por nëse ekziston njëri prej tyre që mund ta kremtojë me plot gojën atë, ai është kryebashkiaku aktual i Tiranës. Gënjeshtrat që atij i kanë evidentuar mediat janë fantastike dhe kalojnë për nga pafytyrësia dhe imagjinata të gjithë homologët e tij. Lapsi.al ka gërmuar nëpr arkivat e medias sonë për të sjellë sot në këtë ditë të veçantë ajkën e “shpikjeve të Erion Veliajt, që kur ishte në opozitë, kur u bë anëtar qeverie dhe tani që e hapi përfundimisht thesin si kryebashkiak.

1) Mashtrimi i Griseldës, i çuar në Bruksel

Në opozitë Erion Veliaj kuronte marrëdhëniet me jashtë të PS-së. Gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, kur PS arriti rezultatin surprizë në Kavajë, duke ia marrë për herë të parë këtë qytet Berishës me ndihmën e Elvis Roshit, menjëherë pas fitores plasi një skandal. U tha se e dashura shtatzanë e Roshit, Griselda, ishte rrëmbyer dhe për këtë përgjegjësia i lihej pushtetit të Berishës. Erion Veliaj nxitoi t’i shkruante personalisht një letër informuese Brukselit:

Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. …

Vetëm pas pak ditësh u morr vesh se Griselda Zaimi as nuk qe rrëmbyer, as nuk qe gjakosur dhe për më tepër as nuk qe me barrë. Ajo thjesht kishte gënjyer të dashurin e saj. Por Eri, që atëherë nuk qe bërë ende Lali, nxitoi ta raportonte këtë gënjeshtër, pothuajse të pabesueshme, në Bruksel, me aluzione të qarta se ishte një krim politik. I njëjti njeri që bën thirje sot të merremi me punë dhe jo me shpifje dhe për të mos nxirë fytyrën e vendit jashtë, kur ishte në opozitë vepronte ndryshe.

2) Të shtunën u martova, të dielën në punë shkova

Ky refren i vjetër soc-realist, që himnizonte njeriun e punës, nuk ka lënë pa infektuar edhe ish ministrin e Mirëqenies dhe Punëve Sociale. Dasma e tij në Gjirokastër, në fillim të shtatorit 2014 shkaktoi shumë bujë. Ai nuk ndaloi me justifikime, se atë e kishte bërë me kursimet e mamasë, se kishte dashur të promovonte zonën e tij elektorale Gjirokastrën, se nuk kishte shkelur asnjë ligj duke u martuar atje ku s’mundet askush tjetër.

Por kulmi i kulmeve qe se të nesërmen ai shpërndau në të gjithë TV e vendit një kronikë që megjithëse kishte festuar deri në orët e para të mëngjesit, të nesërmen kishte dalë në punë për të inspektuar shkollën profesionale Thoma Papapano në Gjirokastër. Por pa kaluar 24 orë, televizioni ABC pyeti drejtuesit e shkollës profesionale që mohuan të jenë takuar me ministrin të dielën e 7 shtatorit. Ata kishin patur një takim me Veliajn, një javë më parë. Stafi i ministrit i kishte ruajtur këto pamje, bashkë me njoftimin e shtypit, për t’ua shpërndarë mediave sikur takimi ka ndodhur një ditë pas dasmës.

3) Nuk do të firmos asnjë leje ndërtimi në Tiranë

I katapultuar në bashkinë e kryeqytetit, Erion Veliaj i fitoi votat edhe falë premtimit se nuk do të firmoste asnjë leje ndërtimi në Tiranën e mbingarkuar me ndërtime dhe me plot 8 mijë apartamente të pashitura. Madje si për fatin e tij të keq ai shtoi: Edhe nëse ndodh një mrekulli dhe ato shiten, ndërtimet do të bëhen në periferi dhe jo në qendrën e mbingarkuar.

Kur u përball më vonë me këtë fakt, prodhoi një gënjeshtër të dytë: “Ato 8 mijë u shitën, se Tirana është bërë aq shumë atraktive sa vijnë shumë çifte të reja”. Por njeriu që deklaroi se nuk donte të mbahej mend si betonizues, harroi se kishte deklaruar se edhe po të shiteshin ai nuk do firmoste leje të reja në qendër. Në fakt po firmos vetëm aty.

4) Vdekja e Arditit dhe gënjeshtrat për prokurorin

Ende pa marrë mirë detyrën, Erion Veliaj u përball me një skandal makabër. Një i ri, Ardit Gjoklaj, u gjend i vrarë në landfillin e përpunimit të plehrave të Tiranës dhe u fsheh mes tyre.

Megjithëse ushtroi presion mbi mediat, hoqi nga puna gazetarë dhe mbylli emisione investigative (Fakte tashmë të çertifikuara edhe nga organizma prestigjozë ndërkombëtarë të lirisë së shtypit) ai tentoi të manipulonte edhe hetimin me anë të lidhjeve me prokurorin e Tiranës, Petrit Fushaj. Kur u pyet për këtë në “Opinion”, ai gënjeu hapur: “Nuk kam asnjë lidhje me të, e kam takuar vetëm një herë që kishte një celebrim. Ai nuk ishte fare prokuror i kësaj çështje. Bashkia s’qe fare e përfshirë në këtë çështje dhe siç doli nga tjetër prokuror dhe tjetër vendim gjykate, ngjarja kishte ndodhur jashtë Sharrës, ishte sjellë në Sharrë siç kemi pasur plot raste ku krimet kryhen në një vend dhe transportohen diku tjetër”,-tha Veliaj.

Gënjeshtra qe e disafishtë. E para në kohën e hetimit mediat botuan një foto të kryebashkiakut duke drekuar me kryeprokurorin e Tiranës (pra jo gjatë një celebrimi) dhe e dyta ai kishte lidhje me atë dosje se si shef i institucionit, kontrollonte dhe drejtonte punën e çdo dosjeje.

5) Fallcifikuesi i gjobave policore

Pas mitingut të dhunshëm të PD-së, që dogji dhe bunker- artin, Erion Veliaj u vu në qendër të vëmendjes duke gjobitur Partinë Demokratike për dëmet e shkaktuara në qytet, sipas devizës propagandistike: ne punojmë ata shkatërrojnë. Madje për ta bërë gjithçka konkrete ai nxori në Facebook edhe faksimilen e gjobës.

Por polici bashkiak Besmir Karaji, që kishte firmosur “ndëshkimin” e ekzagjeruar për opozitën, tha se ai dokument ishte i fallcifikuar dhe se ai nuk kishte nënshkruar asnjë gjobë. I kapur gafil, “Lali” doli  të deklarojë: “Nëqoftëse ajo firmë nuk është e tij do të mbaj unë përgjegjësi”. Por pasi kaloi një farë kohe, ekspertiza e Policisë Shkencore së Ministrisë së Brendshme ka vërtetuar se fletë- gjoba nuk është plotësuar nga ana e inspektorit bashkiak, emri i të cilit figuron në dokument. Veliaj u detyrua ta fshijë nga Facebboku i tij faksimilen e gjobës që kishte botuar më parë.

Gjoba e Kryebashkiakut Veliaj për PD-në është e falsifikuar

6) Mos i besoni “bamirësit” të Romëve

Duke ditur se çështja e tyre ka një impakt ndërkombëtar, Erion Veliaj është përpjekur shpesh të bëjë si mbrojtës i romëve duke pozuar me fëmijë me ngjyrë në krahë apo duke i ushqyer ata në mencat sociale. Por ai është kapur në një gënjeshtër banale kur ka pretenduar se ka marë një çmim ndërkombëtar nga BE si promovues i tyre.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, gati një vit më parë, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu falenderimet e tij për gjithë ata që bënë të mundur që ai të nderohej me çmimin: kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom.

“Marrja e çmimit “kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom” nga Komisioni Europian, më frymëzon për të vazhduar edhe më tej në këtë fushë të madhe të emancipimit, që të gjithë kemi nevojë”, shkroi Veliaj në Facebook. Por, ndryshe nga sa pretendonte Veliaj, BIRN hetoi dhe vertetoi se ky çmim, që është pjesë e një projekti në Ballkanin Perendimor dhe Turqi, nuk ka lidhje me Komisionin Europian, por jepet nga një OJF shqiptare në bashkëpunim me një rrjet organizatash simotra në rajon. Çmimi jepet nga organizata ‘Roma Active Albania’ dhe rrjeti i organizatave ‘European Roma Grassroots Organization’, ERGO. Kryebashkiaku e ngriti mashtrimin mbi faktin se ceremonia e dhënies së çmimit u organizua në Parlamentin Europian si pjesë e ‘Javës Rome 2018.”

 

7) Fabula e 100 mijë pemëve

Në 21 mars të 2011 Erion Veliaj shpalli rekordin e përsëritur ditë pas dite në të gjitha ekranet, se ai arriti të mbjellë plot 100 mijë pemë në Tiranë dhe rrethinat e saj. Duke u nisur nga fakti se kryebashkiaku jo vetëm e propagandoi këtë si një sukses të madh, por shpalli edhe se nga qyteti më i ndotur në Ballkan, sot Tirana falë këtij aksioni ishte tre herë më e pastër se Shkupi, emisioni “Ajsberg” i Artur Çanit bëri një investigim të detajuar për të parë sesa qëndronte propaganda e Veliajt. Nga ky emision hulumtues rezultoi se “Nga infomacioni me shkrim që i është dhënë emisionit Ajsberg nga Agjencia e Parqeve dhe rekreacionit, dokumentohen që deri në 21 mars 2018, ishin mbjellë gjithsej 22 mijë pemë, pra vetëm një e katërta (faksimilja poshte)”.

 

Po ashtu hije dyshimi u hodhën edhe mbi çmimin e pemëve. Gazetari i emisionit ka krahasuar çmimet e nxjerra në faqen zyratre te Bashkise me ato të fermerëve që shesin privatisht. Ndryshimi është i konsiderueshëm.

Pikërisht për këto arsye, Ajsberg pretendoi se propaganda e mbjelljes së pemëve është nuk është asgjë më shumë sesa një fushatë e turpshme, jo vetëm për kreun e bashkisë, por edhe për televizionet më të mëdha të vendit që janë shndërruar në servise të turpshme të kryebashkiakut.

8) Teatri do shembet, përbën rrezik për jetën

Erion Veliaj duke dashur t’i shërbejë Edi Ramës për projektin e shembjes së Teatrit Kombëtar, ka bërë jo pak akrobaci, ka joshur dhe ka blerë aktorë, ka zhvilluar takime propagandistike, ka thënë gënjeshtra pa fund. Por më flagrantet janë ato se materialet e godinës së vjetër shkaktojnë kancer dhe ajo është e rrezikuar të shembet nga dita në ditë.

Por ai del bllof sa herë që duhet të përballet me ato që ka lëshuar nga goja për interesat e ditës. Kështu i ndodhi në “Opinion”, kur Blendi Fevziu i vuri në ekran një nga drejtuesit e lëvizjes për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Kastriot Çipin. Ai i kujtoi kryebashkiakut se kishte thënë publikisht se godina ishte e rrezikshme për jetën e njerëzve. Regjisori theksoi se Veliaj kishte gënjyer publikisht pasi Raporti i institutit të ndërtimit që ai i referohej, nuk e përmendte asnjë herë termin “i rrezikshëm”. Duke u nisur nga këto ai tha se do ta padiste autorin e deklaratës.

Por Veliaj iu shmang totalisht thelbit të pyetjes, pra pse ka gënjyer dhe filloi të belbëzojë se Çipi ka vjedhur paratë e një filmi dhe për këtë është dënuar edhe nga gjykata. Por, e vetmja gjë për të cilën ai qe vendosur të mos kthente përgjigje qe ajo për të cilën u pyet realisht: pse gënjeu publikun duke shpikur termin “i rrezikshëm” duke ngjallur paranojën e një salle e cila mund t’i zinte brenda aktorët dhe spektatorët.

Ka kaluar një vit që atëherë por salla është ende në këmbë.

Lojtës Videosh

00:00
03:03

 

9) Një muaj jashtë dhe çdo ditë në TV

Nga një investigim i hollësishëm i gazetarit Artur Çani në tetor 2017, ka rezultuar se Veliaj kryen aktivitete në Tiranë edhe kur fizikisht ndodhet jashtë shtetit. Gazetari ka vëzhguar të gjithë aktivitetin e Veliajt gjatë këtij muaji. Dhe çfarë ka rezultuar: se në 5 tetor gjendet në Lubjanë, por shqiptarët e shohin në ekran duke përuruar palestërën e shkollës “Qemal Stafa”. Se në 11 tetor gjendet në Goteborg të Suedisë, por tiranasit e shohin në ekran duke inspektuar punimet e një këndi lojrash.

Veliaj ka dalë jashtë sërish në 15 tetor (09:10) dhe është kthyer në 21 tetor (14:25). Një javë jashtë Shqipërisë. Por edhe kësaj radhe, pikërisht në 15 Tetor, Veliaj shfaqet në rikonstruksionin e rrugës ”Kujtim Laro”, në datën 16 Tetor shfaqet duke inspektuar trotuaret dhe rrugën ”Ali Demi”, në 17 tetor shfaqet duke inspektuar këndin e lojrave në Njësinë Nr.7, në 18 Tetor i pranishëm në rikualifikimin urban të bllokut të banimit te Fusha e Aviacionit, në 19 tetor duke inpektuar nisjen e punimeve në rrugën ”Heirmann Gmeiner” të Njësisë numër 2, në 20 tetor në përfundimin e punimeve të fushave sportive te ”Fan Noli” dhe në 21 tetor në përfundimin e rikonstruksionit të rrugës ”Ali Shefqeti”.

Të gjitha këto shfaqje duken në kronikat televizive dhe në faqen e bashkisë që e drejton vetë.

Kryebashkiaku ka dalë sërish jashtë vendit në 22 tetor (07:47) dhe është rikthyer në 26 tetor (12:54). Pra edhe 5 ditë të tjera po jashtë vendit. Por, si gjithnjë, në datën 22 Tetor shfaqet me aktoren Hajrie Rondo,  në datën 23 Tetor përfundon rikualifikimin urban të një tjetri blloku pallatesh në Njësinë Nr.4 ku Veliaj është i pranishëm, në 24 Tetor përfundon një tjetër investim në zonën e Farkës, në datën 25 Tetor Veliaj shfaqet në televizion në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” për nisjen e rikualifikimit urban.

Dhe dalja e fundit e muajit është 27 tetori (13:23) për t’u rikthyer në 30 tetor (14:22). Katër ditë të tjera jashtë. Në datën 28 Tetor Veliaj shfaqet duke inspektuar punën për zhvendosjen e nënstacionit elektrik te Unaza e Vogël. Në datën 30 Tetor flet me zë dhe figurë nga Njësia Administrative Numër 7.

E gjithë ajo kronikë tregonte se si punon me anë të zyrës së tij të manipulimit, me 60 veta që paguhen nga taksat e Tiranës, Erion Veliaj.

 

10) Leja skandaloze

Erion Veliaj ka gënjyer rëndshëm në “Opinion” pas një denoncimi të Lapsi.al se bashkia ka zbardhur një leje ndërtimi në mes të Tiranës, pas restorant Piaza, kur një nga pronarët e tokës nuk ka dhënë konsensusin për një gjë të tillë. Pra një skandal flagrant që nuk kishte guxuar ta bënte më parë as Edi Rama dhe as Lulzim Basha si paraardhës të tij në bashki.

Pak ditë pasi ne botuam këtë skandal, që përbënte një akt të pastër shpërdorimi detyre (shihe ketu), Erion Veliaj, në vend që të jepte përgjigje është mbrojtur duke mos u marrë me faktin, por duke thënë se miqtë e tij tek stilolapsi e kanë botuar këtë lajm nga naiviteti, vreri apo inati. Ai ka thënë pastaj se pronari i dëmtuar i tokës, i ka dhënë vetëm gjysmën e dosjes medias tonë, pra duke nxjerrë në fund të saj një përfundim të pasaktë.

Lapsi.al në fakt e dispononte dosjen e plotë që kur e dha lejen e parë Edi Rama në 4 shkurt 2003. Ne kishim mbi tryezë të gjitha vendimet e gjykatave si dhe refuzimet që bashkia e Bashës dhe e Ramës, ndryshe nga Veliaj, kanë bërë për të lejuar fillimin e ndërtimit.

Administra e bashkisë aktuale pretendoi se një vendim gjykate e detyroi ta ripërtërijë lejen për 4 vjet, por atë s’e pengonte askush ta mbante pezull zbardhjen e saj, ashtu sikurse bënë paraardhësit, derisa të zgjidhej çështja e pronësisë.Vetëm një interes çmendurisht i madh mund ta detyronte Erion Veliajn të lejojë fillimin e ndërtimit, pa konsensusin e pronarëve të truallit.

©Lapsi.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit