Mediet serbe kanë folur rreth njohjeve dhe ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke ironizuar kështu edhe me ministrin e jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Lajme të këqija arritën në Beograd vitin e kaluar në afërsi të kremtimit të Sretenjës, festës shtetërore të Serbisë, Barbados njohu pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Kosova përkujton 15 shkurtin e 2018-tës shumë më mirë sesa Beogradi. Gjegjësisht, askush nuk e ka njohur Kosovën që nga ajo ditë dhe deri tani 13 vende e kanë tërhequr njohjen”.
Kështu e fillon artikullin telegrafi serb, duke e përqeshur diplomacinë kosovare në raport me prurjen e njohjeve të reja.
Ata vazhdojnë duke thënë se: “Kur marrim parasysh gjithçka në 13 muajt e fundit, 13 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre dhe asnjë shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës”.
Këto statistika katastrofike kanë qenë në qendër të vëmendjes në Kosovë ditët e fundit, thuhet në medien serbe duke vazhduar se, Serbia po punon vazhdimisht në tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Ata duke u bazuar në deklaratat e analistëve dhe të opozitës në Kosovë, shprehen se diplomacia e Kosovës në krye me Behgjet Pacollin ka dështuar dhe nuk po punon aq mirë.
Në këtë artikull të Telegrafit serb thuhet se vetëm 101 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se “atje pretendohet se janë 116 sosh”.
Nga ana tjetër, jo vetëm që Beogradi arriti të ndalojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, por 13 shtete tërhoqën njohjen sipas tyre e ato janë: Madagaskari, Ishujt Solomon, Lesoto, Surinami, Grenada, Komore, Burundi, Dominika, Sao Tome dhe Principe, Liberi, Guinea-Bissau, Papua Guinea e Re dhe Palau i fundit.
“Ne jemi pranë faktit se më pak se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara do të njohin pavarësinë e Kosovës”, tha kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Daçiq madje ka ironizuar duke u shprehur se as Sherlock Holmes nuk mund të përcaktojë se sa vende e njohin Kosovën si shtet.