Turqia ka paralajmëruar Perëndimin rreth injorimit të islamofobisë, duke thënë se duke vepruar kështu mund të nxiten sulme tjera vdekjeprurësë.
“Injorimi i islamofobisë mund vetëm të krijojë terren për sulme të ngjashme terroriste si ai i javës së kaluar në Zelandë të Re”, thuhet në kumtesën e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Republikës së Turqisë, ku shtohet se sulmet e këtilla përmbajnë urrejtje kundër Turqisë, duke iu referuar porosive anti-turke të manifestit të terroristit.
Gjatë një mbledhjeje të rregullt, këshilli ka dënuar ashpër sulmin terrorist në dy xhaminë në Christchurch dhe vrasjen e “njerëzve të pafajshëm për besimet e tyre”.
Të paktën 50 muslimanë u vranë dhe po aq u plagosën kur 28-vjeçari Brenton Tarrant, i lindur në Australi, hyri në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch dhe hapi zjarr ndaj besimtarëve të pranishëm, duke vrarë me gjakftohtësi edhe katër fëmijë nën moshën 18 vjeçare.
Gjatë mbledhjes së këshillit gjithashtu u tha se Turqia do të vazhdoj të luftojë të gjitha grupet terroriste me vendosmëri të palëkundur dhe se asnjëherë nuk do të lejoj formimin e korridorit terrorist përgjatë kufirit jugor.
Duke iu referuar zhvillimeve në Siri, theksohet se migrimi nuk mund të ndalet pa u pastruar grupet terroriste nga qyteti sirian Manbixh dhe nga lindja e Eufratit për të siguruar stabilitet.
Turqia është zotuar se do të nisë operacion kundër forcave terroriste të PYD/YPG në lindje të lumit Eufrat në Siri.
Organizata PKK, që është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-ve dhe BE-së, në ekspeditën e saj terroriste 30 vjeçare kundër Turqisë është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e sajë në Siri.
Përpos kësaj, gjatë mbledhjes së këshillit janë shqyrtuar masat e sigurisë për të siguruar zgjedhje të qeta lokale në 31 mars.
Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, të martën tha se Turqia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në prag të zgjedhjeve lokale.
“Ne jemi të sigurt se zgjedhjet do të zhvillohen në ambient të sigurt dhe pa probleme”, tha ai. Në këto zgjedhje konkurrojnë gjithsej 12 parti politike./AA