Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se masakra e së premtes së kaluar në dy xhami të Zelandës së Re nuk duhet të lidhet në asnjë mënyrë me krishterimin dhe se sulmuesi nuk është i ndryshëm nga terroristët e Shtetit Islamik.
“Refuzoj kategorikisht çdo përpjekje për t’i lidhur sulmet terroriste të javës së kaluar me mësimet, moralin apo parimet e krishterimit”, shkruante politikani mysliman në një artikull të botuar të mërkurën nga gazeta “The Washington Post”.
“Ajo që ndodhi në Zelandën e Re ishte produkti toksik i injorancës dhe urrejtjes”, shkruante ai.
Sipas autoriteteve Brenton Tarrant, një supremacist i bardhë australian, i dyshuar për vrasjen e 50 personave në qytetin e Christchurch-it, dukej shumë i interesuar për islamin dhe luftërat e tij historike me krishterimin. Muaj përpara sulmit, ai udhëtoi në vende të ndryshme evropiane ku janë zhvilluar betejave me Perandorinë Osmane që i parapriu Turqisë moderne. Sipas autoriteteve emrat e disa betejave krishtero-myslimane në Evropën Lindore mes shekujve të 14-të dhe 20-të ishin shkruar në karikatorët e pushkëve të tij. Në manifestin e tij të publikuar në internet, ai denigronte imigrantët që jetojnë në vendet perëndimore dhe bënte thirrje për hakmarrje ndaj myslimanëve.
Presidenti Erdogan e akuzonte sulmuesin 28 vjeçar, i cili kishte vizituar Turqinë dy herë në vitin 2016, për përpjekje për të “legjitimuar pikëpamjet e tij të mbrapshta falë shtrembërimit të historisë botërore dhe besimit të krishterë”. Zoti Erdogan shtonte se “ai kërkoi të mbillte farën e urrejtjes mes njerëzve”.
Presidenti turk tha se Brenton Tarrant dhe ISIS-i ndajnë një objektiv të përbashkët: pushtimin e Stambollit. ISIS-i shkruante ai, bëri thirrje për “pushtimin” e Stambollit sikurse sulmuesi i Christchurch-it zotohej në manifestin e tij për ta bërë qytetin “edhe një herë të krishterë”.
“Nga kjo pikëpamje, duhet të përcaktojmë se nuk ka absolutisht asnjë dallim mes vrasësit të njerëzve të pafajshëm në Zelandën e Re dhe atyre që kanë kryer veprime terroriste në Turqi, Francë, Indonezi e gjetkë”, shkruante zoti Erdogan.
Zoti Erdogan shkruante se edhe udhëheqës të tjerë myslimanë janë zotuar të kundërshtojnë “çdo përpjekje të terroristëve për të marrë peng fenë tonë” pas sulmeve të ISI-sit, por “islamofobia dhe ksenofobia, mes praktikave të tjera të papajtueshme me vlerat liberale, janë pritur me heshtje në Evropë dhe në vende të tjera të botës perëndimore. Nuk kemi luksin ta lejojmë këtë të ndodhë përsëri”, shkruante ai.
Zoti Erdogan tha se pas masakrës së Christchurch-it vendet perëndimore kanë “përgjegjësinë” të bëjnë thirrje për të “refuzuar normalizimin e racizmit, ksenofobisë dhe islamofobisë, që ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit”.
Ai përshëndeti vendimin e Kryeministres së Zelandës së Re Jacinda Ardern për t’u bërë thirrje udhëheqësve perëndimorë të “të mbështesin myslimanët që jetojnë në vendet e tyre”./VOA/