-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ajetul-Kursij dhe komentimi i tij

Më të lexuarat

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

“All-llahu la ilahe il-la Hu. El-hajjul-kajjum. La te-hudhuhu sinetun ue la neum. Lehu ma fis-semavati ue ma fil-erd. Men dhel-ledhi jeshfeu aindehu, il-la bi idhinihi. Jaëlemu ma bejne ejdihim ue ma halfehun, ue la juhitune bi shej-in min alimihi il-labi ma shae. Uesia kursijjuhus-semauati uel erda, ue la jeduhu hifdhuhuma ue huve-l-alijjul-adhim.”

Shqip: Allahu. Askush nuk meriton të adhurohet, përveç Tij. I Përjetshmi, Ai që furnizon dhe mbron gjithçka që ekziston. Atë nuk e kap as dremitja, as gjumi. Atij i përket çfarëdo që është në qiej dhe në tokë. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij? Ai e di çfarë u ndodh atyre [në këtë botë] dhe çfarë do të ndodhë pas tyre [në botën tjetër]. Ata kurrë s’do të mund të nxënë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç asaj çfarë do Ai. Kursi-a e Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën, dhe Ai nuk ndjen lodhje në kujdesin ndaj tyre. Ai është më i larti, më I madhi.

Ky ajet është ajeti më madhështor në Librin e Allahut, mu siç është konstatuar në përgjigjen e Ubej bin Ka’b [Ebul-Munthir] ndaj pyetjes se pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]:
– Cili ajet në Librin e Allahut është më madhështori?
– Ajeti i Kursisë, – u përgjigj Ubej, pas çka pejgamberi e goditi në gjoks dhe i tha:
– Qofsh i gëzuar me dije, o Ebal-Munthir!

Për këtë shkak, kushdo që e thotë atë natën [para së të flejë], Allahu do ta caktojë një roje për të, i cili do ta ruajë tërë natën, dhe asnjë shejtan s’do t’i afrohet, deri në mëngjes. Ky ajet ka dhjetë fjali. Secila prej tyre ka një domethënie madhështore. Allahu ka thënë [në fillim]:

“Allahu”

Fjala Allah, është e veçantë për qenien më të lartë, domethënë emër i veçantë për vetë Allahun, të plotfuqishmin e të madhërishmin. Ky titull s’është i zbatueshëm për tjetërkënd veç Allahut, qoftë në kohërat e periudhës para-islamike [xhahilijeh], qoftë në kohën e Islamit. Sepse Allahu është Rabbul-Alemiin [Zoti i tërë krijimit], i plotfuqishmi e madhështori.

Në ndërtimin e fjalisë, termi Allah është kryefjala [mehetul-khaber] e pjesës tjetër të fjalisë apo mehetul-isnad [termi mbi të cilin bazohet pjesa tjetër e fjalisë]. Kjo fjalë, pra, termi madhështor [Allah], është kryefjalë, kurse ajo që vjen pas saj [nga cilësitë e kryefjalës] është ose kallëzues, ose ndajshtim shpjegues.

Vendimi i parë në [raportin e një cilësie ndaj kryefjalës së vet] ‘Allahu. La ilahe ile Hue’, është ‘la ilahe ile Hue/askush nuk meriton të adhurohet, përveç Tij’.

AIlah do të thotë me’luuh apo ai që adhurohet nga dashuria dhe respekti. Asgjë nuk e meriton këtë cilësi, përveç Allahut, Atij që është i pastër nga çdo e metë. Të gjithë zotat krahas Allahut, të cilët adhurohen në tokë apo në qiej, si p.sh. engjëjt, nuk meritojnë të adhurohen. Ata quhen zota, por nuk e meritojnë të drejtën që e meriton Allahu, Zoti i botëve. Ai, i lartësuari, ka thënë:

“O njerëz, veçoni Zotin tuaj [Allahun] me adhurim, Atë që ju krijoi juve dhe të gjithë ata që qenë para jush, që të jeni nga ata që arrijnë devotshmërinë [takua]. Është Ai që e bëri tokën vend për pushimin tuaj, e bëri qiellin si një kupë, zbriti ujin [shiun] nga qielli dhe nxori fruta si furnizim për ju. Atëherë, mos i vëni ortakë Allahut [në adhurim] ndërsa e dini [se Ai s’ka ortak] [el-Bekareh, 22]

Fjala ilah – diçka që adhurohet – është një emër i /la. Në këtë ndërtim, /la është negativi që mohon llojin [xhins]. Këtu, kjo tregon mohimin e përgjithshëm e absolut të të gjitha llojeve që i përkasin një kategorie. Duke qenë vetë një tekst i përgjithësuar, la ilahe është një mohim i qartë dhe përfshirës i të gjitha llojeve [të zotave të rrejshëm].

Thënia e Tij ile Hue, që do të thotë ‘përveç Tij’, në kuptimin gramatikor është një zëvendësim për njoftimin e munguar la, e cila është një fjalë me domethënie të kuptueshme, por që nuk shprehet me fjalë dhe e cila është e domosdoshme për të plotësuar domethënien. Pra, kjo fjalë është e drejtë dhe me vend. Sipas kësaj, domethënia është: la ilahe ile Hue/Askush nuk meriton të adhurohet, përveç Allahut.

Kjo fjali madhështore: la ilahe ile Hue/Askush nuk meriton të adhurohet, përveç Tij, tregon mohimin e theksuar dhe absolut të një perëndie të vërtetë, përveç Allahut.

Sa i përket thënies së Allahut: ” … i Përjetshmi, Ai që furnizon dhe mbron gjithçka që ekziston”

Këta dy janë emra të Allahut, të cilët përfshijnë përsosurinë e cilësive dhe të veprimeve. Emri el-Hajj i Përjetshmi, përfshin përsosurinë e cilësive, kurse el-Kajjum përfshin përsosurinë e veprimeve. Domethënia e el-Hajj është: Ai që posedon jetesë të përsosur. Ky përfundim nxirret nga nyja ??/el në el-Hajj, e cila në aspektin gramatikor përdoret për të treguar [mes tjerash] kombinimin e të gjitha të përsosurave [në cilësi, dhe në termet ku kjo përdoret (el-Istighraak)].

Kjo, po ashtu, tregohet në rastin e qenies dhe mosqenies si dhe përsosurisë e papërsosurisë. Në fakt, nëse e shqyrtojmë jetën e njeriut, e gjejmë atë si të papërsosur, sepse ajo zë fill në mosqenie dhe përfundon në mosqenie.

Gjithashtu, jeta e njeriut është e papërsosur sa i përket cilësive dhe veprimeve të tij, sepse dëgjimi i tij, shikimi, të folurit e veprimet, të gjitha janë të papërsosura. Si e tillë, jeta e njeriut është e papërsosur nga të gjitha pikëpamjet: në qenie dhe në mosqenie si dhe në lidhje me cilësitë e pandashme të vetë jetës. Mirëpo, sa i përket Allahut, më të lartit e madhështorit, jeta e Tij është e përsosur, që as nuk është paraprirë nga mosqenia, as nuk pasohet me kalimin në hiçgjë. Allahu, më i larti, ka thënë:

“Zini besë dhe mbështetuni në Atë që është i Përjetshëm dhe kurrë nuk vdes” [el-Furkan, 58]

“Gjithçka në të [tokë] do të mbarojë, kurse Fytyra e Zotit tënd, që është plot madhështi e nder, do të mbetet ngaherë » [er-Rrahman, 27]

Për këtë arsye, selefët kanë thënë:”Personi duhet ta lidhë e të mos ndalet [kur të recitojë fjalën ‘mbarojë’ në ajetin e mësipërm], sepse kjo tregon mënyrën e duhur të përsosurisë. Aspekti i vërtetë i përsosurisë së Allahut qëndron jo vetëm në faktin se krijimi do të mbarojë, por dhe në ekzistimin e pafund të Allahut, më të fuqishmit e më madhështorit”.

Veç kësaj, jeta e Allahut është e atillë që as nuk përcillet me asgjësim, as me mungesë:

“Gjithçka do të mbarojë, përveç Fytyrës së Tij” [el-Kasas, 88]

Vërtet, Allahut të plotfuqishëm e të madhërishëm i përket jeta e ngahershme dhe e përsosur.

Për më shumë, jeta e Allahut karakterizohet me përsosuri të cilësive: dëgjimit, shikimit, dijes, aftësisë, mundësisë dhe të gjitha tipareve të përsosurisë. Për këtë shkak, nyja /el tregon kombinimin e të gjitha të përsosurave lidhur me ekzistimin e pafund.

Sa i përket thënies së Allahut « el-Kajjum », kjo e ka zanafillën në fjalën el-kijaam, dhe vlerësimi i el-Kajjum është fejj’uul, që është një formë intensiteti. Emri el-Kajjum do të thotë Ai që mbahet gjallë vetvetiu dhe i mban gjallë të gjitha gjërat. Allahu, më i larti ka thënë:

“A është Ai që mban [ruan, furnizon, etj] çdo person dhe e di për tërë atë që ai ka fituar?” [er-Rad, 33]

Allahu mbahet vetvetiu, meqë Ai ka thënë:

“Allahu është i Pasuri [që s’ka nevojë për ndonjë gjë], i denjë për gjithë lavdërimin” [et-Taghebun, 6]

Pra, Allahu absolutisht s’ka nevojë për krijesat. Ai mbahet vetë. Ai s’ka nevojë për pije apo për ushqim, se Ai është që ushqen e nuk ushqehet. Ai nuk ka nevojë as për mbështetës, as për ndihmës, as për zëvendës e as për këshilltarë. Ai mbahet vetvetiu në përsosuri.

Nëse ndokush thotë: Si të bashkërendisim domethënien e lartpërmendur të el-Kajjum me thënien e Allahut:

“O ju që besoni, nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t’ju ndihmojë juve” [Muhammed, 7] dhe

“Vërtet, Allahu do t’i ndihmojë ata që e ndihmojnë Atë” [el-Haxh, 40]?

Çka nënkuptohet me vërtetimin nga e Tij e të qenit i ndihmuar? Përgjigja është se domethënia e menduar është ndihma në rrugën e fesë së Allahut, sepse Ai ka kontroll të plotë mbi gjithçka. Pra, gjithçka, përveç Allahut, është i varur nga Ai në ekzistencë, në përgatitje të çështjeve dhe në furnizim.

Në thënien e Tij “Atë nuk e kap as dremitja, as gjumi”, Allahu nuk ka thënë “Ai nuk fle”, por ka thënë “Atë nuk e kap”, me qëllim që të përfshijë gjumin që kaplon dhe gjumin me dëshirë. Nëse do të thoshim ”Nuk fle”, kjo do të nënkuptonte se Ai nuk fle me dëshirë. Mirëpo, Allahu i plotfuqishëm nuk fle as nga kaplimi, as nga dëshira, sepse gjumi është një cilësi e papërsosur, e cila bie ndesh me përsosurinë e Vetes dhe me përsosurinë në raport me të tjerët.

Personit që fle, humb shumë nga puna e tij, për shkak të këtij gjumi. Merrni parasysh, për shembull, rastin e një personi që ka shumë njerëz që punojnë për të dhe ai fle shumë. Ai s’ka mundësi të vejë në hesap apo të menaxhojë biznesin e çështjet tjera që kanë të bëjnë me këtë. Kjo, pra, është papërsosuria në raport me të tjerët.

Sa i përket vetë-përsosurisë, gjumi është pamjaftueshmëri, sepse trupi i personit lodhet dhe ka nevojë për gjumë për të pushuar nga ajo që ka kaluar, dhe si një mënyrë për të rinuar aktivitetin e vet, që të angazhohet në atë çfarë e pret. Për këtë shkak, banorët e xhenetit s’do të flenë, çka është një përsosuri e jetëve dhe e trupave që do të kenë. Dhe ata s’do ti godasë ndonjë sëmundje apo të ngjashme me këtë.

Nëse dikush thotë: Ne e dimë që personi i cili nuk fle, është i paaftë ta bëjë këtë për shkak se është i sëmurë apo nga ndonjë shkak tjetër, kurse ju thoni që mungesa e gjumit është një përsosuri. Shpjegoni këtë.

Themi: Kjo vlen për krijesën, dhe në këtë rast përsosuria është një çështje relative [në rastin e Allahut kjo është përsosuri]. S’ka dyshim që personi i cili nuk fle për shkak se është i sëmurë, ka një të metë, dhe, për këtë arsye, ai gjithnjë rri i molisur dhe i rraskapitur. Kështu, mirëqenia e tij nuk do të realizohet. Kjo është e qartë nga thënia e Allahut të lartësuar:

“Dhe e bëri gjumin tuaj pushim” [en-Nebe, 9]

Domethënë, gjumi është diçka që do të ndërpresë vështirësitë dhe lodhjen. Nëse Allahu do të flinte – dhe Ai është i pastër nga kjo e metë -, atëherë kjo do ta bënte të nevojshëm pushimin e Tij. Veç kësaj, krijimi do të shkatërrohej, sepse ata kanë nevojë për Të. Madje, edhe personi në gjumë, ka nevojë për Allahun. Në fakt, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] e luste Allahun natën, kur bëhej gati për të fjetur:

“Nëse ma merr shpirtin, mëshiroje [‘dhe fale’, në një tjetër transmetim]; nëse e lëshon, mbroje ashtu siç i mbron robërit Tu të drejtë”.

Shkurt fjala, është e pamundshme që Allahu, i Cili është i pastër nga çdo papërsosuri, të flejë. Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:

“Vërtet, Allahu nuk fle dhe nuk i ka hije të flejë”.

Shprehja “nuk i ka hije”, kur përdoret në Kur’an dhe në Sunet, do të thotë: ‘ajo që absolutisht s’është e mundshme të ndodhë’, meqë Allahu i lartësuar ka thënë:

“Nuk i ka hije er-Rahmanit [Allahut] të lindë një bir [apo fëmijë]” [Merjem, 92]

Duhet të përmendet se thënia e Allahut:

“Atë nuk e kap as dremitja, as gjumi”,

Ttregon es-sifat es-selbije [cilësi mohimi: që mohojnë çfarëdo papërsosurie dhe nënkuptojnë përsosuri]. Rregulli lidhur me Emrat dhe Cilësitë e Allahut është se s’ka diçka si cilësi të pastër të mohimit. Es-sifat es-selbije përmenden për shkak se nënkuptojnë përsosuri të cilësive, të cilat bien ndesh me ato të mohimit. Pra, për shkak të përsosurisë së jetës së Allahut dhe vetë-mbajtjes [kajjumijjeh], Atë nuk e kap as dremitja, as gjumi.

Në thënien e tretë, Allahu i lartësuar ka thënë:

“Atij i përket çfarëdo [maa] që është në qiej dhe në tokë”

Fjala: maa këtu është një emër lidhëzor [gram. Ism meusuul] me formë të përgjithësuar. Termi përdoret në këtë formë, me qëllim që të tregojë se përfshin qeniet dhe gjendjet e tyre. Domethënia, pra, është se Allahu është Ai, që zotëron me çështjet e çdo gjëje që ekziston në qiej e në tokë: në krijim, mbretërim dhe udhëheqje.

Fjalia: Atij i përket çfarëdo që është në qiej dhe në tokë », është një fjali dëftore, në të cilën kallëzuesi “Atij” i paraprinë kryefjalës e cila është emri lidhëzor maa/çfarëdo. Në këtë mënyrë, ka një gjendje gramatikore të përjashtimit [hasr], e cila tregon se vetëm Atij [Allahut] i përket çfarëdo që është në qiej e në tokë. Sipas kësaj, meqë të krijuarit, mbretërimi dhe udhëheqja e çështjeve i përket vetëm Allahut, është e detyrueshme për ne t’i nënshtrohemi vetëm Atij, ngaqë jemi robërit e Tij, dhe një rob duhet t‘i dorëzohet Atij që e posedon dhe zotëron me të, Allahut, i Cili është i pastër nga çdo e metë, më i larti.

Veç kësaj, duhet të kemi kujdes ndaj paracaktimit të Allahut, sepse jemi pronë e Tij. Dhe çfarëdo që posedohet nga Allahu, rendi është që të jetë e drejtë e Tij të udhëheqë me çështjet e asaj gjëje ashtu siç do Ai. E drejta është e njëjtë, qoftë kur paracaktimi ka të bëjë me vetë atë, me familjen e tij, me pasurinë e tij, me shokët e tij, me vendin e tij si dhe me pjesën tjetër të njerëzimit. Gjëja e rëndësishme këtu është se, meqë pushteti i përket Allahut, atëherë është e drejtë e veçantë e Tij të bëjë çfarë të dojë.

Në thënien e Tij: “Atij i përket çfarëdo që është në qiej dhe në tokë” termi “qiej” ka ardhur në shumës ndërsa fjala “tokë” është thënë në njëjës, ndonëse ajo që mendohet është shumësi. Në këtë vështrim, përdorimi i menduar i termit “tokë”, i referohet llojit [xhins].

Në thënien e katërt, Allahu, më i larti, ka thënë:

“Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij?”

Fjala “Kush”, është një përemër pyetës, dhe me përdorimin e pyetjes në fjali është menduar të theksohet mohimi [se askush s’mund të ndërmjetësojë] i qartë në pohimin i cili e pason atë: « … përveç me lejen e Tij ». Kurdo që një mohim merr formën e një formulimi pyetës, thënia mbushet me domethënien e sfidës.

– Ndërmjetësimi [esh-Shefa’eh]

Lidhur me thënien e Allahut të lartësuar “Ndërmjetësojë”, dije se:

1. Nga ana gjuhësore, termi shefa’eh do të thotë të bësh çift një numër tek.
2. Nga ana tradicionale, kjo i referohet parashtrimit të kërkesës [ndërmjetësim] me dikë në favor të tjetërkujt në bërjen e një dobie apo zmbrapsjen e një dëmi. Kështu, shefa’eh e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] për njerëzit, pasi t’i ketë kapluar ankthi dhe telashet, çka s’do të mund të durojnë, është një ndërmjetësim për ta larguar një dëm. Në anën tjetër, ndërmjetësimi i pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] për banorët e xhenetit për të hyrë në xhenet, synon sigurimin e një dobie.
3. Askush s’mund të ndërmjetësojë, përveç me lejen e Allahut [ile bi-idhnihi].

Lejimi i Tij është i përgjithshëm [kaunij]. Madje, edhe Muhamedi [salallahu alejhi ue selam], i cili ka pozitën më të lartë te Allahu, s’mund të ndërmjetësojë, përveç me leje paraprake nga Allahu. Atij [salallahu alejhi ue selam] do t’i jepet kjo leje, pasi ai të bie në sexhde para Allahut e ta lavdërojë Atë me lavdërime madhështore, për të cilat Allahu do ta udhëzojë në atë Ditë. Atëherë, do të thuhet:

“Ngrite kokën. Fol dhe do të dëgjohesh; ndërmjetëso dhe do të të pranohet”.

Dihet që askush s’ka pozitë më të lartë te Allahu sesa i dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam], por ai s’mund të ndërmjetësojë, përveç me lejen paraprake nga Allahu. Kjo, për shkak të përsosurisë së autoritetit të Allahut të madhërishëm. Sa më shumë të zbatohet autoriteti i mbretit, aq më shumë nderohet e respektohet ai. Njerëzit, madje, nuk flasin në gjyqin e tij po të mos flasë ai. Kini parasysh marrëdhëniet e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] me shoqëruesit e tij, të cilat i përshkroi emisari i kurejshitëve [Urweh bin Mes’ud] [Pasi u arrit marrëveshja e Hudejbijes]:

“Kur i flisnin atij, i ulnin zërat”.

E gjithë kjo nga respekti që kishin ndaj tij. Mund të gjeni që, nëse një mbret nderohet nga turma, atëherë askush s’mund të flasë në gjyqin e tij dhe në praninë e tij, për shkak të autoritetit të madh që ai ka.

– Kushtet e ndërmjetësimit të vërtetuar

Allahu, më i larti, e ka bërë të qartë se Ai nuk lejon ndërmjetësim, përveç për atë të cilin Ai e miraton dhe fjalët e të cilit janë të pranueshme për Të, si dhe për atë me të cilin Ai është i kënaqur, në emër të cilit kërkohet ndërmjetësimi. Si pasojë, idhujt e idhujtarëve s’mund të ndërmjetësojnë në emër të idhujtarëve, sepse këta të fundit nuk janë miratuar nga Allahu.

Sipas kësaj, kushtet për ndërmjetësimin e vërtetuar janë tri:

1. Leja e Allahut për të
2. Të qenit e Allahut i kënaqur me ndërmjetësuesin
3. Miratimi nga ana e Tij për atë në emër të të cilit kërkohet ndërmjetësimi.

Në thënien e pestë, Allahu i lartësuar ka thënë:

« Ai e di çfarë u ndodh atyre [në këtë botë] dhe çfarë do të ndodhë pas tyre [në botën tjetër] »

Dija, sipas dijetarëve të bazave islame [usuul], është të kuptuarit e natyrës së vërtetë të një gjëje. Prej këtu, pamjaftueshmëria e të kuptuarit është injorancë, të kuptuarit e pavendosur është dyshim, dhe të kuptuarit e sigurt që nuk përputhet me realitetin është injorancë e përbërë.

Për shembull, nëse pyetesh:”Kur ka ndodhur ekspedita e Bedrit?”, dhe ti thua:”Nuk e di”, atëherë kjo është injorancë. Nëse do të pyeteshe prapë me të njëjtën pyetje dhe ti do të thoshe:”Ka ndodhur në vitin e dytë apo të tretë të hixhretit”, atëherë ky është dyshim. Dhe, nëse në përgjigjen e njëjtë do të përgjigjeshe:”Në vitin e pestë”, atëherë kjo është injoranca e përbërë. Allahu, më i larti, i di gjërat tërësisht dhe në hollësi. Dija e Tij s’është si dija e robërve. Për këtë arsye, Ai ka thënë:

« Ai e di çfarë/maa u ndodh atyre [në këtë botë] dhe çfarë do të ndodhë pas tyre [në botën tjetër] »

Emri lidhor maa/??, është një formë e përgjithësimit [gramatikë], e cila përfshin gjithçka, qoftë e madhe apo e vogël, qoftë nga veprimet e Allahut apo nga veprimet e krijesave. Dija rreth asaj çfarë do t’u ndodhë atyre në të ardhmen, nënkupton se Allahu s’është i pavetëdijshëm rreth së ardhmes dhe dija e Tij rreth së kaluarës e bën të nevojshme që Ai të mos harrojë të kaluarën. Për këtë shkak, Firauni i tha Musës [alejhi-selam]:

« Ç’u bë me gjeneratat e kaluara? » [Ta-Ha, 51]

Musa [alejhi-selam] u përgjigj:

« Dija rreth kësaj është tek Zoti im, në një Shënim. Zoti im as nuk është i pavetëdijshëm, as nuk harron » [Ta-Ha, 52]

Kjo do të thotë se Allahu s’është as i pavetëdijshëm e as nuk e harron të kaluarën.

Në thënien e gjashtë, Allahu i lartësuar ka thënë:

« Ata kurrë s’do të mund të nxënë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç asaj çfarë do Ai »

Përemri i foljes “nxënë” i referohet ose të gjithë asaj që gjendet në qiej, ose shkronjës haa/në thënien e Allahut:

« Ai e di çfarë u ndodh atyre [në këtë botë] dhe çfarë u ka ndodhur atyre në të kaluarën »

Në rastin e fundit, domethënia do të ishte: ata për të cilët Allahu e di çfarë do t’u ndodhë në të ardhmen dhe çfarë u ka ndodhur në të kaluarën, kurrë s’do të kuptojnë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç çfarë do Ai.

Në këtë thënie, Allahu e bën të qartë përsosurinë e dijes së Tij dhe papërsosurinë e dijes së krijesave. Kështu, Ai, i lartësuari, krahason cilësitë e Tij me ato të robërve të Tij, me qëllim që përsosuria e Tij dhe papërsosuria e krijesave të bëhet e qartë. Kjo, po ashtu, vërehet qartë në thënien e Tij:

« Gjithçka në të [tokë] do të mbarojë, kurse Fytyra e Zotit tënd, që është plot madhështi e nder, do të mbetet ngaherë » [er-Rrahman, 27]

Sa i përket fjalës ilm [dije] /Dija e Tij », kjo është një paskajore [emër foljor (arab. masdar)] që tregon ose dijen rreth qenies së Tij dhe cilësive e Tij, ose çfarë di Allahu [me’luum]. Sipas kësaj, domethënia e ajetit « Ata kurrë s’do të mund të nxënë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç asaj çfarë do Ai » do të thotë ose që ne nuk dimë gjë rreth Allahut, qenies së Tij dhe cilësive të Tij, përveç asaj çfarë do Ai, ose nuk dimë nga ajo çfarë Allahu di, përveç asaj çfarë Ai deshi që ne të dimë. Ajeti nënkupton dy domethëniet dhe të dyja janë të sakta, meqë nuk e njohim qenien e Allahut apo cilësitë e Tij, përveç asaj që Ai deshi ne të dimë. Vërtet, Ai na e bëri të njohur neve faktin se Ai zbret në qiellin më të ulët [në pjesën e tretë të natës], dhe kështu qëndron puna edhe me pjesën tjetër të cilësive të Tij: nuk dimë gjë rreth tyre, përveç çfarë do Ai. Ngjashëm, ajo çfarë Allahu di, ne lidhje me atë që gjendet në qiej dhe në tokë, dija jonë rreth kësaj është e kufizuar në atë që Ai ka dashur ne të dimë. Në fund të fundit, Ai na ka informuar rreth ekzistencës së engjëjve në qiej dhe se ka shtatë qiej. Kështu është sa i përket pjesës tjetër të asaj çfarë Ai di: ne dimë atë që Ai ka dashur ne të dimë. Madje, edhe atë që Ai na e ka bërë të ditur, shumë nga ne nuk e dimë. Dija rreth këtyre arrihet vetëm nëse do Ai. Në qenien njerëzore, ka shumë gjëra rreth të cilave njerëzit [dmth shkencëtarët] ende nuk janë plotësisht të vetëdijshëm. Ata gradualisht kanë arritur dijen të cilën nuk e dinin më parë.

Pra, ky ajet përfshin të dy domethëniet e diskutuara më lart. Prej këtu, ne nuk dimë çfarëdo nga ajo që Allahu di, edhe nëse kjo ka të bëjë me vetat tona, përveç asaj çfarë do Ai. Dhe ne nuk kuptojmë ndonjë gjë rreth qenies dhe cilësive të Allahut, përveç çfarë do Ai. Ndaj, çfarëdo që Allahu dëshiron për krijesat e Tij të dinë, qoftë në lidhje me qenien e Tij, cilësitë e Tij apo emrat a veprat e Tij, apo ne lidhje me krijimin e Tij dhe mënyrat e ligjshme që ia ua ka shpallur të Dërguarve të Tij, Ai do t’ua bëjë të njohura ato.

Pastaj, Allahu i lartësuar ka thënë:

« Kursi-a e Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën, dhe Ai nuk ndjen lodhje në kujdesin ndaj tyre. Ai është më i larti, më i madhi »

Kursi [kuptimi i drejtpërdrejtë: mbështetëse këmbësh] është vendi i Këmbëve të Allahut, që është përpara Arshit, si anë e përparme e tij. Kjo është transmetuar besnikërisht nga Ibn Abas në formën meukuf. Rreth kësaj kanë rënë dakord shumica e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit. Në fakt, kjo është pohuar dhe nga Shejhul-Islam ibn Tejmije, nga Ibnul Kajjim dhe nga të tjerët prej dijetarëve verifikues.

Disa kanë thënë se Kursi është vetë Arshi. Mirëpo, kjo nuk qëndron, sepse Arshi është më i madh, më i gjerë dhe më përfshirës sesa Kursi. Po ashtu, është transmetuar nga Ibn Abas se Kursi paraqet dijen e Allahut, por nuk mendoj qe ky transmetim është i vërtetë, sepse kjo domethënie [dmth dija] s’është e saktë për fjalën ‘kursi’ as në gjuhën klasike arabe e as në atë tradicionale [urf]. Në të vërtetë, zor që transmetimi nga Ibn Abas është i vërtetë. Prej këtu, Kursi është vendi i Këmbëve [meudi’ul-kadamejn].

Madhështia e Kursisë shprehet qartë në hadithin në të cilin pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:

“Në krahasim me Kursinë, shtatë qiejt dhe shtatë tokët s’janë gjë veçse si një unazë e hedhur në një shkretëtirë. I këtillë është Kursi-a në krahasim me Arshin [Fronin]”.

Hadithi tregon madhësinë e këtyre krijesave të pamasa, të cilat, sa në përket neve, i përkasin botës së fshehtë [el-Gajb]. Për këtë shkak, Allahu ka thënë:

« A nuk e shikuan qiellin mbi ta sesi e bëmë dhe e zbukuruam, dhe në të s’ka të qarë? » [Kaf, 6]

Ai, më i larti, nuk ka thënë:”A nuk shikuan Kursinë [apo Arshin]…”, sepse kjo është diçka e paparë nga ne. Sikur të mos na informonte Allahu rreth tij [Kursisë apo Arshit], s’do ta dinim këtë.

« Kursi-a e Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën »,

mbështet opinionin e Shejhul-Islam in Tejmije dhe e dijetarëve verifikues të tjerë se qiejt dhe toka kanë formë sferike, ngaqë kjo çështje është pranuar nga perceptimi ndijor dhe nëpërmjet të dhënave, ndonëse metoda e fundit s’ka qenë në dispozicion të paraardhësve. Dëshmia për këtë në Kur’an është thënia e Allahut të lartësuar:

« Kur qielli të bëhet copash [në Ditën e Kiametit] e t’i bindet Zotit të vet – dhe këtë patjetër duhet ta bëjë -, dhe kur toka të shtrohet … » [el-Inshikaak, 1-3]

« … dhe kur toka të shtrohet », e bën të domosdoshme që ajo tani të jetë e pashtruar. Veç kësaj, pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë se, në ditën e Ringjalljes, toka do të shtrohet sikurse që shtrohet lëkura. Ky shembull është marrë për të theksuar këtë fakt. Një tjetër dëshmi është thënia e Allahut të lartësuar:

« Ai jukewiru [rrokullisë] natën rreth ditës dhe jukewiru ditën rreth natës » [ez-Zumer, 5]

Jukewiru do të thotë: ‘të mbështjellësh; të rrokullisësh’, si kur themi: ‘Ekwar [njëjës: kawr] turbanin’, që domethënë: vërtitjet e turbanit mbi kokë.

Dimë që dita dhe nata arrijnë njëra-tjetrën. Ky veprim nënkupton që toka është sferike, sepse një gjë s’do të kishte një formë rrethore, përveç mbi diçka të formës së rrumbullakët. Në ditët tona, mund të dëshmohet se toka ka formë sferike.

Fakti që Kursi-a i rrethon dhe shtrihet mbi qiejt dhe tokën është një dëshmi se ai është rreth mbështjellës.

Sa i përket Arshit, është transmetuar se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] e ka përshkruar atë të jetë si një kube mbi qiejt; kube me formë rrethore, por që s’është as tërësisht sferike, as e rrafshët, dhe mesi i tij është si i një tende.

Pastaj Allahu, më i larti, ka thënë”

« … dhe Ai nuk ndjen lodhje në kujdesin ndaj tyre »

Cilësia e ndjenjës së lodhjes të Allahut është një cilësi mohimi. Pra, cilat cilësi janë të nevojshme për ruajtjen dhe kujdesin [e qiejve dhe tokë], meqë dimë se ky mohim [i lodhjes], në fakt, është konfirmim i përsosurisë së tyre? Ruajtja dhe kujdesi e bëjnë të nevojshme pasjen e jetës, dijes, aftësisë, fuqisë, mëshirës dhe, me gjasë, edhe të tjera cilësi. Ajo që është e rëndësishme, është se mohimi nënkupton përsosurinë e dijes së Allahut, aftësisë, fuqisë dhe mëshirës, si edhe cilësive të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe kujdesin nga ana e Tij.

Pastaj Allahu i lartësuar ka thënë:

« Ai është më i larti, më i madhi »

Kjo fjali, me të dy kufijtë e definuar të saj, veçanërisht tregon se vetëm Ai është më i larti, domethënë se Ai posedon epërsi absolute [el-uluw el-mutlak]. Kurse, për njerëzit është vërtetuar epërsia [uluw] e kufizuar. Allahu i lartësuar ka thënë:

« Mos u dobësoni [o besimtarë] dhe mos u dëshpëroni. Ju do të keni epërsi [në fitore] » [Aal Imran, 139]

Kjo epërsi është e kufizuar në të qenit mbi mosbesimtarët [me fitore] dhe s’është një epërsi absolute. Kjo e fundit është e veçantë vetëm për Allahun, sepse Ai është mbi gjithçka.

Duhet të dihet se cilësia e epërsisë së Allahut në akiden e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit ndahet në dy kategori:

1- Epërsia [uluw] e qenies – epërsia e qenies së Allahut
2- Epërsia e cilësive – epërsia e cilësive të Allahut.

Epërsia e qenies do të thotë se Allahu në qenien e Tij është mbi gjithçka ndërsa gjithçka është nën të. Sa i përket epërsisë së cilësive, kjo do të thotë se Allahu është kompetentë për cilësi të shkallës sipërore, siç ka thënë Ai, më i larti:

« Për Allahun është përshkrimi më i lartë » [en-Neml, 60]

Çdo cilësi me të cilën Allahu e ka kualifikuar veten, është një cilësi përsosurie dhe në çdo aspekt është e pastër prej çfarëdo lloji të papërsosurisë.

Nëse pyesni: Cila është arsyeja prapa këtij kategorizimi? A keni dëshmi për të nga Kur’ani apo nga Suneti? A e gjeni këtë në thëniet e sahabëve?

Përgjigja: Jo!, por e shoh si të domosdoshme, pasi është vërtetuar se ithtarët e mohimit [en-nufaat], të cilët janë edhe ithtarë e mohimit të cilësive [ehlu-ta’til], e kufizojnë epërsinë [uluw] vetëm në cilësi. Ata kanë thënë se epërsia e Allahut është vetëm në cilësinë e Tij, jo edhe në qenien e Tij. Vetë ithtarët e këtij mohimi janë të ndarë lidhur me epërsinë e qenies, siç diskutohet më poshtë.

Ajo që është e rëndësishme është se Imamët e selefëve dhe dijetarët që erdhën më pas, nga nevoja, e bënë këtë kategorizim, sepse ata u sprovuan me ithtarë të mohimit të epërsisë së qenies [së Allahut] dhe kështu u detyruan të vërtetonin epërsinë në këtë mënyrë. Në fakt, nëse do të thoshim vetëm “Allahu është më i larti” dhe, nëse ndokush nga ithtarët e mohimit të kësaj epërsie do të thoshte se “epërsia [uluw] ka të bëjë me cilësitë e Tij”, atëherë çfarë do të kuptohej nga muslimani i thjeshtë? E vetmja gjë që ai do të kuptojë është se Allahu është i kualifikuar vetëm me epërsinë e cilësisë. Por, nëse themi “Allahu është më i larti në cilësitë e Tij si edhe në qenien e Tij”, muslimani i thjeshtë do ta kuptojë këtë domethënie. Në fakt, gjëja e parë që i është e qartë muslimanit të thjeshtë është se epërsia e Allahut ka të bëjë me qenien e Tij. Sigurisht qe epërsia e cilësive është pjesë e domethënies se epërsisë, por është e çuditshme që ithtarët e mohimit e bëjnë këtë ndërsa kjo nuk është evidente për shumë njerëz.

Në mohimin që i bëjnë epërsisë së qenies së Allahut, ithtarët e këtij mohimi përfunduan të ndarë në dy grupe:

Grupi i parë: kanë thënë se Allahu, me qenien e Tij, është gjithkund. Dhe, nëse është kështu, atëherë, sipas pohimit të tyre, Ai ose zë një hapësirë [hejjiz], ose jo. Nëse Ai zë ndonjë hapësirë, atëherë është e domosdoshme që Ai t’i zë “vendet” dhe s’do të mbetej asnjë “vend” i pranishëm. Nëse Ai nuk zë ndonjë hapësirë, atëherë Ai është i paqenë [me’duum]. Ata nuk thonë se ajo që nuk zë ndonjë hapësirë është sikurse ajri apo e ngjashme me këtë, sepse kjo s’do të ishte në harmoni me pozitën e tyre.

Grupi i dytë: kanë thënë “Ai s’është as në epërsi [uluw], as në ultësi [sufl: e kundërta e uluw]. Ai s’është as brenda botës, as jashtë saj. Ai s’është as në të djathtë, as në të majtë. Dhe ai s’është as i bashkuar, as i ndarë”.

Kjo pozitë është te’til [mohim] absolut, sepse kjo paraqet një përshkrim të mosqenies. Disa dijetarë kanë thënë:”Nëse do të pyeteshim të përshkruanim el-adem [mosqenien], nuk do të gjenim përkufizim më gjithëpërfshirës sesa ky përshkrim”.

Pra, reflekto sesi mohimi i tyre i asaj që është pranuar nga teksti [nakl] dhe nga intelekti [akl] i bëri ata të thonë çfarë s’mund të pranohet as nga perceptimi ndijor [hiss], as nga teksti apo intelekti.

Shpjeguam më herët se epërsia e Allahut është dëshmuar me anë të Librit [Kuranit], Sunetit, ixhma [marrëveshjes së përgjithshme të selefëve], intelektit dhe animit apo gatishmërisë natyrore të njeriut. Dëshmitë e Librit dhe të Sunetit janë të ndryshme, disa nga të cilat përmendin epërsinë [uluw], si në thënien e Allahut:

« Ai është më i larti, më i madhi » [el-Bekare, 255]

« Bëni tesbih [deklaroni se Allahu është i pastër nga të gjitha të metat] Zotit tuaj, më të lartit » [el-A’laa, 1]

Disa të tjera tregojnë për të qenit e Allahut mbi krijimin [feukijjeh], si në thënien e Allahut në Kur’an:

« Ai [Allahu] është el-Kaahir mbi robërit e Tij » [el-En’am, 18]

Disa ajete përmendin ngritjen [su’ud] e gjërave tek Ai:

« Tek Ai ngrihen të gjitha fjalët e mira ndërsa veprat e mira i ngritin ato [fjalët e mira, dmth fjalët e mira nuk pranohen nga Allahu, përveç nëse dhe derisa ato të pasohen nga veprimet e mira] » [Fatir, 10]

« Engjëjt dhe Rruh [Xhibrili] ngrihen tek Ai » [el-Me’arixh, 4]

Nganjëherë Kur’ani përmend zbritjen e gjërave nga Ai, më i larti:

« Ai [Allahu] rregullon çdo çështje nga qiejt deri në tokë » [es-Sexhde, 5]

« Vërtet, Ne kemi zbritur Dhikrin [Kur’anin] » [el-Hixhr, 5]

Në Libër, po ashtu, vërtetohet se Allahu është mbi qiejt:

« A ndjeheni të sigurt se Ai që është mbi qiejt nuk do të bëjë që t’ju lëshojë toka » [el-Mulk, 16]

Veç ajetit të mësipërm, ka edhe shumë referenca të tjera në Kur’an që vërtetojnë epërsinë e Allahut. Ngjashëm Suneti, nëpërmjet thënies, veprimit e miratimit, e vërteton epërsinë e qenies së Allahut. Vërtetimi gjendet në thënien e pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]:

”Zoti ynë është Allahu, i Cili është në qiell …”

Në veprimin e tij [salallahu alejhi ue selam] vërtetohet në rastin kur ai tregonte drejt qiejve ndërsa thoshte:”O Allah, dëshmo! [duke thënë tre herë]”, para tubimit më madhështor atëherë.

Kurse, sa i përket miratimit të tij [salallahu alejhi ue selam], kjo është kur ai pyeti një robëreshë:”Ku është Allahu?”, dhe ajo u përgjigj:”Mbi qiejt”. Pas kësaj, ai e urdhëroi zotëriun e saj:”Liroje, sepse është besimtare”.

Sa i përket ixhmasë, është vërtetuar se selefët kanë rënë dakord se Allahu është mbi Arshin e Tij. Askush prej tyre kurrë s’ka thënë se Ai është gjithkund apo se Ai s’është as mbi botën e as nën të, apo se Ai s’është as në të djathtë e as në të majtë, apo se Ai s’është as i ndarë e as i bashkuar me të.

Dëshmia nga intelekti [akl] ka dy pikëpamje:

1. Epërsia është një cilësi e përsosurisë dhe si e tillë kërkon të jetë një cilësi e vërtetuar e Allahut, sepse Allahu është i kualifikuar për cilësitë e përsosura nga çdo aspekt.
2. Për hir të argumentit, nëse themi që “Allahu është ose mbi botën, ose nën të; ose në të djathtë, ose në të majtë të saj”, atëherë cila nga këto përshkrime tregojnë përsosuri? Përgjigja është: “Allahu është mbi botën”, sepse, nëse Ai do të ishte nën të, atëherë Ai do të ishte më pak i plotësuar sesa e krijuara! Dhe, nëse Ai do të ishte në të njëjtin vend me të krijuarën, atëherë Allahu do të ishte i barabartë me të. Kështu, është e domosdoshme që Allahu të jetë mbi gjithçka.

Në fund, sa i përket fitres [animit apo gatishmërisë natyrore], secili person, prej natyrës, e pranon faktin që Allahu është mbi qiejt. Për këtë shkak, sa herë që një person lut Zotin e vet [Allahun], ai lutet në drejtim të qiellit [dmth nga lart].

Në këtë drejtim, vlen të përmendet se, ngaqë Ebul Me’ali el-Xhuvejni [Allahu e faltë dhe e mëshiroftë] kishte mohuar ngritjen e Allahut mbi Arsh dhe epërsinë e qenies së Allahut, ai kishte vendosur që:
– Ekzistonte vetëm Allahu dhe asgjë tjetër. Dhe Ai është tash dhe ka qenë ngaherë, – duke mohuar kështu ngritjen mbi Arsh.
– Mësues! S’ka nevojë të përmendet Arshi. Vetëm na trego për nevojën që është brenda nesh, e cila bën që, kurdo që njohësi i Allahut të thërrasë:’O Allah’, ai të ndjejë në zemër një shtytje detyruese për t’u drejtuar nga lart?, – ia ktheu Ebu Alaa el-Hemedeni [Allahu e mëshiroftë].
– El-Hemedeni më hutoi! El-Hemedeni me hutoi!, – klithi el-Xhuvejni, duke rrahur duart e veta për koke. Ai s’qe në gjendje të përgjigjej, sepse kjo çështje është e natyrshme dhe s’mund të mohohet.

Gjëja e çuditshme është se ata që mohojnë epërsinë e Allahut, vetë i ngritin duart nga lart, në drejtim të qiejve, kur e lusin Allahun. Nuk di si qëndron puna e ndonjë personi që beson se Allahu është gjithkund me qenien e Tij apo se s’është brenda botës e as jashtë saj, apo as mbi e as nën. Si do t’i dalë ai përpara Allahut në Ditën e Ringjalljes?

Shkëlqimi i ndonjë lloji të caktuar të gjërave është madhështia, cilësitë e së cilës kanë arritur shkallën me të lartë të plotësimit, siç ka thënë Allahu rreth fronit të mbretëreshës së Seba-s:

« Dhe ajo ka një fron madhështor » [En-Neml, 23]

Në këtë kuptim, madhështia e një lloji të gjërave është ajo që karakterizohet me rëndësinë dhe me shkallën maksimale në cilësitë e tyre.

Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin


Dobitë e Ajetul – Kursijji

– Pohimi i njësimit të Allahut në adhurim (teuhidul-uluhuje).
– Emri Allah është njëri ndër emrat e mëdhenj të Zotit dhe të gjithë emrat e tjerë i referohen emrit Allah.
– Me të drejtë për t’u adhuruar është vetëm Allahu i Lartësuar.
– Pohimi dhe shënimi i emrit të Allahut “El-Hajj”, i Gjallë e i Përjetshëm.
– Pohimi i emrit të Allahut “El-Kajjun”, Mbajtësi (Mbizotëruesi i gjithçkaje).
– Njeriu për çdo çështje duhet t’i kthehet Krijuesit të tij.
– Allahun nuk e kap dremitja dhe gjumi, pa dyshim që këto janë cilësi të mangëta me të cilat Allahu nuk cilësohet.
– Sundimi i Allahut është gjithëpërfshirës, Atij i përket gjithçka që ka krijuar.
– Njerëzit janë të varfër dhe kanë nevojë për Allahun e Lartësuar.
– Allahu pranon ndërmjetësimin dhe kjo ndodh vetëm me lejen e Tij.
– Dituria e Allahut është gjithëpërfshirëse dhe njeriu mund të dijë vetëm pak, sa ia bën të mundur vetëm Zoti.
– Kursija e Allahut është krijim madhështor i Tij dhe është më e gjerë se qiejt dhe Toka.
– Kujdesi i Allahut për qiejt dhe tokën nuk është i vështirë për Të, Ai është i Gjithëfuqishëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit