Kika i Big Brother Albania ka dy vite që e ka një aktakuzë të ngritur në Pejë për shkak se dyshohet se ka detyruar gruan e tij, Vlorën, të kryente prostitucion. Kjo u bë e ditur kur vetë Vlora foli publikisht për këtë çështje. Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër tij në vitin 2017. I njëjti, po akuzohet edhe në Shqipëri për mashtrim dhe fshehje të të ardhurave
Më 9 mars të 2017, Kreshnik Husaj, i njohur si “Kika i Big Brother Albania”, është ngarkuar me aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Pejës për detyrim në prostitucion. Kika, akuzohet se ka detyruar gruan e tij që të kryente prostitucion. Por, në këtë mesele, nuk ishte i vetëm.
Bashkë me një femër, inicialet e së cilës janë A.Z, kanë mundësuar dhe detyruar Vlorën (gruan e Kikës) në prostitucion. A.Z. ia gjente klientët e Kika e detyronte.
Edhe për A.Z. ishte ngritur aktakuzë, dhe prokuroria ka pretenduar se së bashku, kanë detyruar të dëmtuarën të kryej marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri K.H. nga viti 2014, e në vazhdimësi deri në muajin nëntor të vitit 2016 në Pejë, me kanosje serioze e ka detyruar të dëmtuarën V.T. me të cilën ka bashkëjetuar dhe kanë një vajzë, që të merret me prostitucion, duke i gjetur klient të ndryshëm. Ndërsa e pandehura A.Z. sipas aktakuzës në vitin 2014 në muajin nëntor, në Pejë, me kanosje serioze, e ka detyruar të dëmtuarën V.T. që të merret me prostitucion, në atë mënyrë që e njëjta ia ka gjetur dy klientë”, thoshte Prokuroria Themelore e Pejës në njoftimin për ngritjen e aktakuzës.
Si e ka kërcënuar Kika gruan e tij të kryente marrëdhënie seksuale me persona të cilët ai ia gjente si klientë?
Në aktvendimin e Prokurorisë për fillimin e hetimeve thuhet se që nga viti 2014 e deri në muajin nëntor të vitit 2016 në Pejë, duke e mbajtur personin tjetër në situatë të varësisë ekonomike, e detyron që të merret me prostitucion.
Pasi Kreshnik Husaj, thotë prokuroria, të dëmtuarën e pati grua, nga viti 2014 kishte filluar t’i gjejë klientë për të kryer marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm me arsyetimin se është gruaja e tij dhe duhet ta dëgjojë, në të kundërtën do të ndahen.
Por, në vitin 2015, Kika dhe bashkëshortja e tij lindën vajzë. I njëjti, vazhdoi ta detyronte gruan në prostitucion me arsyetimin se “nuk do ta sheh ajo vajzën, nëse nuk kryen marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm”, të cilët ia gjente vetë Kika. Prokuroria në aktvendimin e tyre, shkruante se i pandehuri (Kreshnik Husaj) e ka detyruar shpesh gruan e tij të kryente marrëdhënie seksuale me të tjerët, në prezencë të tij.
Prokuroria Themelore e Pejës e ngarkon Kikën me veprën penale “mundësi ose detyrimi për prostitucion”.
Për sa para e shiste Kika bashkëshorten e tij?
Një nga miqtë e Kreshnik Husajt, i cili pati preferuar të mbetet anonim, në 2017’n, ka treguar se Kika e dërgonte Vlorën në Prishtinë dhe e detyronte të kryente marrëdhënie me meshkuj të tjerë për 30 euro.
“E detyronte të shkonte me meshkuj të tjerë për 30 euro. Nuk e ka bërë kurrë në praninë time. Megjithatë, një person nga Prishtina më kishte thënë që Kika ia kishte çuar bashkëshorten dhe i ka marrë 30 euro për një marrëdhënie. Nuk e besova”, ka thënë shoku i Kreshnik Husajt për median në Shqipëri, “Bluetooth”.
E në Shqipëri ka raportime se i njëjti është duke u dyshuar edhe për mashtrim dhe fshehje të të ardhurave.
Policia e Tiranës javën e kaluar e konfirmuan se Kreshnik Husaj është duke u akuzuar për vepra penale që lidhen me krim ekonomik.
Ai ishte ndaluar nga Policia e Tiranës më 6 shkurt të këtij viti për këto dyshime.
Por, pak ditë para se të kuptohej në publik se Kika dyshohej për vepra penale që lidhen me krimin ekonomik, një zonjë nga Shqipëria, Zaida Çobo e denoncoi atë se po kërkonte favore seksuale nga djemtë pjesëmarrës në emisionin e tij “The One Show nga Kika”.