0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kosova, në pritje të udhërrëfyesit

Më të lexuarat

Kosova pret që gjatë kësaj pranvere të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, duke e konsideruar këtë si afat optimal. Por, asnjë nga krerët institucionalë nuk është në gjendje të thotë qartë nëse do të vijë ky dokument në Kosovë deri në fund të pranverës, pasi kjo po varet nga Bashkimi Evropian. Ekspertët e integrimeve evropiane vlerësojnë se Kosova deri më tash ka pasur një përvojë të keqe kur është fjala për respektimin e afateve kohore.

Nga zyrtarët në Bruksel shpeshherë është thënë se gjatë kësaj pranvere Kosova do ta marrë udhërrëfyesin, ndërsa pranverës po i vjen fundi udhërrëfyesi ende mbetet në Bruksel.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë është vështirë se Kosovës do t’i jepet udhërrëfyesi në këtë kohë.

“Ashtu si po shkojnë gjërat duket se kjo çështje është mjaft e vështirë për disa arsye, se në radhë të parë nuk po shohim që ekziston një vullnet nga Bashkimi Evropian si tërësi shtetesh. Vet zonja Lunacek ka folur për dy blloqe sa i përket udhërrëfyesit. Çështja tjetër është që varet nga puna në Kosovë, disa parametra që janë për të marrë atë, janë shumë të vështira, që po aplikohen vetëm me Kosovën, janë të vështira dhe të paarritshme për t’u plotësuar”, ka thënë Lama për Kosovapress.

Për më tepër, ajo ka shtuar se janë disa kritere shtesë që nuk u janë vënë vendeve të tjera të rajonit, por vetëm Kosovës, dhe janë kritere vetëm për të fituar kohë.

Por, deputetja Lama nuk lë anash pa kritikuar edhe zyrtarët e institucioneve të vendit që vazhdojnë të premtojnë se do të marrin udhërrëfyesin, ndërsa me këtë po gënjehen vetëm qytetarët.

Ndërsa, eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, njëherësh drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillim, shpreson se gjatë pranverës të vijë udhërrëfyesi, ndërkohë ka përmendur edhe telashe që një grup i vendeve anëtare të BE-së që dëshirojnë me pas një qasje tjetër për Kosovën.

I pyetur nëse mund të shtyhet ky proces edhe më tutje, Muharremi thotë që Kosova në raport me BE ka një përvojë të keqe, duke iu shtyrë shpeshherë afatet kohore.

“Na kemi eksperiencë tepër të keqe. Deri tash dihet që Komisioneri, para 20 muajsh ka thënë që shumë shpejt ka me filluar dialogu për liberalizim të vizave, kanë kaluar 18 muaj deri sa kjo ka ndodh. Ne po shpresojmë që kjo gjë mos të ndodh tash, ne po e marrim udhërrëfyesin, por tepër me rëndësi jo vetëm me pranuar këtë udhërrëfyes por edhe përmbajtjen e saj. Ne duhet me insistuar që mos me pas një qasje të cilësisë së mirë për shkak se Kosova ka perspektivë evropiane të anëtarësimit si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Muharremi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova ka avancuar në disa çështje siç është ajo e riatdhesimit, dokumenteve etj, por sipas tij ka edhe disa të tjera kritere që duhet t’i përmbushë.

Eksperti Muharremi thotë se në versionin e fundit të udhërrëfyesit janë mbi 100 kushte, ndërsa nëse krahasohet kjo me vendet e Ballkanit Perëndimor, ata i kanë pasur pak më shumë se 50 kushte, ndërsa vendet e fqinjësisë së mirë në udhërrëfyesin e fundit kanë pasur 75 kushte.

Ndërkohë, zëvendësministri Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, shpreh besimin se Kosova do ta marrë udhërrëfyesin gjatë kësaj pranvere, pasi që konsideron se Kosova i ka plotësuar kushtet.

“Ne besojmë që udhërrëfyesi për liberalizim të vizave do të jetë në Kosovë gjatë kësaj pranvere, duke pas parasysh disa fakte. E para në 2012 ka pas një qartësim të pozicionit të Bashkimit Evropian karshi Kosovës, duke pas parasysh që edhe Kosova i ka plotësuar kushtet në këtë proces”, ka deklaruar Kasapolli për Kosovapress.

Megjithatë, ai ka thënë se pozicionimi i Kosovës nuk është si rezultat i kushteve që janë imponuar Kosovës, por ka qenë një vullnet i mirë i Kosovës dhe institucioneve të saj që të aprovojnë një udhërrëfyes qysh në vitin 2009 dhe të fillojnë zbatimin e tij, duke pasur parasysh parametrat që i kanë përmbushur vendet e rajonit./kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit