Kandidatët e mundshëm republikanë për president, Chris Christie dhe Rand Paul kanë ndezur një debat politik për shkak të komenteve të tyre se prindërit duhet të kenë zgjedhje kur është fjala për vaksinimin e fëmijëve të tyre. Materiali në vazhdim na njeh më hollësisht mbi përfshirjen e kësaj teme në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie, një kandidat i mundshëm presidencial, shkoi për vizitë në Londër.
Fokusi i vizitës shumë shpejt kaloi nga politika e jashtme në një çështje të debatueshme mbi vaksinimin e fëmijëve, pasi zoti Christie kohët e fundit ka thënë se prindërit duhet të kenë “zgjedhje” në këtë çështje.
Senatori nga Kentaki, Rand Paul, një tjetër kandidat i mundshëm presidencial, ndërhyri në këtë debat.
“Nuk them se vaksinat janë një ide e keqe. Mendoj se ato janë një gjë e mirë. Por mendimi i prindërve duhet të merret parasysh”.
Barbara Acosta nga Kalifornia është ndër prindërit që shqetësohen nga efektet anësore të vaksinave.
“Disa fëmijë vuajnë nga efektet anësore dhe në internet gjen shumë histori të tmerrshme për këtë”.
Por zyrtarët e shëndetit publik kanë shtuar thirrje për vaksinimin e fëmijëve pas përhapjes kohët e fundit të fruthit. Deri tani, janë raportuar më shumë se 100 raste të me fruth në 14 shtete.
Ekspertët i thanë Kongresit se prindërit që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët i vënë ata në rrezik.
“Kemi një nga vaksinat më efektive dhe një sëmundje shumë ngjitëse, si fruthi, mund të ketë pasoja të rënda. Pra, për mua zgjedhja është shumë e qartë”, thotë Dr. Anthony Fauci.
Kandidatja e mundshme demokrate për president, Hillary Clinton tha në twitter se “shkenca është e qartë, vaksinat janë të efektshme”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Republikani John Boehner është dakord.
“Nuk e di nëse kemi nevojë për një ligj tjetër, por unë besoj se të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen”.
Kur ishte kandidat presidencial në vitin 2008, Barack Obama kishte thënë se shkenca nuk është e qartë mbi efektin e vaksinave.
Por, si president, pikëpamja e tij ka ndryshuar, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
“Shkenca është e qartë, dhe mos vaksinimi i fëmijëvë është një shenjë papërgjegjshmërie”.
Chris Christie dhe Rand Paul thonë se favorizojnë vaksinimet. Por debati mbi vaksinimin është një shenjë e papashikushmërive që mund të ndodhin në fushatën për zgjedhjet paraprake në Partinë Republikane, thotë analisti republikan Phillip Stutts.
“Ne duhet të kemi një debat energjik dhe të madh. Do të kemi kandidatë të mirë që flasin për ide të mëdha mbi politikat që do të ndryshojnë këtë vend dhe nuk kemi nevojë ta kufizojmë debatin”.
Një sondazh i organizatës Pew i bërë vitin e kaluar tregon se 68 përqind e amerikanëve besojnë se vaksinat duhet të jenë të detyrueshme për të gjithë fëmijët, ndërsa 30 përqind e tyre thonë se janë prindërit që duhet të vendosin./voa