Gjykata e Tiranës ka dënuar sot për shpifje kreun e PD-së Lulzim Basha, pas padisë që bëri Balla.
Lulzim Basha u dënua me 50 mijë lekë dëmshpërblim. Gjykata e Tiranës dha sot vendimin për padinë e Taulant Ballës, ndaj kreut të PD-së, duke e gjetur fajtor për akuzën e “shpifjes”, për deklaratat e bëra në lidhje me 3.4 milionë euro të kapura në Portin e Durrësit, verën e 2018-ës.
Në një dalje për mediat pasi përfundoi seanca gjyqsore, avokati i Lulzim Bashës në këtë çështje Gazmend Bardhi u shpreh se nuk janë dakord me këtë vendim dhe do ta apelojnë.
A do të dënohet Basha për shpifje? Gjykata vendos më 21 janar
“Vendim në presionin e vetingut gjykata ka dhënë një vendim që bën të qeshë çdo njeri që lexon vendimin.
Gjykata ka asgjësuar dhe zëvendësuar organin e Prokurorisë me Policinë e Taulant ballës, mjafton që Policia e tij të thotë që Balla nuk ka përgjegjësi me milionat e Eurove të drogës dhe nuk ka rëndësi se çfarë hetimi dhe përfundimi nxjerr Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ky është vendimi që tentoi në kundërshtim flagrant të tregonte personit të akuzuar se kush ishin burimet e informacionit që informonin opozitën.” – u shpreh Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlametar të Partisë Socialiste tha për mediat se ky është një vendim historik.
“Basha sot është shpallur fajtor dhe i detyrohet shtetit shqiptar të shlyejë dënimin që sot gjykata dha. “Do i kërkoja Bashës dhe PD-së që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar në shpifje. Ky vendim gjykate të jetë një moment që PD të reflektojë në marrëdhënien ndërinstitucionale që ka qoftë me maxhroancën, qoftë me Kuvendin apo institucionet e tjera”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.