8.4 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Vuçiq pas takimit me Putinin: Pa Rusinë nuk do të ketë zgjidhje me Kosovën

Më të lexuarat

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, ka thënë se kanë diskutuar edhe rreth çështjes së Kosovës.

Në këtë drejtim, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Putin ka thënë se Rusia është në favor të zgjidhjes në përputhje me Rezolutën 1244.

Ndërsa presidenti serb ka thënë se “Serbia ka qenë gjithmonë e gatshme për bisedime dhe kompromise”.
“Kam frikë se disa njerëz nuk janë të gatshëm për kompromise. Ne do të vazhdojmë që të kërkojmë diçka të tillë, por po e përsëris dhe këtë ia kam thënë edhe Putinit, ne nuk do të lejojmë që të poshtërohet Serbia”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti Vuçiq tha gjithashtu se “pa Rusinë nuk do të ketë zgjidhje për çështjen e Kosovës”.

“Para çdo zgjidhjeje, unë do të konsultohem me Putinin”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.

Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe, përcjell rel.

Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.

Në deklaratat e tij është theksuar edhe njëherë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.

Komentet e tij kanë qenë edhe në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë.

Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.

“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominues, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, është cituar të ketë thënë Putin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit