-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

NATO paralajmëron për reagim të Rusisë nëse armatoset Ukraina

Më të lexuarat

Komandanti i lartë i NATO-s paralajmëroi të enjten se çdo vendim për të armatosur Ukrainën me armë mbrojtëse vdekjeprurëse duhet të ketë parasysh edhe ndonjë reagim të mundshëm të Rusisë.

Komandanti i lartë i NATO-s paralajmëroi të enjten se çdo vendim për të armatosur Ukrainën me armë mbrojtëse vdekjeprurëse duhet të ketë parasysh edhe ndonjë reagim të mundshëm të Rusisë. Gjenerali Philip Breedlove i Forcave Ajrore Amerikane tha se çdo veprim i ndërmarrë nga Amerika ose vendet perëndimore mund të “shkaktojnë një reagim të ashpër të Rusisë.”

Këto komente vijnë pas sinjaleve se Shtetet e Bashkuara po marrin në konsideratë mundësinë për t’i dhënë Ukrainës armë mbrojtëse vdekjeprurëse për të ndihmuar në mbrojtjen e forcave përgjatë kufirit si pasojë e përshkallëzimit të sulmeve nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Ai bashkë me liderë të tjerë amerikanë këmbëngulin se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt, por thonë se Ukraina ka të drejtën të mbrohet.

“Çdo veprim që ndërmarrin duhet ta bëjmë duke pasur parasysh gjetjen e një zgjidhjeje politike,” tha Breedlove gjatë një interviste për Associated Press. “Prandaj, çdo lloj ndihme duhet të bëhet duke pasur parasysh se si do të reagojë Rusia.” 

Breedlove nuk dëshiron të tregojë se çfarë këshillash i dha administratës apo udhëheqjes së NATO-s, por tha se situata në Ukrainën lindore po përkeqësohet dhe se çdo veprim që ndërmerr Amerika duhet ta çojë konfliktin drejtë një zgjidhje politike. 

Breedlove tha se Rusia vazhdon të furnizojë separatistët në kufi me armatim të rëndë, mbrojtje ajrore dhe me luftëtarë. 

Douglas Lute, ambasadori i Amerikës në NATO, tha të mërkurën se ka operativë të shërbimit sekret rus dhe personel ushtarak, me dhe pa uniformë, që shërbejnë në Ukrainën lindore, të cilët kanë formuar një strukturë drejtimi paralele me separatistët. 

“Ne gjithashtu vlerësojmë se sot ka ushtarë rusë në Ukrainën juglindore, të cilët manovrojnë armatimet e rënda ruse të sofistikuara që i janë dhënë lëvizjes separatiste,” tha Lute, duke treguar për armët elektronike dhe sistemin ajror mbrojtës.

Megjithatë, aleatë të tjerë të NATO-s shprehen të shqetësuar dhe kundërshtojnë çdo lloj veprimi për t’i siguruar armë Ukrainës. 

Kanadaja, një aleat i ngushtë i Amerikës, njëkohësisht edhe shtëpia e një komuniteti të madh minoritarësh me origjinë ukrainase, nuk ka asnjë plan të furnizojë me armë Ukrainën, tha të enjten në mëngjes Ministri Kanadez i Mbrojtjes. 

Robert Douglas Nicholson, pasi mbërriti në selinë e NATO-s në Bruksel për një takim njëditor me ministrat e mbrojtës të aleancës, tha se “ne kemi qenë shumë të qartë për sa i përket mbështetjes sonë për Ukrainën.” “Ne kemi firmosur një marrëveshje bashkëpunimi. Kemi dërguar në Ukrainë ndihmë jo-vdekjeprurëse dhe ndihmë në forma të tjera gjatë muajve të fundit. Dhe kështu kemi ndërmend ta vazhdojmë.”

Në një intervistë për një gazetë, ministria gjermane e mbrojtjes Ursula von der Leyen tha se furnizimi i Ukrainës me armë për të mbrojtur veten mund të ketë pasoja fatale dhe të padëshiruara. “Dërgimi i armëve do të ishte njësoj si t’i hidhje benzinë zjarrit. 

Kjo mund t’i japë Kremlinit justifikimin për të ndërhyre haptazi në Ukrainë” u shpreh ajo.

Breedlove deklaroi për gazetarët se zyrtarët janë të shqetësuar rreth përfshirjes së avionëve bërthamorë rus në manovrat rreth kufirit. Ajo që i shqetëson më shumë është fakti se ata po shohin më shumë avionë rus në grupe të mëdha, më të aftë dhe në vende që nuk kanë shkuar më parë. 

Megjithatë, Breedlove tha se nuk e sheh të nevojshëm të ashtuquajturin “telefoni i kuq” për të komunikuar me homologët rusë. 

Gjithashtu shtoi se ka komunikime të besueshme me Moskën dhe se do t’i përdorë kur të jetë e nevojshme./trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit