Me porosinë “jo serbizimit të popullit maqedonas”, ish-kryeministri i Maqedonisë Lubço Georgievski po tenton të mbrojë kombin e tij nga asimilimi.
Në kuadër të kësaj fushate, partia e tij, VMRO-Popullore, ka mbushur me postera e parulla rrugët e Shkupit me thirrjen “Stop serbizimit dhe asimilimit të kombit maqedonas”.
“Fushatën e kemi ndërmarrë pasi vlerësojmë se politika e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, po rrezikon identitetin e kombit. Kjo parti thotë se mbron identitetin maqedonas nga grekët, bullgarët dhe shqiptarët, por ndërkohë lejon që populli maqedonas të asimilohet nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Georgievski.
Ish-kryeministri maqedonas thotë se, identiteti i kombit të tij po cënohet gjithnjë e më shumë nga rritja e ndikimit serb në Maqedoni, që po ndihmohet nga media maqedonase që kontrollohen nga pushteti në Shkup.
“Po shkatërrohet kultura, muzika dhe gjuha maqedonase. Kjo më së miri shihet nëse i ndjekim mediat, që në përgjithësi janë nën kontroll të pushtetit në Shkup”, ka thënë Georgievski.
Fushata e partisë së ish-kryeministrit kundër serbizimit të Maqedonisë do të zgjasë dy muaj. / Top Channel