Sa herë që përhapet ndonjë lajm në lidhje me luftën kundër Islamit e hasim dikend i cili komenton e thotë: “Islami doemos do të fitojë; Allahu bën atë që dëshiron; ata nuk mund ta shuajnë dritën e Allahut … “
Është e vërtetë dhe nuk ka dyshim se në Sunetin autentik kanë ardhur paralajmërime të cilat ende nuk janë realizuar, për këtë arsye ne nuk mund të themi se ajo ka të bëjë me të kaluarën, dhe se nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç perëndimit të diellit të Islamit. Jo, përkundrazi, ne i presim me padurim ato lajme të gëzueshme të cilat janë paralajmëruar. Nuk ka dyshim se Allahu do ta ngre fenë e Tij, kurse armiqtë e Allahut dhe intrigantët do të përfundojnë në “plehun e historisë”, dhe pastaj Allahu do t’i mbledh të gjithë dhe do t’i hedhë në xhehenem, për çka nuk ekziston as dyshimi më i vogël.
Nuk duam që këtë çështje ta vëmë në pyetje, por pyetja është: - Ku do të jemi unë dhe ti që po i shqipton këto fjalë?
- Dhe ku do të jenë fëmijët tanë në atë ditë?
- A do të jemi në anijen e shpëtuar, apo në rrugën drejt “plehut të historisë?”
Shumë prej nesh i shqiptojnë këto fjalë plot optimizëm, sikur problemi i tij do të zgjidhet nga fakti se Islami do të fitojë…
Më vjen keq që duhet të them se ndoshta problemi yt do të jetë pikërisht, pse Islami do të fitojë! Ndoshta problemi yt do të jetë, se do të vihesh në sprovë (provim), ndërsa ti për të nuk je përgatitur, nuk i ke përgatitur as fëmijët tu, dhe pastaj mund të gjendesh në radhët e armiqve të cilët Islami do t’i fshij nga rruga e tij!
Shumë prej nesh i shkruajnë këto fjalë të optimizmit duke shkuar në xhami, kurse fëmijët e tij ose ata, tek të cilët ai mund të ketë ndikim janë në gjumë të thellë, çdo ditë duke u larguar nga identiteti i tyre islamik. Ata ia kanë hapur zemrën dhe mendjen e tyre armiqve të Islamit, të cilat ata ua mbushin me dëshira, me paqartësi, me dyshime për fenë dhe me largim nga rregullat e Islamit! Krejt e njëjtë, me telefon ose në rrugë duke i shëtitur qentë e tyre, të cilët i kanë blerë verbërisht duke i imituar perëndimorët!
Mos më fol mua për vullkanin e shuar i cili do të shpërthejë nga zemrat e tyre kur të fillojë beteja! Çështja nuk është se kemi të bëjmë me dëshirat dhe neglizhencën, të cilat imani i cili është i fshehur thellë në zemra do t’i mënjanojë papritur, siç përmendet në disa rrëfime rreth të penduarve! Jo, përkundrazi, beteja pikërisht është transferuar tek imani, për ta mbytur dhe nxjerrë nga zemra, në mënyrë që më pas, në fakt, ata të jenë të cilët do ta shkatërrojnë Islamin nga brenda dhe do t’ia ngulin thikën pas shpine.
Po, Islami do të fitojë pa asnjë dyshim, me krenarinë e krenarëve ose me shtypjen e të poshtëruarve, por pyetja është:
- Në cilin kamp atëherë do të jemi ne dhe fëmijët tanë?
- Në radhët e krenarëve apo të poshtëruarve?
- Në radhët e besimtarëve apo munafikëve?
- Të durimtarëve apo të atyre që janë përkulur ndaj armiqve të Islamit?
- Fëmijët tuaj, a do të jenë nga ata, me të cilët do të krenohet pejgamberi ynë Muhamedi (savs), apo do të jenë shkatërrim dhe mjerim për ty, atëherë kur do ta kuptosh se i ke edukuar për të qenë karburant për zjarr?
Mos ki frikë! Me fenë e Allahut nuk ka problem, sepse pikërisht ajo është feja e Allahut!
Problemi, në fakt, është në mua dhe në ty. Prandaj duhet të punojmë në mënyrë që të jemi prej atyre që do të hipim në anijen e Islamit kur të vjen fitorja.
“O njerëz! Ju jeni të varfër te Allahu, (nevojtarë për çdo gjë). E, Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i denjë për falënderim. Nëse don (Ai), ju zhdukë dhe sjellë krijesa të reja, kjo për Allahun nuk është vështirë.” (Fatir, 15-17)
Allahu e mëshiroftë Sejjid Kutbin, i cili ka thënë: “Pasha Allahun, vërtet fitorja është mbi kokat tona, duke pritur fjalën “Bëhu!” dhe ajo bëhet, dhe ju mos e mërzitni veten me kohën se kur do të vijë fitorja, por mërzituni për atë se, a jeni në të vërtetën apo në gabim.”
Dr. Ijad Kunejbi; Menhexh;
Përkthim: Miftar Ajdini