Dogana e Kosovës ka marrë sot një aksion për kontrollimin e lojërave të fatit në Kosovë me ç’rast ka konfiskuar së paku 35 aparate, të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci ka treguar për Express se kontrolli befasues nëpër lokacione të ndryshme të lojërave te fatit ka ardhur pas thirrjeve të qytetarëve, të cilët kanë treguar se në disa lokacione ka aparate që po funksionojnë në mënyrë ilegale.
“Janë mbi 30 aparate të konfiskuara deri më tash. Mirëpo, kjo shifër nuk është përfundimtare”, ka treguar Stavileci, për Express.
Ai ka thënë se aksioni ishte pa paralajmërim dhe ku ka pasur parregullsi janë konfiskuar aparatet e lojërave të fatit.
“Sot kemi pasur një kontroll befasuese në mbi 35 lokacione për të parë nëse po punohet pa licenca, nëse po funksionojnë ilegalisht. Dhe, ku kemi gjetur parregullsi normalisht se ato pajisje janë konfiskuar”, ka thënë Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adritatik Stavileci.
Aksione të tilla ka pasur edhe më herët pasi Ligji i ri për Lojërat e Fatit nuk lejon të ketë objektet të tilla afër shkollave, vendbanimeve dheshkollave.
Zyrtarët e Doganave kanë deklaruar se aksione të tilla do të ketë edhe në ditët në vazhdim derisa iu kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të bashkëpunojnë me Doganat për të mos lejuar funksionimin ilegal të lojërave të fatit.