“Sulmet treguan edhe një herë qëndrimin ligjshkelës, tiranik dhe okupator të Izraelit. Izraeli duhet t’i ndalë menjëherë këto sulme ndaj popullit të Gazës”, tha Kalın në një deklaratë për AA
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos heshtë dhe të ndërmarrë hapa ndaj sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sulmet treguan edhe një herë qëndrimin ligjshkelës, tiranik dhe okupator të Izraelit. Izraeli duhet t’i ndalë menjëherë këto sulme ndaj popullit të Gazës”, tha Kalın në një deklaratë për AA.
“Komuniteti ndërkombëtar, i cili hesht përballë sulmeve izraelite, duhet të marrë përsipër përgjegjësi dhe të mobilizohet. E gjithë bota duhet t’i thotë ‘ndal’ politikave pushtuese dhe ekspansioniste të Izraelit, i cili dëshiron t’i shndërrojë tokat palestineze në një burg të hapur dhe të provokojë duke ndryshuar statusin e Kudsit”, shtoi Kalın.
Kalın theksoi se qeveria aktuale izraelite nuk beson në zgjidhjen me dy shtete dhe përpiqet ta sabotojë procesin.
“Nuk mund të pranohet asnjë zgjidhje që nuk merr parasysh pavarësinë dhe sigurinë e popullit palestinez. Populli palestinez nuk është i vetëm dhe pa rrugëdalje”, tha zëdhënësi presidencial i Turqisë.
Kalın shprehu ngushëllime për dëshmorët palestinezë dhe tha se “populli i Turqisë do të vazhdojë të jetë në anën e popullit palestinez”.
Ndryshe, shtatë palestinezë kanë rënë dëshmorë si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës që nga mbrëmja e djeshme.
Ndërkaq, shtatë palestinezë të tjerë ranë dëshmorë dhe një ushtar izraelit u vra të dielën pas përleshjeve që shpërthyen pasi grupet palestineze të rezistencës vërejtën një grup ushtarësh izraelitë me veturë civile të cilët kishin hyrë tre kilometra në Gaza.
Një ditë pas incidentit, një ushtar izraelit u plagos nga një sulm me raketa i grupeve palestineze të rezistencës, mes të cilave ndodheshin edhe Hamasi dhe Xhihadi Islam. Grupet palestineze njoftuan se ky sulm, gjatë të cilit u qëllua një autobus, është ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje për dëshmorët e rënë të dielën.
Pas këtij zhvillimi, Izraeli nisi një sulm ajror, ndërsa grupet palstineze u kundërpërgjigjën me raketa.
Ndërkaq, Ylli i Kuq i Davudit, shërbimi izraelit i emergjencës, ka bërë të ditur se një person ka vdekur dhe mbi 50 të tjerë janë plagosur, prej të cilëve dy më rëndë.