Shkolla “Jeronim de Rada” do të rikonstruktohet plotësisht. 1100 nxënësit e saj do të kenë kushte më të mira mësimi në klasa, me ngrohje në dimër, terrene të reja sportive e laboratorë modernë. Ambasada e Katarit i ka dhuruar Bashkisë së Tiranës 1.35 milion dollarë për të bërë realitet rikonstruksionin e godinës, pas një marrëveshje të nënshkruar mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ambasadorit Ali bin Hamad Al-Marri.
Veliaj u shpreh se ndërhyrja në këtë shkollë ishte bërë një domosdoshmëri, për shkak të amortizimit të madh ndër vite, ndërsa theksoi se falë këtij rikonstruksioni do krijohen kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor.
“Ky është një projekt special për të dy: edhe për ambasadorin Al Marri, por edhe për ne si Bashki e Tiranës, për rikonstruksionin e plotë dhe shtimin e hapësirave në shkollën ‘Jeronim de Rada’, një nga shkollat kryesore 9-vjeçare të kryeqytetit. Në këtë projekt na janë bashkuar miqtë tanë nga Katari, për të transformuar totalisht realitetin e kësaj shkolle. Kemi vite që ndjejmë nevojën për ndërhyrje në atë shkollë: do të shtojmë një palestër të re, do të bëjmë të gjitha punimet e brendshme dhe të jashtme, do të rregullojmë të gjitha terrenet sportive, për ta kthyer në një shkollë me një turn mësimi, me sistem të ri të ngrohjes dhe ftohjes, me kushte ideale për arsimimin e fëmijëve”, tha Veliaj.
Ai falenderoi miqtë nga Katari për realizimin e projektit dhe shprehu mirënjohjen e veçantë për Emirin e Katarit, për mbështetjen që i ka dhënë rritjes së marrëdhënieve mes dy shteteve dhe kryeqyteteve.
Ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, u shpreh se ky projekt ka për qëllim t’i sigurojë kryeqytetit një mjedis arsimor bashkëkohor, në mënyrë që Tirana të krijojë kushte të mira për edukimin e fëmijëve të saj, për zhvillimin e aftësive të tyre, si dëshmi e kujdesit që i kushton Lartësia e Tij Sheikh Temim bin Hamad Al Thani edukimit të gjeneratës së re.
“Emiri i Shtetit të Katarit i kushton një vëmendje të veçantë rëndësisë së arsimit, si një faktor thelbësor në edukimin e një brezi të ndërgjegjshëm dhe të kulturuar, i cili ndërton një shoqëri të drejtë dhe kontribuon në arritjen e zhvillimit social dhe ekonomik, duke luajtur një rol efektiv në promovimin e stabilitetit, si dhe duke punuar për të garantuar një të ardhme të sigurt e të ndritshme.
Granti që ne nënshkruajmë sot, vjen si mishërim i këtij vizioni të urtë, dhe si konfirmim i vullnetit të Shtetit të Katarit për të forcuar bashkëpunimin me Qeverinë e Shqipërisë dhe lidhjet e ngushta me popullin mik shqiptar. Rikonstruksioni i shkollës “Jeronim de Rada” në Tiranë është një projekt që i shtohet projekteve të tjera, dhe që shënon një fazë të re bashkëpunimi të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë miq. Me këtë rast, dua të theksoj se Ambasada e Shtetit të Katarit nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë arritjen e këtij qëllimi”, tha Ambasadori i Katarit.