-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Të çmendur pas financës islamike

Më të lexuarat

Sipas agjencisë Moody-s, cituar dhe nga “Economist”, “viti 2014 konsiderohet viti i boom-it të financës islamike që nga një fenomen ekzotik është shndërruar në një fenomen botëror

Ndërsa politika ndërkombëtare përpiqet të ekuilibrojë botën e ndarë mes Krishtërimit e Islamit, ekonomia globale duket se nuk shqetësohet aspak nga rreziku i radikalizmit që e rrethon. Ekziston një sektor financiar që dëshirohet çdo ditë nga të gjithë, me një nivel vjetor rritjeje që shënon mesatarisht rreth 15% në vit e që udhëhiqet nga Sheriati, ligji i shenjtë i Kuranit. Ky sektor është financa islamike, e cila vlen aktualisht 1,7 trilionë dollarë të tregut botëror me një rritje vjetore vetëm në këto katër vitet e fundit që kapërcen 18%. Ndërsa financa botërore përpiqet me mundim çdo ditë të fitojë besimin e operatorëve të saj, financa islamike dëshirohet e vlerësohet në të gjithë botën. Kolosët e financës botërore si HSBC holding (grupi më i madh bankar në botë), BNP, Paribas, Citibank kanë kohë që janë pjesë e instrumenteve të saj financiare. Sipas agjencisë Moody-s, cituar dhe nga “Economist”, “viti 2014 konsiderohet viti i boom-it të financës islamike që nga një fenomen ekzotik është shndërruar në një fenomen botëror”. Perëndimi është çmendur pas financës islamike, pas “Islamic banking” dhe instrumenteve financiare që ato ofrojnë. Institute kreditimi e shërbime financiare të së drejtës islamike po shumëfishohen në të gjithë botën. Janë shtuar shumë dhe evropianët të quajtur “sharia advisors”, studiues të ligjit islamik që verifikojnë konformitetin e produkteve dhe shërbime financiare me Sheriatin.

Stimohet që më vitin 2020 asetet e financës islamike mund të vlejnë 6.5 trilionë dollarë. Në Evropë qe Britania e Madhe shteti i parë që studioi një kuadër të vërtetë legjislativ për të stimuluar financës islamike në vend. Sekretari i atëhershëm i Thesarit, Ed Ball, deklaronte se “sistemi fiskal britanik duhet të inkurajojë zhvillimin e produkteve në respekt të Sheriatit e duhet të synojmë që Mbretëria jonë të bëhet qendra botërore e financës islamike”. Vetë Kryeministri britanik David Cameron është shprehur se “financa islamike rritet me një ritëm superior prej 50% më shumë sesa sektori bankar tradicional e se investimet në nivel global janë rritur gjatë 2014 në 1300 miliardë sterlina. Qeveria britanike synon të sigurojë që një përqindje e madhe e këtyre investimeve të kryhet në Britaninë e Madhe”. Po, në Londër më vitin 2013 u mbajt seksioni i nëntë i World Islamic Economic Forum, me pjesëmarrjen e 1800 politikanëve e eksponentëve më të rëndësishëm të financës botërore. London Stock Exchange po studion aktualisht një tregues islamik që të mbuloj aktualisht të gjitha mundësitë e investimit të kësaj finance.

Përveç Londrës, Luksemburgu është vendi me një ekonomi të klasifikuar AAA, që përfaqëson 8% të financës islamike. Qysh më 2008 në këtë shtet është ngritur një task-forcë që identifikon pengesat e zhvillimit të kësaj finance. Pas Luksemburgut renditet Irlanda, e cila përfaqëson 7% të financës islamike. Edhe pjesa më e madhe e financës islamike kryhet në Iran, Arabi Saudite e Malajzi, çdo ditë e më shumë bankat tradicionale po hapin degë të shoqërive të tyre që merren me financën islamike. I tillë është rasti i japonezes Mitsubishi UFJ, që në marrëveshje me Export-Import Banc of Malaysia (Exim Bank) për një kredi në lëndën e parë ka zgjedhur kredinë islamike (murabahah) e jo atë tradicionale. Duke konfirmuar suksesin dega malaziane e Mitsubishtit numëron, sot, 30 nëpunës në departamentin e saj të financës islamike.

Në SHBA, Goldmn Sachs po përgatitet të emetojë bonon e parë islamike sipas “Financial Times”, të plotfuqishmit e Wall Street janë takuar me sipërmarrësit e Qatar dhe të Emirateve të Bashkuara për detyrime pesëvjeçare prej 500 milionë dollarë. Gjithashtu dhe Afrika e Jugut, një vend jo mysliman do të emetojë bonon islamike që do të kap shumën e 500 milionë dollarë.

Një tjetër lajm që mbylli vitin 2014-ën, që shkaktoi jo pak komente mediatike qe blerja e ndërtesës së selisë kryesore të policisë britanike Scotland Yard nga fondi i Abu Dhabi me 370 milionë stërlina. Sipas “Daily Telegraph”, kjo strukturë do të shembet për t’i lënë vendin një zone rezidenciale e tregtare.

Financa Islamike propozon, sot, projekte ambicioze që i japin përgjigje kërkesave të kreditimit në shumë vende në zhvillim me një traditë të varfër bankare, por dhe lançon një model të nevojshëm dhe për vendet e zhvilluar që prej disa vitesh gjenden në një sistem bankar në krizë.

 

Po ç’është financa islamike?

Mund të përkufizohet dhe si një financë etike që përjashton tepritë spekulative e jo të moralshme, tipike të financës moderne, dhe bazuar në ligjet e shenjta të Kuranit e në tre principe themelore të rëndësishme;

1- Nuk ekziston një vlerë në kohë e parasë. Kurani ndalon kategorikisht pagimin e interesave e nuk pranon asnjë kërkesë rimbursimi superior për shumën e dorëzuar në bankë. Sipas koncepteve të Kuranit paraja nuk mund dhe nuk duhet të gjenerojë para duke mos lëvizur, pra duke u mbyllur në një llogari bankare. Bankat islamike zotërojnë llogari investimesh speciale në të cilat investuesit depozitojë të ardhurat me qëllim investimin e tyre në një aktivitet të specifikuar ekonomik. Kurani konsideron “halal” të gjitha aktivitetet tregtare e përfitimet e derivuara nga këto shërbime financiare.

2- Spekulimi është rreptësisht i ndaluar e konsiderohet “haram”, çdo kredi e interes bankar. Instrumentet financiare “Sharia Compliant” duhet të kenë një aktivitet real e përjashtohet haptazi përdorimi i derivateve.

3- Këto aktivitet reale duhet të konsiderohen të lejuara nga Kurani e nuk duhet të përfshijnë biznese të lidhura me duhanin, alkoolin, lojërat e fatit, prostitucionin e prodhimin e mishit të derrit.

 

Bono islamike – Sukuk

Instrumenti financiar më i përdorur në financën islamike është Sukuk-u, i barasvlershëm me një bono tradicionale bankare. Janë certifikata investimesh në përputhje me ligjet islamike e kush zotëron një Sukuk teknikisht nuk jep para atij që e ka emetuar, por zotëron një kuotë të parasë të shpenzuar për blerjen. Sukuku përdoret për të financuar projekte ekonomike dhe rendimenti i tyre derivon nga ndarja e përfitime të lidhura me aktivitetin ekonomik të financuar. Penguar nga principet e krijimit të kësaj finance nuk janë të shumta hapësirat e investimeve për institutet financiare që operojnë sipas financës islamike.

Si rrjedhojë, gjenden sasi të mëdha parash të gatshme për t’u investuar e në pritje të diversifikimit të tyre. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve është përqendruar në sektorin imobiliar. Përfitimet nga Sukuku vijnë drejtpërdrejtë nga asetet apo nga kuota që hedhësi i bonusit i derdh blerësit. Sipas revistës “Economist” të muajit shtator 2014, prej vitit 2002 dri më 2013 emetimi i Sukuku është rritur me 35%. Vëllimi i përgjithshëm ka kaluar nga 4 në 83 miliardë dollarë e Malajzia mban vendin e parë në emetimin e Sukuk. Sipas Moody-s Investitor Service, gjatë 2014 emetimet e Sukuk kanë kapërcyer 300 miliardë dollarët, shifër që pritet të rritet shumë gjatë viteve të ardhshme me kulmin në 2020 për të financuar EXPO në Dubai. Aktualisht “Islamic Banc” është një sektor që stimohet në shkallë botërore 2 mijë miliardë dollarë. Pika e fortë së sistemit bankar islamik janë kreditë dhe borxhet. Ligji islamik lejon besimtarët të kërkojnë para dhe kredi për të financuar aktivitetet e tyre tregtare me pakt që mos të kenë të bëjnë me pornografinë, alkoolin, prostitucionin, duhanin, prodhimin e mishit të derrit, duke evituar interesin financiar.

Sistemi bankar modern islamik ka lindur rreth vitit 1970, ka njohur një fazë fillestare eksperimentimi, sot ka një përhapje të gjerë e dëshirohet kaq shumë nga tregu financiar botëror. Organizata e Bankës Islamike ka aprovuar përkufizimin e mëposhtëm të emërtimit “Bankë Islamike”: quhet i tillë një institucion financiar në të cilin ligjet, statuti e rregullorja operojnë sipas principeve islamike e evitojnë marrjen e dhënien e interesave në çdo operacion të kryer.

Alba Kepi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit