“Le ta ruajmë tregtinë tonë nga rreziqet që vijnë nga valutat e huaja”, tha Erdoğan në Forumin e Ekonomisë dhe Biznesit Turqi-Afrikë në Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u bëri thirrje vendeve afrikane të bëjnë tregti dhe biznese të përbashkëta me Turqinë duke përdorur monedhat vendase, raporton Anadolu Agency (AA).
“Le ta ruajmë tregtinë tonë nga rreziqet që vijnë nga valutat e huaja”, tha Erdoğan në Forumin e Ekonomisë dhe Biznesit Turqi-Afrikë në Stamboll.
Ai nënvizoi nevojën për të ndërmarrë hapa për të shpëtuar vendet e tyre nga presioni i valutës.
“Ne i dhamë prioritet kësaj çështjeje teksa vendi u përball me sulme spekulative kohët e fundit”, tha presidenti turk.
Erdoğan tha se është e rëndësishme të besohet se mënyrat alternative janë të mundshme.
“Ne jemi të gatshëm të përmirësojmë marrëdhëniet tona tregtare duke përdorur monedha vendore jo vetëm me partnerët tanë kryesorë tregtarë, por edhe me miqtë tanë afrikanë”, shtoi ai.
Turqia ka nxitur tregtinë me monedha vendase duke akuzuar administratën amerikane për përdorimin e dollarit si një mjet për të sulmuar ekonomitë e vendeve të tjera.
“Ne jemi të gatshëm për të gjitha llojet e bashkëpunimit me qasje të favorshme dhe në bazë të ndarjes së përfitimeve”, deklaroi Erdoğan.
Bashkëpunimi me shtetet e Afrikës
Erdoğan shtoi se edicioni i tretë i samitit të partneritetit Turqi-Afrikë është planifikuar të mbahet në Stamboll në vitin 2019.
Vendi i jep rëndësi të madhe bashkëpunimit me vendet afrikane, tha Erdoğan, duke shtuar: “Turqia vazhdon të përmirësojë marrëdhëniet e saj me vendet afrikane në bazë të partneritetit të barabartë”.
Forumi dyditor, i cili filloi sot në Stamboll, ka tubuar tre mijë biznesmenë afrikanë dhe turq.
Forumi organizohet nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme të Turqisë në koordinim me Ministrinë e Tregtisë të Turqisë dhe Unionin Afrikan.