I shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, Shefqet Krasniqi nuk do të ushtrojë kërkesë për kompensim të dëmit.
Kështu ka thënë avokati i tij, Sevdali Zejnullahu. “Është fakt i pakontestueshëm që nuk mund të ketë vlerë e cila do të mund të baraspeshonte me përjetimet të cilat ai dhe familja e tij padrejtësisht i kanë vuajtur qe 4 vite. Megjithatë, z. Krasniqi përkundër të drejtës në parashtrimin e padisë, nuk do të ushtrojë kërkesën për kompensim”, tha avokati Zejnullahu.
Shefqet Krasniqi u shpall i pafajshëm nga akuzat për nxitje të urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.
Lidhur me këtë vendim të Apelit, avokati Zejnullahu tha se është i drejtë dhe profesional.
“Është vërtetuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje të cilat pretendon prokuroria. Përkundrazi u vërtetua se aktgjykimi i shkallës së parë ishte vendosur mbi bazën e provave dhe fakteve të cilat ishin administruar në Gjykate para një trupi profesional gjyqësor dhe t cilët me kujdes te veçantë kanë vlerësuar e krahasuar ato prova një nga një dhe në tërësi dhe si rrjedhim kanë sjell vendimin i cili e vërteton se z. Krasniqi është i pafajshëm sa i përket pretendimeve të cilat i ngarkonte Prokuroria”, tha avokati.
Po ashtu, mbrojtësi i Shefqet Krasniqit e vlerëson profesional dhe të pandikuar vendimin e Gjykatës, e kjo sipas tij e ngrit besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Por e rendit do të ishte që hoxha Shefqet Krasniqi të kërkojë dëmshpërblim të majmë për shkak se atij i është bërë padrejtësi e madhe. Zakonisht nëpër vendet e ndryshme të botës, kur dikush arrestohet padrejtësisht,e ai pastaj del nga burgu i pafajshëm, ai del si një hero i vërtetë dhe shteti rri në ethe së bashku me gjykatën pasi duhet ti paguajnë një dëmshpërblim të madh, për shkak të dëmit që i kanë shkaktuar.
Do ishte gabim nëse të gjitha këto vuajtje dhe këto malltretime hoxha Krasniqi, nuk do ti matrializonte, ngase është një e drejtë e tij dhe akuzat ndaj tij ishin të rënda, si nxitje terrorizmi. Si shkak i arrestimit, ai humbi edhe vendin e punës në xhaminë e Madhe, që me sa diskutohet në opinion ai vend i punës i iku për të iu mos u kthyer kurrë më.
Nëse do të kërkonte dëmshpërblim hoxha Krasniqi, që do të kërkonte në shifra milionshe, ai do ta bëntë më “vigjilent” shtetin e Kosovës që mos të bëj arrestime politike, ngase i kushtojnë shumë këto denigrime publike.
Imami Krasniqi përveç që paraqet veten, ai paraqet edhe figurën e imamit, pasi në të gjitha gjykimet e tija ka qenë me veshjen tradicionale të hoxhës shqiptar. Kështu që me këtë do të kishte ruajtur autoritetin e tij, të figurës së hoxhës dhe figurën e personalitetin e shumë hoxhallarëve shqiptarë, që janë të pastër plotësisht nga akuzat që u bëjnë politikanët dhe njerëzit dashakqinjë./KohaIslame.com/