-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ish-ministrja e Brendshme Jankulloska dënohet me 6 vjet burg

Më të lexuarat

Në lëndën “Tank”, për furnizimin e automjetit luksoz të blinduar me vlerë prej 600 mijë eurosh më herët u dënua edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski me dy vjet heqje lirie dhe ish-ndihmës ministri i Brendshëm, Gjoko Popovski, me gjashtë vjet burg

 

SHKUP (AA) – Ish-ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulloska, është dënuar me 6 vjet heqje lirie në lëndën e Prokurorisë Speciale Publike të quajtur “Tank”, ku është e akuzuara e tretë në këtë rast për furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes-Benz S600”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aktgjykimi u shqiptua nga kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Dobrilla Kacarska, ndërsa Jankulloska nuk ishte e pranishme në seancën ku ishin vetëm avokatët e saj dhe përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale Publike.

Gjykimi për ish-ministren Jankulloska, që para disa muajve u veçua si procedurë për shkak të shtatzënisë së saj, filloi në fund të muajit gusht të këtij viti, pasi e pandehura kishte lindur.

Në lëndën “Tank”, për furnizimin e automjetit luksoz të blinduar me vlerë prej 600 mijë eurosh më herët u dënua edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski me dy vjet heqje lirie dhe ish-ndihmës ministri i Brendshëm, Gjoko Popovski, me gjashtë vjet burg.

Të dy paraqitën ankimime në Gjykatën e Apelit për gjatësinë e dënimeve. Apelacioni njoftoi se ankimimi i kryeministrit Gruevski nuk është pranuar dhe i konfirmoi me burg prej dy vjetësh, ndërsa Popovskit aktgjykimi iu ndryshua në katër vjet e gjysëm heqje lirie.

Sipas aktvendimit të lexuar në shqiptimin e aktgjykimit të ish-kryeministrit Gruevski, ky i fundit ka ushtruar ndikim mbi dy të akuzuarit tjerë në mënyrë që nga Jankulloska ka kërkuar të blejë automjetin luksoz, ndërsa Jankulloska ka nxitur Popovskin që gjatë blerjes së automjetit të favorizojë një kompani.

Kujtojmë se rasti “Tank” është pjesë e lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike, e cila merret me lëndët që dalin nga afera e përgjimeve të publikuara në vitin 2015 nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), lideri i së cilës, aktualisht kryeministri Zoran Zaev, akuzoi pushtetin e atëhershëm, pjesë e të cilit ishin të akuzuarit e rastit “Tank”, se ka bërë përgjime ilegale të mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë, në mesin e të cilëve politikanë, zyrtarë të ndryshëm, gazetarë, personalitete publike, për çka publikonte materiale të përgjuara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit