Ngjarjet dramatike të atentatit terrorist në Paris kanë dominuar gjerësisht hapësirat mediatike shqiptare. Mes përcjelljes së informacioneve dhe solidaritetit nuk munguan analizat gjeopolitike në stilin The Clash of Civilisations dhe as programet nacional-popullore në gjueti të audiencës. Ndër to, më i konsoliduari, Opinion-i i Klanit u përpoq të hiqte disa paralele me realitetin shqiptar, nisur nga prania e disa shqiptarëve në konfliktin sirian. Një emision të ngjashëm Opinion-i e pati propozuar menjëherë pas disa arrestimeve në të ashtuquajturën “xhamia e unazës”. Pak a shumë të njëjtat video ilustruese qarkulluan edhe të enjten e shkuar, përveç disa komenteve shqiptare në mbështetje të sulmit terrorist të Parisit, që moderatori i kishte përzgjedhur me kujdes, megjithëse versionet digjitale të mediave shqiptare gëlonin nga komentet plot urrejtje në kahun tjetër. Një vatër e urrejtjes skandalizon, kurse një tjetër tolerohet. Si çdo herë, nuk mund të mungonte prania e politikanëve shqiptarë, si opinionistë. Për ironi, lotaria i kishte rënë Ben Blushit. E nënvizoj ironinë për disa arsye. (1) Blushi i përket familjes Blushi-Shuteriqi, që i shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim regjimit terrorist të Enver Hoxhës, i cili e masakroi për dekada fjalën e lirë. Sikur të mos mjaftonte, ai pozoi para disa kohësh me simbole komuniste, teksa në sfondin e ceremonisë zyrtare ngrihej portreti i Enver Hoxhës. (2) Blushi është bërë i dukshëm në politikë pas 1997, pra si rezultat i terrorit që nuk mori parasysh asnjë liri dhe ndjenjë kombëtare vetëm e vetëm për të ricikluar sipërmarrjet politike. (3) Blushi është pjesëtar i kastës së pushtetit (në tërësi) që ka meritën e asgjësimit të shpresave të shqiptarëve te ligji, drejtësia, rendi-policia, mjekësia, shteti në tërësi, pasojë për të cilën qytetarët besojnë si shpëtimtare të vetme BE-në ose sisteme alternative vlerash. (4) Hëna e Shqipërisë, një përpjekje analitike e Blushit, ka kaluar në heshtje, me gjithë akrobacitë e autorit për polemika (duke filluar nga botimi tek e “djathta” ‘UET Press’) dhe inkuadrim në debatin publik. Pa influencë në parti, aq sa kur flet përbën lajm vetëm për aparatin mediatik të djathtë dhe shokët e vjetër (që me “lirinë e fjalës” i vunë flakën Shqipërisë në 1997), por edhe me audiencën e munguar nga eseistika e stilit “shikoj filxhanin”, Blushi përpiqet të jetë i pranishëm publikisht me çdo mjet. Tek Opinion-i i të enjtes, i zhveshur live nga argumentet, luajti rolin klasik të viktimës së ofenduar dhe të kërcënuar. Më pas shokët e vjetër (Andi Bushati i mungoi emisionit, ndonëse parashikohej si i ftuar), e holluan lapsin për të shpikur një kërcënim ndaj deputetit, sipas tyre të verifikuar gjatë emisionit në fjalët e Ergys Mërtirit, por që askush nuk e pa, madje as vetë Blushi nuk e perceptoi në nivelet e përshkruara nga shokët. Gazeta Dita, duke përsëritur qëndrimin e lapsi-t, shkëput frazën me fjalën ‘plumb’ duke e paraqitur si kërcënim drejtuar Blushit. Mekanizmi është i famshëm: fjala e tjetrit fragmentohet; ngjarja devijohet në një drejtim tjetër; viktima e sajuar forcon imazhin publik dhe përforcon tezat e veta; fenomeni i munguar shpiket; justifikohen kalemxhinjtë. Në këtë mënyrë liria e fjalës përdoret për shantazh e denigrim, që vitin e sapo lënë pas është kultivuar dendur edhe në hapësirat kulturore. Ergys MertiriMërtiri u përpoq ta trajtonte lirinë e fjalës nga një këndvështrim sociologjik, aty ku liria shkon paralelisht me përgjegjshmërinë dhe kujdesin në trajtimin e fenomeneve delikate. Në vijim deputeti e paraqiti kujdesin si censurë personale: “për çfarë duhet të kem kujdes”, përsëriste vazhdimisht Blushi, duke kaluar nga censura te ngjyresat e kërcënimit. Pastaj Mërtiri ironizoi se “mund të hajë ndonjë plumb qorr”, duke shtuar më pas se provokimi i radikalizmave mund të shpërthejë në sjellje të tilla si ato të Parisit. Kushdo që sheh kontekstin e kupton se bëhet fjalë për ironi me bashkëbiseduesin e papërgjegjshëm, që për më tepër nuk reshti së mbrojturi të drejtën e tjetrit për të ironizuar edhe me ndjesitë e shenjtërisë apo thjesht për t’u shprehur. Debati ka qëndruar mbi arsyet e rreziqeve që i vijnë shoqërisë. Në këndvështrimin e Blushit, “botës nuk i vjen rreziku nga fjalët, as nga vizatimet, por nga vrasjet”. Tërthorazi mësohet këtu se katandisja e shoqërisë shqiptare është vërtetë tragjike: kritika ka më shumë formatin e shpifjes, ndërsa vrasjet janë tashmë rutinë. Në këndvështrimin e Mërtirit, rreziku i vjen botës nga polarizimi, i cili prodhon tensione që më pas bëhen të rrezikshme në një botë hantingtoniane dhe të globalizuar. Ai këmbëngul se fjala është plumb pasi prodhon radikalizma, që mund të shfaqen në reagime ekstreme. Kujdesi i drejtohet raporteve me tjetrin, me të ndryshmen, me fenomene delikate. Për shembull: për hir të fjalës së lirë nuk mund të satirizohet Holokausti. Sikur ne të ishim një vend normal nuk do të qarkullonte portreti i Enver Hoxhës nëpër ceremoni publike, aq më tepër shtetërore; nuk do të shpallej qytetar nderi Feçor Shehu, e as do të mund të rehabilitohej Mehmet Shehu si ‘burrë shteti’. Këto janë raste kur liria e fjalës kërkon kujdes. Siç ka të drejtë një gazetë të ushtrojë profesionin e satirës, po aq të drejtë ka edhe një person të nënvizojë domosdoshmërinë e kujdesit në komunikimin me fenomene që përfshijnë grupe të mëdha sociale. Ndryshe, minimumi, i thonë etikë, pikërisht ajo që i mungon gazetarisë shqiptare, krahas profesionalizmit të zëvendësuar nga militantizmi ndaj pushteteve. Lajmi i ofruar nga lapsi përfundon me thirrjen për etikë: “Pavarësisht nga pretendimi i Ergys Mërtirit, përmendja e ndonjë plumbi qorr që mund të hante’ bashkëbiseduesi i tij, sipas Lapsi.al i kalon caqet e etikës së një debati dhe kufijtë e një përballje me argumente”. Ka një diskordancë këtu: titulli bën qartësisht fjalë për “kërcënim[i] ndaj Blushit” dhe më pas nënvizohet se “në çdo vend të botës ky do të qe një kërcënim i hapur”, kurse lajmi mbyllet me “përmendja e ndonjë plumbi qorr […] sipas Lapsi.al i kalon caqet e etikës së një debati”. Ose është ‘kërcënim për jetën’ ose është ‘mungesë etike’; ose sistemi i vlerave të redaksisë i konsideron të njëjta. Duke e mbyllur artikullin në këtë mënyrë, redaksia e lapsi-t tërhiqet nga konstatimi i kërcënimit, që ngelet të jetë shpifje, bashkë me shijen e hidhur të nivelit të gazetarisë shqiptare. Ama një shpifje pa stil, që e ka shtyrë redaksinë, në fund fare, të justifikohet me normativën etike. Po a nuk ishte thirrja për ‘ruajtje të etikës’, pra të ‘kujdesit në komunikim’, pikërisht ajo që tentoi të sqaronte Mërtiri? Modeli i lapsi-t më kujtoi laboratorin ‘Koha Jonë’, ku performuan Frangaj, Lesi, Blushi apo majat e lapsit, Shkullaku & Bushati. Ja çfarë qasjeje botohej në 2002, me titullin Sulmohet Krishterimi: Pardje mbrëma, piramida e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, sulmoi ashpër Papa Gjon Pali i Dytë, simbolin e Katolicizmit, fesë që sundon Evropën dhe me gjere. Piramida radiotelevizive kombëtare priti rastin e skenës publike te Festivalit Kombëtar te Muzikës dhe, në vend të këngës, në skenë ngriti kultin anti-Krishterim […]. Askush, rretherrotull rruzullit tokësor, nuk e ka bërë atë që u bë mbrëmë nga piramida radiotelevizive në pallatin qendror të kryeqytetit shqiptar […]. Dje, të parët që drejtuan protesta dhe hidhërim ishin besimtarët katolikë nga Malësia e Madhe, gjysma e qytetit të Shkodrës, krejt Mirdita, Blinishti e Shënkolli në Lezhë, Laçi, Puka, Miloti, zona mirditore e Sarandës […]. Kardinali i Arkidioqezës së Durrësit dhe Tiranës, Don Henri Velpkamp, tha për “KJ” se është pritur me mjaft indinjatë denigrimi i Atit të Shenjtë. Kjo gjuhë agresive ndaj satirës dhe identiteteve – plot manipulime dhe shpifje – përdorej kur Blushi ishte ministër dhe çuditërisht nuk gjente kohën për ta mbrojtur lirinë e satirës. Kjo lloj gazetarie dominon sot informacionin dhe ndikimin në opinionin publik. Doan Dani