Në përgjigje të thirrjes së Lëvizjes për Bojkot, Izolim dhe Sanksione (BDS), Shtatë artistë të huaj kanë vendosur që të bojkotojnë Festivalin “Meteor” të Muzikës në Izrael…
Shtatë artistë të huaj kanë vendosur që të bojkotojnë Festivalin “Meteor” të Muzikës në Izrael.
Siç bën të ditur portali informativ izraelit, “Walla”, përveç kantautores amerikane, Lana Del Rey, e cila ishte e para që anuloi pjesëmarrjen në Festivalin “Meteor” të Muzikës, i cili do të organizohet më 6, 7 dhe 8 shtator në Izrael, këtë eveniment e bojkotuan gjithashtu muzikantët amerikanë Henry Louver, Wolfox dhe Payton, artistët britanikë Leon Vinhol dhe Shanthi Celeste, DJ Seinfeld nga Suedia dhe grupi afrikanojugor “Black Motion”.
“Walla” thekson se pjesëmarrjet janë anuluar në përgjigje të thirrjes së Lëvizjes për Bojkot, Izolim dhe Sanksione (BDS), një fushatë globale që synon rritjen e presionit ekonomiko-politik mbi Izraelin dhe mbështetjen e Palestinës; ndërsa tërheq vëmendjen se ky bojkot promovohet fuqimisht nga artisti britanik, Roger Waters, solist i grupit të famshëm “Pink Floyd” dhe një ndër aktivistët më shquar të BDS-së.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur se këtë festival do ta bojkotojnë gjithashtu grupet muzikore “Znobia” dhe “Khalas”, të themeluara nga qytetarë izraelitë me origjinë palestineze.
Themeluar në vitin 2005, Lëvizja për Bojkot, Izolim dhe Sanksione promovon forma të ndryshme të bojkotit (ekonomik, kulturor, akademik dhe politik) kundër Izraelit derisa të plotësojë ato që kjo fushatë i përshkruan si “detyrime (të Izraelit) sipas të drejtës ndërkombëtare”, siç janë tërheqja e këtij shteti nga territoret e pushtuara palestineze, heqja e barrierës ndarëse në Bregun Perëndimor, barazia e plotë për qytetarët arabo-palestinezë të Izraelit dhe nxitja e së drejtës për kthim të refugjatëve palestinezë.
Izraeli e konsideron Lëvizjen BDS si një kërcënim strategjik dhe dëbon jashtë shtetit të gjithë aktivistët e saj që apelojnë për bojkot, duke i akuzuar ata për antisemitizëm.
Në maj 2017, Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi ligjin “për bojkotin”, që parashikon të mos japë vizë hyrjeje në vend për promotorët e bojkotit kundër Izraelit.