4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Reagime “pro et contra” pas largimit të prokurorit që hetonte listat e veteranëve: ikja, shpëtim i kokës apo mungesë përgjegjësie?

Më të lexuarat

Reagime të shumta kanë plasur pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili dyshohet se ka ikur drejt Amerikës pasi ka marrë kërcënime pas hetimeve që ka bërë me listën e veteranëve.

Sipas “Betimi për Drejtësi”, prokurori Elezaj ka hetuar “peshqit e mëdhenj”, si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari, si personat kryesorë që kanë manipuluar me listat e veteranëve, çka i kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare shtetit, duke bërë njerëz veteran pa qenë fare.

“Ditë e pikëlluar”

Duke filluar nga amabsadori amerikan, zyrtarë partish, avokat, përfaqësues të shoqërisë civile por jo vetëm lajmin e dorëheqjes të prokurorit Blakaj e kanë quajtur lajm të keq për drejtësinë kosovare, por që ministri Drejtësisë ka adresuar kritika në drejtim të prokurorit të larguar.

Ambasadori i SHBA-ve, Greig Delawie përmes një postimi në Twitter rastin në fjalë e ka quajtur tejet shqetësues

“Një ditë e pikëlluar për drejtësinë në Kosovë, ku prokurori jep dorëheqje për shkak të kërcënimeve dhe mungesës së përkrahjes është shqetësuese në veçanti kur ai ishte duke punuar në rastin e mashtrimit masiv të pensioneve”, shkruan Delawie.

Ministri i drejtësisë kritika prokurorit të dorëhequr…

Ndërkaq ministri i Drejtësisë, ka kritikuar prokurorin për largimin e befasishëm. Sipas tij është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, për punën që bën, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë.

“Në kohën kur të gjitha përpjekjet tona si institucione janë duke u orientuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, një mesazh i tillë është tërësisht i pa pranueshëm dhe meriton trajtim emergjent deri në fund. Republika jonë është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritet mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë. Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë”, shkruan Tahiri në Facebook.

Ai më tej thotë se Kosova ka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacënueshmërinë e punës së tyre nga kushdo.

“Rrëshqitja e sistemit të drejtësisë’

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, njëherit nënkryetare e Kuvendit, Aida Dërguti ka kërkuar të hetohen arsyet e vërteta të largimit të prokurorit.

“Është tejet shqetësuese nëse arsyeja e dorëheqjes së tij është mosofrimi i mbrojtjes institucionale. Kërkojmë sqarim publik nga institucionet përgjegjëse shtetërore lidhur me arsyet e dorëheqjes. Pastrimi i këtyre listave është në interes të drejtpërdrejtë të veteranëve të vërtetë.  Drejtësia e lirë, e pavarur dhe funksionale është interes i Republikës dhe në funksion të mbrojtjes së vlerave të luftës”, shkruan Dërguti në Facebook.

Ndërkaq, avokati Kujtim Kërveshi thotë se pa i marrë parasysh të gjitha rrethanat, të thënat dhe të pa thënat, duhet të jetë i mjerë dhe dështak deri në fund ai sistem prokurorial ku prokuror si Elez Blakaj nuk mund të zënë vend.

“Një shtet nuk ndërton prokurori si Elezi brenda ditës. Ndoshta ky vend edhe nuk meriton prokuror si Elezi, ndoshta edhe nuk meritojmë këtë pak shtet që kemi. Brezi i prokuroreve të rinj ka qenë satisfaksioni im më i madh profesional gjatë punës sime si anëtar i Këshillit Prokurorial dikur. Dikujt mund t’i duket çudi si një avokat tani lavdëron një prokuror. Nuk janë lavde, janë fjalë dëshpërimi për gjendjen ku kemi ra!. Vaj halli për një shoqëri, për një profesion, dhe një prokurori ku profesionalist si Elez Blakaj nuk gjejnë vend.  Rasti i tij do të duhet të kthehej në platforme se ku ka rrëshqitur sistemi jone prokurorial dhe ku po na ikën shteti çdo ditë e më shumë!!!”, shkruan Kërveshi.

Kurse Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se prokurorët po japin dorëheqje dhe po i lënë edhe pagat e larta, vetëm për të shpëtuar kokën prej kriminelëve që po i kërcënojnë.

“Qeveria thoshte se pagat nuk po i rriste për vete, por për gjyqtarët dhe prokurorët që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sot prokurorët po japin dorëheqje dhe po i lënë edhe pagat e larta, vetëm për të shpëtuar kokën prej kriminelëve që po i kërcënojnë. Sistemi i drejtësisë i pafuqishëm të mbrojë vetën lëre më qytetarët”, shkruan Krasniqi.

Ai thotë se qeveria shpenzon para të buxhetit të shtetit me të vetmin qëllim – rritjen e klientelizmit.

“Kjo nuk mund të quhet ndryshe përveçse kapitullim i shtetit përballë krimit”, thotë Krasniqi.

B.Gashi – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit