-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Lufta në Siri dhe ndërgjegjja e ngordhur e botës së qytetëruar

Më të lexuarat

U bënë vite qysh kur ka filluar konflikti sirian, ndërsa viktimat, as që mund të numërohen. Raportet nga ky konflikt i cili ka marr përmasat e një lufte të vërtetë, përherë janë të zymta. Sipas disa të dhënave 500,000 njerëz janë vrarë, ndërsa mbi 14 milionë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Fotografitë dhe xhirimet prej atje, zbulojnë pamje tronditëse. Qytete të tëra janë shndërruar në gërmadha të frikshme – shkruan Gazeta e Re.
Me gjithë viktimat e shumta, megjithëqë çështja duket sikur është e pazgjidhshme, Siria nuk e ka më vëmendjen e viteve të para të luftës. Vetëm në vitin e parë (përleshjet e para të armatosura nisën në vitin 2011), “bilanci” i luftës për sa u përket viktimave, kapi shifrën e 10.000 personave. Bota perëndimore, institucionet ndërkombëtare, e dënuan dhunën, luftën dhe vrasjet e pafajshme, por asgjë më shumë se kaq. Mekanizmat ndërkombëtar që e kanë për mision ndërhyrjen në këso lloj rrethanash, heshtën.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara, vetëm para pak kohe kërkoi nga regjimi sirian të kishte kujdes me civilët.

<<Qeveria e Sirisë ka për detyrë që të ndërmarrë masa dhe të mbrojë jetën dhe pronën e njerëzve nga të gjitha llojet e dhunës>> – bëri thirrje komisioni. Mirëpo kjo kërkesë, në këto rrethana, duket më se qesharake. Brutaliteti i luftës, tash e shtatë vite, i ka zënë në kurth ata që mund të jenë më të pafajshmit, pra fëmijët, gratë dhe pleqtë. Prej afro 500,000 mijë viktimave sa supozohet të jenë deri më tani, 90,000 mijë janë fëmijë.

Komisari i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi, në një mbledhje të mbajtur para disa muajsh, raportoi se afro 750.000 jetë njerëzore janë në rrezik akut në Daraa, vend në jugperëndim të Sirisë dhe se 325.000 vetë i kanë humbur tashmë shtëpitë e tyre.

Në një artikull i para disa muajve në magazinën e njohur ‘The Ekonomist’, shtronte pyetjen se luftimet ende po vazhdojnë atje, ndërsa i ashtuquajturi Shteti Islamik ISIS, ka kapitulluar tashmë. Bashkë me dështimin e “shtetit të kalifatit”, duket është varrosur përgjithmonë edhe iniciativa për rrëzimin e Bashar Al Assad-it, i cili tashmë e bartë mbi supe barrën e rëndë të vrasjes së mijëra viktimave. Por në Siri, janë ngatërruar fijet e shumë fuqive dhe kjo reflekton fare hapur edhe në takimet e OKB-së. Rusia po akuzohet nga perëndimorët se po qëndron prapa regjimit të Assadit, por zyrtarët njërës prej superfuqive më të mëdha në glob, janë përgjigjur në të njëjtën monedhë. Po ashtu, këta të fundit i kanë akuzuar amerikanët si furnizues me armatim të rebelëve. Në Siri, janë përdorur pothuajse të gjitha llojet e armëve, duke i përfshirë edhe bombat kimike. Në këtë pikë, të gjithë akterët kanë refuzuar ta marrin fajin, duke e mohuar origjinën prej nga kanë ardhur armatimet e sofistikuara.

E ndodhur krejt pranë konfliktit, Turqia, po ashtu, nuk ka mundur të qëndroi indiferente. Vitin e kaluar ajo ndërmori një aksion jashtë kufijve zyrtar të shtetit, për t’i eliminuar, siç u tha, afro 2000 trupa të YPG-së, meqë këta mbështesin grupet e infiltruara terroriste kurde brenda shtetit turk. Nga ana tjetër, diplomacia turke, me në krye Presidentin Erdogan, ka ndjekur një strategji të atillë, që çon në ftohjen e gjakrave nga të gjitha palët. Por superfuqitë e infiltruara, duket që nuk janë ende të gatshëm ta lëshojnë nga nofullat viktimën. Për më shumë, retorika e akuzave të ndërsjella, ka treguar që çështja siriane është me miliona kilometra larg nga zgjidhja, e ndërsa vrasjet dhe shpërnguljet ende vazhdojnë./Gazetaere

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit