-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Mes dy rrugëve!

Më të lexuarat

Para njëzet e kusur vitesh, ai ishte duke u lutur në Qabe. Pas vetes, dëgjon një bisedë të zjarrtë. Për shkak të retorikës së përdorur, kthen kokën si me lezet dhe sheh Abdul Azizin, Zoti e mëshiroftë, teksa fliste gjithë arbitraritet dhe me siguri tek vetja. Ai ngrinte dorën dhe theksonte se është vetëm një udhë, një drejtim, krejt i qartë, sigurisht vetëm për ata që i ka frymëzuar Zoti dhe që kanë qëllim të sinqertë. Sipas tij, të gjithë xhematet dhe lëvizjet, nuk janë më shumë sesa rrjeta të shejtanit, me të cilat ka mbërthyer disa njerëz dhe i ka larguar nga udha e Zotit!

Ky Abdul Azizi, u largua përfundimisht nga kjo botë, në ngjarjet e dhimbshme që ndodhen në Qabe, pasi ishte prej të armatosurve dhe që shkelën shenjtërinë e Qabes, për shkak të interpretimeve të tyre të çuditshme!
U pa qartë që rruga për të cilën fliste ai, nuk ishte e duhura, madje, nuk ishte fare rrugë dhe se rrjetat i kishin mbuluar logjikën.
Nëse reforma ka dy rrugë, njëra e shpejtë që e redukton distancën dhe përmbush qëllimin, por që kërkon sakrifica të mëdha, vështirësi dhe mund, kurse tjetra e gjatë, e ngadaltë por që është rrugë e sigurt dhe pa probleme, euforia dhe zelli na shtyjnë të zgjedhim të parën, me gjithë sakrificat dhe vështirësitë që na shoqërojnë.
Zakonisht, ne vihemi përballë dy rrugëve.
Rrugën e gjatë dhe të ngadaltë, nuk e përballojnë dot veçse një pakicë njerëzish, sepse ajo kërkon maturi, urtësi, kuptim, njohje të ligjeve të jetës dhe natyrën e gjërave, kërkon perceptim të drejtë të situatave dhe gjendjeve të shoqërive, gatishmërinë e tyre për ta pranuar ndryshimin, forcat me ndikim etj…
Kushdo që e njeh tablonë e përgjithshme, kushdo që e përballon shijen e durimit dhe besimit, kushdo që i është bërë rizk sinqeriteti dhe çiltërsia, do të lërë gjurmë, sado të pakta apo të shumta të jenë. Gjurmët dhe ndikimi i tij mund të vihen përballë gjurmëve dhe ndikimit të forcave të tij opozitare. Ai mund të kërkojë që të gëzojë të njëjtat të drejta, siç i gëzojnë të tjerët. Ashtu siç bëri profeti Musa a.s:” lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara, 17). Siç bëri dhe profeti Shuajb a.s i cili tha:”Nëse një grup mes jush beson në mesazhin me të cilin jam dërguar, ndërsa grupi tjetër nuk beson, duroni derisa Allahu të gjykojë midis nesh! Ai është gjykatësi më i mirë”! (Araf, 87)
Të njëjtën gjë e gjejmë dhe tek profeti Muhamed a.s me kurejshët:”E çfarë pune u prish që të më lënë të kontaktoj me të gjithë njerëzit?!”
Në këtë rast, fitorja dhe ndikimi u përket atyre që kanë logjikë më të shëndoshë, argumente më të forta, që ka shtënë në dorë fuqinë mediatike, ekonomike dhe politike. Të gjitha këto, rrallë herë mund ti ketë vetëm njëra palë.
Në përgjithësi, kjo është një rrugë e cila bazohet në përhapjen e vlerave dhe parimeve të duhura me forma plot urtësi, me durim dhe sinqeritet, me mbrojtje që bëhet në mënyrën më të mirë, duke respektuar ligjet e jetës. Sipas të kuptuarit të tij të drejtë, vetëdijësimit, qëllimit të mirë dhe larg fanatizmit opozitar personal apo grupor, arrihet dhe suksesi. Nga ana tjetër, po aq sa bie pre e idealizmit personal apo vizionit të ngushtë të cilin nuk e perceptojnë dot njerëzit, aq do të jetë dhe izolimi i tij si dhe shtimi i pengesave përreth.
Kjo është një rrugë që shtrihet në gjatësi, plot hapësira për ixhtihad, për vizione dhe shkolla që identifikohen me reformën e qetë, të pjekur dhe të mesme.
Ajo nuk është monopol e ndonjë xhemati, grupimi, shkolle, institucioni apo personi, kushdo qoftë dhe cilido qoftë ndikimi i tij.
Paralelisht saj, është rruga tjetër, e cila të imponon hapa të nxituar dhe euforik, e cila u beson gjërave prerazi. Në përgjithësi, energjia e saj buron nga një besim i brendshëm gozhdues, një besim i verbër se është qëndrimi i duhur, se gjithçka tjetër është e pavlerë. Ajo injoron i injoron dhe shpërfill forcat opozitare, s’ia ka haberin nga ligjet e Zotit në këtë jetë, nuk e njeh ligjin e ndryshimit, merret vetëm me aspektin literal të teksteve dhe nuk fokusohet tek thelbi, si dhe i përdor jo në kontekstin e duhur.
Është besimi se forca materiale dhe e grushtit, është ajo që i ndan gjërat, është besimi se jeta nuk është gjë tjetër veçse një kazermë ushtarake, se ajo i nënshtrohet atij që ka në dorë armën dhe e tund atë! Edhe pse nuk është në pozita fuqie me kundërshtarin e vet, ai e kompenson dobësinë me interpretimin e teksteve, me shtirjen se është në pozita superioriteti dhe fitoreje. Kështu, humbjet dhe disfatat ndjekin njëra-tjetrën, në pritje të premtimeve të ardhshme. Me pretekstin se të ardhmen e di vetëm Zoti, vazhdon kalvari i përshkallëzimit të grupeve të reja, të cilat nuk e dinë fundin e paraardhësve të tyre.
Është vetë vetëvrasja… por me nijet të mirë.
Siç e thamë, janë vetëm dy rrugë, ajo e reformës ose e vetëvrasjes.. e treta është rruga e vdekjes së ngadaltë.
Këtu, unë nuk po flas për një person të caktuar, por thjesht po cek disa nga llojet e të menduarit, të cilat në përgjithësi, kanë të përbashkët nijetin e mirë në aparencë, ndërkohë që nga brenda gëlojnë nga pasionet e fshehta, ose siç e quajnë psikologët “ndikimi i pavetëdijes.
E rëndësishme është që njeriu ti kërkojë llogari arsyes së tij, ti kërkojë zemrës të korrigjojë nijetin dhe tu gjendet pranë nevojtarëve.

Dr Selman Aude
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit