“Vendimi i Mesutit është tërësisht patriotik, i drejtë dhe meriton çdo lëvdatë. E dua sepse është i papranueshëm sulmi racist ndaj tij nga shkaku i përkatësisë fetare që ka”, tha Erdoğan
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se mbrëmë ka biseduar me Mesut Özil-in të cilit i ka dhënë përkrahje dhe mbështetje për sulmet raciste me të cilat u përball në Gjermani ky futbollist me origjinë turke, për çka dhe braktisi kombëtaren e Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan sot mbajti një fjalim para deputetëve të partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AK Parti), për çka në dalje nga Kuvendi u përgjigj në disa pyetje të gazetarëve.
I pyetur të komentojë zhvillimet rreth Özil-it, kreu i shtetit turk tha se e përkrahë tërësisht futbollistin.
“Vendimi i Mesutit është tërësisht patriotik, i drejtë dhe meriton çdo lëvdatë. E dua sepse është i papranueshëm sulmi racist ndaj tij nga shkaku i përkatësisë fetare që ka, përkundër maksimumit që dha për kombetaren e Gjermanisë në të cilën la gjurmë të thella”, tha Erdoğan.
Futbollisti i Gjermanisë me origjinë turke Mesut Özil të dielën njoftoi tërheqjen e tij nga kombëtarja e Gjermanisë në futboll.
Ai tha se nuk mund të përfaqësoj Gjermaninë në nivel ndërkombëtar derisa ballafaqohet me racizëm dhe mosrespekt.
Özil u gjet në qendër të sulmeve të opinionit gjerman që në muajin maj, atëherë kur në Londër takoi dhe u fotografua me presidentin e Turqisë, Erdoğan.
Në takim ishin të pranishëm edhe futbollisti i gjermanisë me origjinë turke Ilkay Gündoğan, dhe lojtari i kombëtares turke Cenk Tosun.
Sulmet raciste mbi futbollistët Özil dhe Gündoğan heshtën pak gjatë Botërorit, që sërish të shpërthejnë pas përfundimit ku Özil u etiketua si fajtori kryesor për dështimin e Gjermanisë.
Erdoğan tha sot se dikush duhet të shpjegojë, se cila është ajo vetëdije që nuk mund të pranojë që futbollistët turq Özil, Gündoğan dhe Tosun u fotografuan me presidentin turk.
“Kjo është jotolerancë. Kjo është ajo që thonë edhe të gjithë politikanët elokuentë, të cilët u rreshtuan me Mesutin”, përfundoi Erdoğan.